Politike

Shkarkohet Ilir Meta. 104 deputetë votuan pro

104 deputetë votuan të mërkurën raportin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, gjashtë deputetë më shumë nga numri për ngritjen e komisionit. Kundër raportit votuan 7 deputetë, 2 të tjerë abstenuan, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.

Më pas Kuvendi u përshi në votimin nominal emër për emër, në fund të të cilit 104 deputetë votuan për shkarkimin e Ilir Metës, 7 abstenuan dhe 3 votuan kundër.

Ndërkohë, 7 deputetë nuk ishin të pranishëm në sallë, përkatësisht  Ambra Borova, Rudina Hajdari, Enada Kapllani, Korab Lita, Jetmira Raboshta, Olta Xhaçka dhe Fidel Ylli.

Tashmë fati i presidentit Meta do të varet nga Gjykata Kushtetuese, e cila do të hetojë nëse gjetjet e Komisionit Hetimor ndaj tij përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Meta është presidenti i parë në historinë e Shqipërisë që ndëshkohet me votë nga deputetët, pas nismës së 55 deputetëve socialistë dhe hetimeve nga Komisioni i Posaçëm, pjesë të cilit ishin edhe deputetët e opozitës parlamentare

Më herët, Kryetari i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni, shpjegoi arsyet se pse komisioni hetimor kishte propozuar shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Jo aq gjatë sa Hyseni, krejt shkurt, kryeministri Rama mbajti një qëndrim politik, duke ftuar deputetët të votonin pro shkarkimit. Në këndvështrimin e Edi Ramës, Ilir Meta kishte tradhtuar misionin e Presidentit dhe poshtëruar Kushtetutën.

Në këtë mendim ishte pak a shumë edhe ish-bashkëpunëtori  tjetër i Metës, ndër vite, pavarësisht ulje-ngritjeve të marrëdhënies mes tyre, Pandeli Majko.

Me votimin e raportit të komisionit hetimor merr fund edhe përpjekja dyvjeçare e socialistëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me dy komisione hetimore parlamentare të ngritura përgjatë kësaj periudhe dhe dy raporte, ku i pari propozoi vërejtje ndaj Presidentit, ndërsa i dyti shkarkimin e tij.

Vendimi i Kuvendit pritet t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese. Do të jetë kjo e fundit që do të përcaktojë fatin politik të Ilir Metës në Presidencë, i cili më herët është shprehur se ai do të qëndrojë aty, deri sa t’i mbarojë mandati në korrik të vitit 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë