Komunitet

Dyfishohet numri i shqiptarëve që shohin krimin e organizuar si kërcënim kryesor sigurie

Numri i shqiptarëve që perceptojnë krimin e organizuar si kërcënimi kryesor për sigurinë e tyre familjare, vetjake dhe të pronës u dyfishua në vitin 2020 në krahasim me vitin 2019.

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe Fondacioni “Friedrich Ebert Stiftung” publikuan barometrin e sigurisë në Shqipëri, ku pasqyrohen rezultatet e një pune disamujore për zhvillimin e një ankete kombëtare.

Raporti thotë se rreth 10 për qind e të anketuarve identifikojnë si kërcënim kryesor të sigurisë vetjake veprimtarinë e krimit të organizuar. Shifra është më shumë se dy herë më e lartë se rezultati i 2019-ës, kur 4.66 për qind e shqiptarëve mendonin këtë veprimtari si kërcënim kryesor të sigurisë së tyre.

Autorë Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Fondacioni “Friedrich Ebert”

Rritje pothuajse dyfish ka edhe në kategorinë e qytetarëve që e rendisin veprimtarinë e krimit të organizuar si kërcënimi i dytë kryesor për sigurinë e tyre vetjake. Në anketën e 2019-ës, 5 për qind e shqiptarëve perceptonin krimin e organizuar si kërcënimi i dytë për sigurinë e tyre, ndërsa në 2020 kjo shifër është rritur në 9.3 për qind.

Autorë Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Fondacioni “Friedrich Ebert”

Anketa vëren se veprimtaria e krimit të organizuar identifikohet si shqetësimi kryesor për sigurinë më shumë në qytete se sa në fshat. Në zonat urbane, rreth 12 për qind e të anketuarve e rendisin si kërcënimin më të madh, ndërsa në zonat rurale dhe periferike shifra është rreth 8 për qind.

Në panoramën totale, vjedhjet mbeten shqetësimi kryesor i sigurisë vetjake për shqiptarët, ku më i theksuar ky shqetësim vërehet në zonat periferike e informale të qyteteve dhe në zonat rurale. Vjedhjet identifikohen si kërcënim nga 46.7% e banorëve në zonat rurale dhe periferike dhe 38.7% në ato urbane.

Sa i takon sigurisë kombëtare, shumica e qytetarëve identifikuan korrupsionin, krimin e organizuar dhe papunësinë si kërcënimet më të mëdha. Në ndryshim nga Barometri 2019, në 2020 ka një rritje të përqindjes së qytetarëve që identifikojnë papunësinë dhe krimin e organizuar si kërcënime kryesore.

Gjithashtu, korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të shihen si pengesat kryesore për integrimin në BE nga shumica dërrmuese e qytetarëve. Megjithatë, ka një rënie të numrit të atyre që mendojnë se lufta kundër krimit të organizuar nuk do të fitohet dhe po kështu është paksa më i lartë numri i atyre që janë disi të kënaqur me luftën kundër këtij kërcënimi të sigurisë gjatë vitit 2020.

Rreth tre të katërtat e qytetarëve mendojnë se pandemia Covid-19 ka pasur ndikim negativ në sigurinë e vendit dhe 61% mendojnë do të ketë ndikim të tillë edhe në vitin në vazhdim.

Anketa vë re se në 2020 numri i qytetarëve që mendojnë se me krijimin e SPAK, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të forcohet ka një përgjysmim në krahasim me një vit më parë.

Autorë Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Fondacioni “Friedrich Ebert”

Institucionet e sigurisë, që shihen si të korruptuara nga një përqindje më e lartë e qytetarëve renditen: Dogana, Policia e Shtetit, SHISH dhe Ushtria. Në të njëjtën renditje qytetarët vendosin dhe besimin që kanë tek këto institucione.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë