Muzike

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, regjisori Bledar Laço: Pse është eventi më i madh mbarëkombëtar

Nga Gazeta Si - Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, ngjarja që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar, është në prag.

Gjirokastra muzeale e traditave dhe kulturës shekullore mikpret këtë vit rikthimin e Festivalit pas 8 vitesh nën simbolikën e valltarëve të lidhur dorë për dore, aty në Kalanë e gurtë, të zbukuruar dhe gjallëruar nga këngët e vallet e gjithë krahinave të Shqipërisë. 

Nga data 24 qershor deri më 1 korrik ky event rikthehet pas pamundësisë për t’u zhvilluar në vitin 2020 ku për shkak të pandemisë u ndërpre çdo aktivitet kulturor e artistik.

Regjisori i Festivalit Folklorik Kombëtar, Bledar Laço ndanë të tjera detaje për Gazetën “Si” mbi organizimin e Festivalit. Për të është eksperienca e dytë që organizon një event të tillë, të cilin ai e cilëson si eventin më të madh dhe më gjithëpërfshirës mbarëkombëtar.

“Për mua ky është eventi më i madh i gjithë kulturës dhe i gjithë trashëgimisë tonë jomateriale, duke përfshirë folklorin, etnologjinë, kostumet gjithçka që ka të bëjë me trashëgiminë jomateriale.  Kjo është eksperienca e dytë. Eksperienca ime e parë ka qenë në vitin 2015, sigurisht një eksperiencë e jashtëzakonshme. Me të njëjtin grup, me të njëjtët organizatorë kemi nisur punën për të bërë edhe këtë, pavarësisht se kthehet pas 8 vitesh. Në linjën e vet festivali duhet të ishte bërë në vitin 2020, çdo 5 vjet sepse është një organizim shumë i madh, shumë i kushtueshëm, që gjithmonë është mbështetur nga buxhetet e qeverisë”, shprehet regjisori i Festivalit, Bledar Laço për Gazetën “Si”.

Për Laçon ky event i këtyre përmasave shoqërohet edhe një organizim tejet të vështirë.

“Organizimi është i vështirë sepse ka të bëjë me terrenin, ka të bëjë me bartësit e folklorit, të cilët përfaqësojnë në skenën e festivalit me trashëgiminë që kanë marrë nga brezat”.

Laço thotë se risia e këtij festivali është se për herë të parë është hequr konkurrimi midis grupeve.

“Që në start është menduar që festivali të jetë ashtu siç ka emrin festival, një skenë e madhe, një spektakël i madh, një shoë i vërtetë, duke shmangur të gjithë atë pjesë të konkurrimit, që dikur sillnin le të themi një handikap në thonjëza në shon e festivalit. Gjithkush nga qarqet e mendonte dhe e organizonte, e shikonte si një konkurrim për të marrë disa çmime, që në fund në finale, sipas logjikës tonë, ishin të paarsyeshme sepse, në trashëgimi dhe në folklor nuk mund të ketë asnjë komision, juri të cilët mund të gjykojnë mbi vlerat e folklorit”, shprehet Laço për Gazetën “Si”.

Regjisori i Festivalit, Bledar Laço

Regjisori Laço zbulon se Ministria e Kulturës po punon që dosjen e festivalit folklorik të Gjirokastrës ta paraqesë në UNESCO si një pasuri, të trashëgimisë tonë.

“Normalisht sipas rregullave të UNESCO-s nuk mund të ketë konkurrim për vlerat e trashëgimisë popullore. Ndaj festivali do të jetë vetëm në suazën e një shoë, e një spektakli, pavarësisht se mënyra e organizimit mbetet ajo e vjetra ku gjithsekush përfaqësohet mbi bazë qarku, do të marrin pjesë 12 qarqet, dhe ka një minutazh të caktuar, dikush më shumë, dikush më pak”, vijon më tej regjisori.

Komisioni Artistik vijon punën në të 12-të qarqet e vendit për të përzgjedhur interpretimet më të mira muzikore folklorike që do të paraqiten në festival dhe tanimë janë në fazën përmbyllëse.

“Ne kemi kohë që punojmë, prej disa kohësh komisioni artistik drejtuar nga drejtori artistik, personalitet i nderuar, Thoma Gaqi, ka bërë selektimin bashkë me grupet e punës që janë ngritur nëpër qarqe, dhe tani jemi në fazën përmbyllëse. Gjithçka po i afrohet shfaqjeve dhe netëve magjike”, thotë Laço.

Përveç 12 qarqeve të vendit do të jenë prezentë edhe dy grupe nga Kosova, një grup nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që është Ansambli Shtetëror, një grup nga Mali i Zi, do të ketë shqiptarë të diasporës, nga Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, nga Greqia, nga Arbëreshët e Italisë.

“Të gjithë trevat shqipfolëse dhe shqiptarët kudo janë nëpër botë, përfaqësohen në skenën e tyre më të madhe të folkut dhe trashëgimisë kulturore, që është skena e festivalit të Gjirokastrës”, shprehet regjisori i Festivalit, Bledar Laço.

Të ftuar gjatë netëve të këtij Festivali do të jenë grupe të mirënjohura si Elif Sanchez nga Spanja, një nga këngëtarët më të njohur të Republikës së Maqedonisë së Veriut Vladko Stefanovski, Les Sëings Cabaret Musical nga Franca, për të kulmuar me natën finale me pjesëmarrjen e Orchestra Italiana e Renzo Arbores. Po ashtu, do të marrin pjesë këngëtarët Eneda Tarifa, Dren Abazi, Marsela Çibukaj, Eranda Libohova, Andi Kongo, Ylli Baka, Era Rusi, Endri dhe Stefi Band etj.

Hyrja në Festivalin Folklorik Kombëtar do të jetë pa pagesë dhe do të ketë një larmishmëri aktivitetesh para, gjatë dhe pas zhvillimit të netëve të Festivalit Folklorik Kombëtar.

Laço u shpreh se do të jenë të shumta aktivitetet që do të shoqërojnë 8 ditët e festivalit.

“Përveç shfaqjeve në kala, është menduar që jeta në Gjirokastër të gjallojë edhe nëpërmjet aktiviteteve të tjera, duke filluar me zejtarët, me artizanët, kulinarinë, me shfaqjet e filmave, me ekspozitat e pikturës apo librit”, vijon më tej Laço, ndërsa shton se “këto ditë Gjirokastra do të gjallojë jo vetëm nga jo vetëm nga turistët, jo vetëm nga studiuesit e folklorit, por nga gjithkush që do të vijë e të kalojë një ditë ndryshe në një eveniment dhe në një festë kaq të madhe siç ta ofron ky qytet”.

Logoja e Festivalit

Festivali Folklorik i Gjirokastrës ndër vite

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në tetor të vitit 1968 në Kalanë historike të qytetit. Në Festivalin e parë morën pjesë mbi 1000 këngëtarë, rapsodë, valltarë dhe instrumentistë.

Prej asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet ’70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival.

Festivali i vitit 1973 u zhvillua në Gjirokastër në 6 deri në 12 tetor, ku konkurruan 26 grupe sipas rretheve. Me Flamurin e Festivalit u nderua Grupi i Lezhës dhe Grupi i Gjirokastrës.

Festivali i vitit 1978 ishte Festivali i Tretë Folklorik Kombëtar, në të cilin morën pjesë 1560 këngëtarë popullorë, që përfaqësonin 26 rrethet e Shqipërisë.

Festivali i vitit 1983 u zhvillua në Gjirokastër, prej datës 6-12 tetor dhe morën pjesë 1700 festivalistë në konkurrim, që u përzgjodhën nga 70.000 këngëtarë, instrumentistë e valltarë që konkurruan nëpër rrethe të vendit. Me Flamurin e Festivalit u nderua Grupi folklorik i Gjirokastrës.

Festivali i vitit 1988 u vlerësua si festë e madhe e artit popullor. Të paharrueshme për publikun e kohës do të mbeten edhe performancat e orkestrinës së Laver Bariut me grupin e Përmetit, grupi i Kolonjës, kënga “Janinës ç’i panë sytë”, tingujt e Orkestrinës së Matit, Pukës, Dibrës, Kukësit, Librazhdit etj. Flamurin e Festivalit e mori Grupi i Gjirokastrës.

Festivali i vitit 1995 ishte i pari festival që “theu” një traditë 40- vjeçare, pasi u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit.

Festivali Folklorik Kombëtar 2000 rikthehet në Kalanë e Gjirokastrës në datat 20- 24 shtator.

Festivali Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2004 u zhvillua në ditët e para të tetorit.

Në Festivalin Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009 morën pjesë 19 grupe konkurruese dhe disa grupe përshëndetëse, si dhe u ndanë çmime edhe për grupe e individë.

Ndërsa, Edicioni i X i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës u mbajt në Maj të vitit 2015 në një mënyrë krejt të re organizimi, më madhështore se vitet e mëparshme, duke u shndërruar në një nga ndërmarrjet më të mëdha folklorike, kulturore dhe artistike në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë