Para

Financimi i Porto Romanos nga Buxheti/ Ervin Minarolli: U fsheh skema e vërtetë për pazarin me arabët. 400 mln eurot janë vetëm fillimi

Kur qeveria, prezantoi projektin Marina Durrës, që do të zhvillohet nga investitori arab Mohamed Alabar, qeveria lajmëroi dhe zhvendosjen e Portit Tregtar nga Durrësi në Porto Romano. Por që kur ra dakord me arabët, qeveria ka ndryshuar qendrim se me çfarë fondesh do të ndërtohej porti i ri. Fillimisht u tha se nuk merrej asnjë lek nga buxheti, pasi do ta mbulonte Autoriteti Portual Durrës, më pas, kur Marrëveshja me arabët u miratua në Parlament, u tha se Porti në Porto Romano do të ndërtohet 46% nga buxheti dhe 54% nga privati, me PPP. Tani, kryeministri deklaroi se gjithçka do të paguhet nga buxheti. Për Ervin Minarollin, një nga ekspertët me eksperiencë në politikat e transportit, qeveria e ka patur që prej fillimit planin për financim 100% nga buxheti, por e fshehu atë.

Nga Gazeta ‘SI’ - Në një intervistë per Gazetasi.al, Ervin Minarolli, i cili është dhe Sekretar Organizativ i PD të drejtuar nga Sali Berisha, argumenton pse 400 milionë eurot që përmendi kryeministri Edi Rama janë vetëm fillimi për faturën që do të paguajnë shqiptarët për portin e ri, në mënyrë që, në hapësirën e portit aktual, të lirohet vendi për kompleksin luksoz rezidencial dhe portin e jahteve, që do të ndërtojnë privatët. 

Ervin Minarolli, ekspert i politikave të Transportit, sekretar organizativ PD/Gazetasi.al

Gazeta Si: Kryeministri njoftoi ndryshimin e financimit për Portin tregtar në Porto Romano, i cili do të bëhet me financim plotësisht nga buxheti. Arsyeja kryesore e paraqitur ishte koha dhe komplikacionet nga financimet e huaja. Është kjo një arsye e mjaftueshme për të shpenzuar, minimalisht, 400 milionë euro nga buxheti?

Ervin Minarolli: Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë investimi do të realizohej nga Autoriteti Portual Durrës me mbështetje të buxhetit të shtetit, por Kryeministri deklaroi se investimi do të mbështetet plotësisht nga buxheti i shtetit. Arsyeja e paraqitur “komplikacione nga financimet e huaja” qëndron, pasi kreditimi kryhet mbi bazën e besueshmërisë. Me gjendjen financiare që Autoriteti Portual Durrës ka aktualisht, e ka të pamundur për ta ndërtuar me të ardhurat e veta. Do të duheshin mbi 100 vite për të shlyer kreditë duke patur parsysh që të ardhurat vjetore të portit janë rreth 5 milionë Euro. Tashmë jemi mësuar me vendimet e papritura që merr qeveria. Porti i Durrësit është pika e referimit për gjithë sistemin e transportit, që do të thoë se ndërlidhja tokësore e portit do të ndryshojë tërësisht me zhvendosjen e tij. Vlera e përmendur nga Kryeministri është vetëm për ndërtimin e portit, ndërkohë që nuk janë llogaritur qindra milionë euro të tjera për fazat e tjera të zhvillimit dhe për lidhjen me infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.

Gazeta Si: Në gjykimin tuaj, pse po nxiton kryeministri dhe qeveria për ta financuar Porto Romanon me para nga taksat e qytetarëve, ndërkohë që po e zhvendos nga Durrësi për një projekt privat?

Ervin Minarolli: Para së gjithash, dua të theksoj se zhvendosja e portit të Durrësit nuk ka lidhje vetëm me nevojën për të zhvilluar një port të ri tregtar, por bëhet për të tjetërsuar pronën publike. Një praktikë e njohur kjo e qeverisë Rama. Porti sot shfrytëzon rreth 50% të kapaciteteve të tij. Ka një nxitim për të liruar sheshin e ndërtimit dhe akuariumin e portit për të ndërtuar komplekset luksoze rezidenciale dhe marinën. Zhvendosja me urgjencë e portit të Durrësit, ku përpunohen mbi 90% e mallrave, krijon një boshllëk në transportin kombëtar dhe ndërkombëtar, duke ia hequr mundësinë Shqipërisë të jetë një nyje strategjike për transportin rajonal. Do të duhen shumë vite deri në ndërtimin dhe vënien në funksion të portit të ri. Operatorët e transportit ndërkohë do të kërkojnë rrugë të tjera më ekonomike dhe deri sa të realizohet porti i ri, bashkë me infrastrukturën e nevojshme për ndërlidhjen me llojet e tjera të transportit tokësor, do t’i kemi humbur avantazhet që na jep pozicioni i favorshëm gjeografik.

Gazeta Si: Mendoni se ky ka qenë plani që në fillim, por nuk u tha për të mos rënduar akoma më shumë atëherë faturën financiare të zhvendosjes së Portit për shkak të ndërtimit të Marina Durrës?

Ervin Minarolli: Ky ka qenë plani që në fillim, sepse për funksionimin minimal të tregtisë, (lëvizjes së mallrave te import - eksportit) më parë, në të njëjtin vend, është dhënë koncensioni për ndërtimin e një porti për përpunimin e mallrave të përgjithshëm, i cili është drejt përfundimit të ndërtimit dhe ka filluar operimin për disa grup mallra. Momenti kur u shpalos plani i portit të Durrësit ishte në prag të fushatës elektorale dhe sigurisht që u prezantua vetëm pjesa e parë e projektit për kompleksin residencial dhe marinën në 3D, duke fshehur mënyrën e investimit të portit tregtar pas Autoritetit Portual Durrës.

Gazeta Si: Mendoni se gjendja jo e mirë e opozitës dhe mungesa e reagimit të shoqërisë për çështje të rëndësishme e ndihmojnë kryeministrin të mos japë llogari para publikut për mosmbajtjen e premtimeve?

Ervin Minarolli: Opozita nuk është në gjendje jo të mirë, shoqëria është në gjendje të vështirë. Opozita është i vetmi segment i kësaj shoqërie që ka reaguar dhe që është në këmbë pa pushim e pa kompromis. Por vetëm opozita politike është e pamjaftueshme për të luftuar me sukses beteja që duhet t’i luftojë e gjithë shoqëria. Opozita ka qenë reaguese që në momentin e parë kundër prishjes së portit historik dhe tjetërsimit të pronës publike për të ndërtuar një projekt klientelist. Ka pasur dalje publike, duke denoncuar aferën e portit të Durrësit, nga deputetë dhe eksponentë lokalë të PD, ka patur dhe protesta të organizuara para zyrave të shitjes kundër tjetërsimit të pronës publike. Sot që flasim ka një çështje në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë për kallëzim penal kundër kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar në SPAK, por ky i fundit ka vendosur “mosfillimin e procedimit penal…”. Vendimi është mbështetur dhe nga Gjykata e Posaçme. Problemi është se Kryeministri sot e konsideron veten hallkën e fundit të drejtësisë, ku drejtësia funksionon si "ministri" e qeverisë dhe ky nuk është faji i opozitës. Sigurisht që reagimi duhet të ishte më i fuqishëm, por ka munguar reagimi qytetar duke pritur që të reagojnë individualisht, vetëm kur e keqja u vjen në derë të shtëpisë.

Është fatkeqësisht, sëmundje e shoqërisë dhe antidoti është opozita, por s’duhet lënë e vetme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë