Komisioni Europian ka publikuar këtë të mërkurë Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, ku evidenton edhe një sërë vlerësimesh negative dhe pozitive për vendin.
Në fushën e drejtësisë, Komisioni vlerëson përfundimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke theksuar se ky proces ka forcuar pavarësinë, llogaridhënien dhe integritetin e sistemit gjyqësor. Ndërsa SPAK vlerësohet për pavarësinë dhe rezultatet konkrete në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Raporti evidenton gjithashtu përparim në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në zhvillimin e kapaciteteve hetimore të prokurorisë, luftën kundër pastrimit të parave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Vlerësime pozitive ka edhe për energjinë, arsimin dhe kulturën, doganat, lëvizjen e lirë të kapitalit, të drejtën e shoqërive tregtare, pronësinë intelektuale dhe politikat për ndërmarrjet dhe industrinë, sektorë në të cilët Shqipëria vlerësohet me nivel të mirë përgatitjeje.
Megjithatë, përtej këtyre vlerësimeve, Komisioni evidenton problematika në funksionimin e institucioneve demokratike, ndërhyrjet politike në drejtësi, korrupsionin dhe lirinë e medias.
“Autoritetet shqiptare ruajtën angazhimin e tyre të vendosur ndaj objektivit strategjik të integrimit në BE si përparësia kryesore e vendit, me synimin për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027. Ruajtja e ritmit do të kërkojë realizimin e shpejtë të reformave cilësore që lidhen me BE-në”, thuhet në dokument.
Sa i përket funksionimit të demokracisë, Komisioni Europian vëren se mungesa e dialogut politik dhe përplasjet ndërmjet shumicës dhe opozitës kanë vijuar të kufizojnë efektivitetin e Kuvendit.
“Mungesa e dialogut të mirëfilltë politik dhe e aktiviteteve të konsultimit publik, si dhe përplasjet ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës, vazhduan të kufizojnë efektivitetin e tij. Kuvendi gjithashtu nuk zbatoi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese”, thekson raporti.
Komisioni evidenton gjithashtu refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe politizimin e emërimeve në organet kushtetuese dhe institucionet e pavarura.
“Paraqitja e shpeshtë e nismave ligjore nga Këshilli i Ministrave, refuzimi sistematik i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe politizimi i emërimeve në organet kushtetuese ose institucionet e pavarura kontribuuan të gjitha në kufizimin e mbikëqyrjes së qeverisë nga Kuvendi”, thuhet në raport.
Në dokument kërkohet urgjentisht një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
“Kuadri ligjor dhe institucional lidhur me zgjedhjet është përgjithësisht i përshtatshëm. Megjithatë, disa rekomandime të kahershme të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbeten të patrajtuara. Nevojitet urgjentisht një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, vlerëson Komisioni.
Një pjesë e raportit i kushtohet edhe protestave qytetare që kanë nisur prej majit 2026 dhe protestave studentore të tetorit, ku KE kërkon që palët të dialogojnë dhe të kërkojnë zgjidhje.
“Ky është mobilizimi më i madh qytetar në Shqipëri që prej tranzicionit demokratik të vendit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që iu bashkuan protestës në kulmin e saj. Duke u mbështetur në lëvizjen qytetare, në tetor 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave ndodhën incidente të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe Policisë së Shtetit shqiptar. Deri tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në dialog konstruktiv”, thuhet në dokument.
Komisioni ngre shqetësime për përpjekjet e zyrtarëve dhe politikanëve për të ndikuar në sistemin gjyqësor.
“Përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve, vazhduan gjatë periudhës së raportimit”, theksohet në dokument.
Ndërkohë, SPAK vlerësohet për rezultatet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
Komisioni thekson se korrupsioni vijon të mbetet një sfidë reale për Shqipërinë.
“Ndikimi real i këtyre dhe masave të tjera parandaluese ndaj korrupsionit mbetet për t’u dëshmuar, duke marrë parasysh hetimet në vazhdim për korrupsion të nivelit të lartë”, thuhet në dokument.
Komisioni kërkon gjithashtu forcimin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe gjykimeve, si dhe sigurimin e më shumë dënimeve të formës së prerë.
Kritika ka edhe për lirinë e medias. Sipas raportit, Shqipëria ofron garanci ligjore të pamjaftueshme për lirinë e shprehjes.
“Shqipëria ofron garanci ligjore të pamjaftueshme për lirinë e shprehjes, ndërsa mjedisi në të cilin veprojnë mediat duhet të përmirësohet, në mënyrë që ato të punojnë lirshëm, në mënyrë të pavarur dhe profesionale”, vlerëson Komisioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje