Politike

Fati i Metës në dorë të Kushtetueses, afatet dhe provat që dorëzohen nga Kuvendi

Kuvendi miratoi me 104 vota pro si raportin e Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e Ilir Metës, ashtu edhe vendimin për shkarkimin e Presidentit.

Por, vota e Kuvendit ishte vetëm “paradhoma” e shkarkimit. Hapi i fundit është dorëzimi në Gjykatën Kushtetuese i raportit prej 98 faqesh të Komisionit Hetimor Parlamentar bashkë me procesverbalet dhe votimin nominal për shkarkimin e Presidentit.

Me të marrë në dorëzim këtë dosje, Gjykata Kushtetuese do të nisë shqyrtimin e saj. Gjatë këtij procesi Presidenca mund të mbrohet duke dhënë argumentat e saj. Në fund, duke vënë përballë provat e Kuvendit dhe ato të Presidencës, Kushtetuesja do të vlerësojë me shumicë votash nëse shkarkimi i Presidentit është Kushtetues, apo jo.

Vendimi duhet të merret brenda 3 muajve, që do të thotë para fundit të muajit shtator do të mësohet nëse Ilir Meta do ta mbyllë mandatin e tij 5-vjeçar si President i vendit, apo do të shkarkohet.

Nëse Kushtetuesja vlerëson se shkeljet e gjetura në raportin e Kuvendit nuk justifikojnë shkarkimin e tij, atëherë i gjithë procesi vlerësohet si “nul” dhe Meta vijon i qetë detyrën e tij, ndërsa nëse vlerësohet se raporti i Kuvendit është i përligjur dhe Kushtetuesja voton pro tij, atëherë Ilir Meta largohet nga zyra.

Raporti thotë se Meta ka shkelur të paktën 16 nene të Kushtetutës. Ai është hartuar mbi bazën provave fizike e virtuale, ku janë të pasqyruar të gjitha deklaratat e Presidentit para, gjatë dhe pas 25 prillit, që në vlerësimin e 49 deputetëve nismëtarë për shkarkimin e Metës bien ndesh me rolin e tij mbi palët.

Raporti thotë se Presidenti bëri fushatë hapur kundër partisë në pushtet dhe roli i tij nuk perceptohet në popull si unifikues, rrezikoi marrëdhëniet me ndërkombëtarët me akuzat për korrupsion për diplomatët e huaj, nxiti dhunën dhe urrejtjen, madje për këtë të fundit, Komisioni kërkon edhe ndjekjen penale.

“Thirrjet që nxisin dhunë janë subjekt i ndjekjes penale nga organet kompetente”, thotë raporti.

Veç tyre, Komisioni ka administruar si prova edhe postime me foto, video dhe tekst të Presidentit në rrjetet sociale. Prova tjetër është korrespondenca e Presidentit me Gjykatën Kushtetuese, që anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar e interpretojnë si shantazh të tij ndaj kësaj gjykate.

Komisioni akuzon Presidentin se jo vetëm ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por e ka bërë këtë në mënyrë të përsëritur.

“Bëhet fjalë për shkelje të përsëritura në 19 intervista televizive, 9 deklarata për mediat dhe 45 postime në rrjetet sociale”, tha kreu i Komisionit, Alket Hyseni.

Si prova janë administruar edhe të dhënat e mbledhura nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga SPAK në lidhje me kallëzimet për krimet zgjedhore. Komisioni tha se ka administruar edhe informacione nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe një informacion të klasifikuar si sekret nga ana e Policisë së Shtetit, nën dyshimet se Presidenti Ilir Meta mund të jetë takuar me eksponentë të Agimit të Artë.

Informacion është marrë edhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procedurat e ndjekura prej kësaj të fundit për përplasjen në lidhje me zyrat e Frymës së Re Demokratike si dhe raste të shkarkimit të Presidentit në Letoni dhe vende të tjera europian. Si provë janë administruar edhe dhënia e titujve, dekoratave, procedurave dhe dekreteve të shtetësisë së dhëna nga ana e Presidentit Meta para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.

Gjithashtu, raporti është bazuar edhe te dy mendimet e dhëna nga ekspertët Artan Spahiu dhe Erind Mërkuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë