Politike

Presidenca: Zero shqetësim nga Parlamenti monist! Meta më i motivuar për të mbrojtur shqiptarët

Fill pas votimit në Parlament, ku deputetët shkarkuan Ilir Metën duke e përcjellë vendimin e tyre për hapin e fundit, që do të jepet nga Gjykata Kushtetuese, ka reaguar zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

“Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist, që do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit, se si një Kuvend pa opozitë, që edhe pse është shkarkuar me votë nga populli, voton për shkarkimin e një institucioni tjetër! Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit. Të paktën veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl! Bravo ju qoftë, që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti”, shkruan Blushi në Facebook.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar”, shton Tedi Blushi.

Në fund, zëdhënësi ftoi mediat që të merren, sipas tij, me gjëra serioze, që janë hetimi i krimeve zgjedhore dhe ndëshkimi i tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë