Para

Kredia e pambrojtur për blerje banese nga individët u përkeqësua

Nga Gazeta 'SI' - Në 2023-shin, kredia e pambrojtur pësoi rënie, por cilësia e saj u përkeqësua.

Të dhënat e Bankës Shqiptare tregojnë se për shkak të zhvlerësimit të euros, kredia e pambrojtur që mbi 90% është në këtë monedhë, është tkurrur me 16% gjatë 2023-shit. Por treguesi i cilësisë për këtë kredi ka rënë.

BSH tregon se kreditë me probleme për huatë e pambrojtura nga kursi i këmbimit arriti 4.4% në 2023-shin dhe vetëm për pasuritë e paluajtshme ishte 3.5%. Pra, aftësia paguese e individëve që kanë të ardhurat në lekë dhe kredinë në valutë (euro) është përkeqësuar.

Më shumë se gjysma e kredisë së pambrojtur në valutë i përket bizneseve dhe pjesa tjetër individëve. Sipas sektorëve, peshën kryesore në këtë kredi e zë “pasuria e paluajtshme” me rreth 60%, e ndjekur nga “tregtia” me 16%.

60% e huasë së pambrojtur të individëve është marrë me qëllim blerjen e banesës. BSH raporton se masa e kredisë për këtë qëllim është tkurrur me 12% në fund të 2023-shit.  

Rënia absolute dhe relative e kredisë së pambrojtur në valutë tregon një rënie të ekspozimit të sektorit bankar ndaj efektit të kursit të këmbimit, dhe përfaqëson një zhvillim pozitiv si në drejtim të mbrojtjes së huamarrësve, ashtu edhe në drejtim të qëndrueshmërisë së sektorit bankar, raporton BSH.

Kredia e pambrojtur në valutë është matësi i kredive të regjistruara në një valutë, kur të ardhurat janë në një valutë tjetër. Normat e interesit në euro raportohen më të ulëta se ato në lekë, duke joshur kështu më shumë klientët.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re për blerje banesash në 2023-shin arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh ose rreth 466 milionë eurosh. Kredia e re për banesa u rrit me 5.2% krahasuar me vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë