Libra

‘Fqinjët’, Tirana do të jetë për tri ditë ‘kryeqyteti’ i librit europian

Nga Gazeta Si - Festivali ndërkombëtar “Tirana Gate 2022” nga 5 tetori do ta kthejë kryeqytetin në një pikëtakim të rëndësishëm për librin europian.

Pas një eksperience të parë vitin e shkuar në vendin tonë, festivali i këtij viti vjen me temën kryesore “Fqinjët”, ata afër dhe ata larg, me panele diskutimi mes shkrimtarëve europianë dhe Ballkanit Perëndimor.

Drejtoresha e Festivalit Letrar Ndërkombëtar të të Rinjve “Tirana Gate 2022”, Irena Toçi, thotë për Gazetën “Si” se këtë vit kemi arritur të kemi plot 18 shkrimtarë europianë nga vende të ndryshme të Europës qendrore dhe të Ballkanit.

“Festivali e kthen Tiranën në një portë të hapur mikpritëse bujtëse idesh, vizioni dhe emocioni, jo vetëm për autorët, por edhe për të gjithë pasionantët e rinj që bëhen pjesë e këtij aktiviteti ndërkombëtar, që ka meritën, jo thjesht të një festivali, por të një atmosfere artistike me të gjitha moshat. Këta 18 shkrimtarë do të debatojnë të gjitha tematikat që lidhen me fqinjësinë e mirë dhe një sërë temash të tjera”, shprehet Toçi, ndërsa shton se “ajo që i përbashkon idetë e tyre është se në këto tridhjetë vite ky rajon po përballet me histori të ngjashme, shkëputjen nga regjimet totalitare dhe histori arratie e dëbimi”.

Irena Toçi, drejtoresha e Festivalit Letrar Ndërkombëtar të të Rinjve “Tirana Gate 2022”

Drejtoresha artistike e festivalit, Milena Selimi, thotë për Gazetën “Si” se mirëpresin sivjet autorë të mirënjohur të Ballkanit nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria dhe autorë nga Turqia, që në labirinthin e një paraleleje mes historisë personale dhe asaj kombëtare do të rrëfejnë histori shtetesh dhe qytetesh, histori qytetërimesh dhe jetësh individuale.

“Gjithashtu pjesë e festivalit do të jenë autorë europianë si nga Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Rumania, fitues të çmimit prestigjioz ndërkombëtar Çmimi Europian i Letërsisë (EUPL), ku edhe Shqipëria bën pjesë me 3 autorë të saj”, tregon ajo.

Duke iu referuar temës “Fqinjët”, drejtoresha artistike, Milena Selimi, thotë se kultura është e vetmja hapësirë pa kufij, ku mund të lëvizim pa lejekalimi, ku në vend që të kundërshtojmë mund të dialogojmë edhe nëse nuk jemi dakord.

“Prej këtu lind nevoja që të flasësh me Tjetrin. Të njohësh tjetrin, do të thotë të fillosh ta respektosh. Bashkëjetesa është një element kulture. Kapërcimi i kufijve gjeografikë, midis disiplinave dhe diskutimeve, bëhet i mundur vetëm nëse ai apo ajo që udhëton ia del të zhvendosë kufijtë e brendshëm. ‘Po udhëtoj brenda vetes’ thotë Julia Kristeva, filozofja e shquar bullgare. Vetëm në këto kushte idetë ngrihen mbi dëshpërimin dhe ta kuptosh këtë nuk është e pamundur. Do të flasim për Ballkanin Perëndimor duke diskutuar: A e përcakton e kaluara të ardhmen? Njëherësh në panele të ndryshme autorët pjesëmarrës do të përballin krijimtaritë për tema të tjera të rëndësishme”, thotë ajo.

Festivali i sivjetëm do të solidarizohet edhe me Ukrainën, në një seksion të dedikuar “Ukraine - Stop War”, dhe kjo sipas drejtoreshës artistike Milena Selimi, duke sjellë disa autorë ukrainas përmes krijimtarisë së tyre.

“Festivali ka një program të ngjeshur, që jep mundësinë e ndjekjes së autorit të dashur, shqiptar, apo fqinj. Ka një përparësi, pasi disa nga autorët pjesëmarrës janë të përkthyer në shqip dhe lexuesi, nëse nuk i ka njohur, do të ketë një arsye më shumë për t’i njohur dhe zbuluar përmes festivalit”, thotë për Gazetën “Si” drejtoresha artistike e festivalit, Milena Selimi.

Sipas saj, e veçanta do të jetë gjuha e festivalit, ku secili autor do të flasë, diskutojë dhe lexojë në gjuhën e tij.

“Pra do të dëgjojmë shqip, turqisht, greqisht, bullgarisht, maqedonisht, serbisht sllovenisht, ukrainisht, rumanisht, anglisht. Autori më i ri i festivalit është 26-vjeçari Azem Deliu nga Kosova dhe autori më në moshë: Drago Jančar, 73 vjeçar nga Serbia. Grupmosha të ndryshme do të arrijnë të diskutojnë, debatojnë, dakordësojnë, ose tejkalojnë kufijtë në një tokë të bukur siç premton Letërsia”, përfundon Selimi.

Festivali do të mbahet në sallën UNESCO- Muzeu Historik Kombëtar në datat 5,6,7 tetor.

Autorët pjesëmarrës, fitues të Çmimit Europian të Letërsisë (EUPL): Drago Jančar, Tom Kuka, Kalin Terziyski, Reka Man-Varhegy; si dhe autorët e përvojës dhe çmimeve ndërkombëtare: Dragan Velikićaj (Serbi), Vladislav Bajac (Serbi), Nikola Madzirov (Maqedonia e Veriut), Gjoko Zdraveski (Maqedonia e Veriut), Sebnem Isiguzel (Turqi), Ervina Halili (Kosovë), Janis Kalpuzos (Greqi), Azem Deliu (Kosovë), Mimoza Hysa, Besnik Mustafaj, Rita Petro, Ylljet Aliçka, Ayfer Tunc (Turqi), Arbër Selmani (Kosovë), Ag Apolloni (Kosovë), Andreas Dushi, Alban Tufa, Brajan Sukaj, Erina Çoku, Diana Çuli, Stefan Çapaliku, Ivana Trajanovska (Maqedonia e Veriut), Anna Kove, Telemak Koça (diaspora Greqi), Eris Rusi, Vera Bekteshi, Natasha Lako, Lulzim Haziri (Maqedonia e Veriut), Namik Dokle, Odise Kote.

Përkthyesit pjesëmarrës: Ben Andoni, Kristo Pulla, Nikollë Berisha, Milena Selimi, Maniela Sota, Blerta Hysa, Erin Gjatolli, Senem Cehver (Turqi).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë