Njerez

Krimi i organizuar dhe dhuna në familje, kërcënimi kryesor për shqiptarët

Vjedhjet, konfliktet për pronën, grabitjet, vrasjet dhe veprimtaria e krimit të organizuar cilësohen si kërcënimet kryesore ndaj sigurisë personale të shqiptarëve. Kjo është ajo çfarë vërehet në botimin e fundit të Barometrit të Sigurisë në Shqipëri, një anketë e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe fondacionit “Friedrich Ebert” në Shqipëri.

Sipas të dhënave të mbledhura, qytetarët shqiptarë ndihen më pak të sigurt në krahasim se një vit më parë dhe ka një rritje të përqindjes së qytetarëve, që identifikojnë krimin e organizuar dhe dhunën në familje si kërcënim kryesor për sigurinë vetjake.

Pritshmëritë për përmirësimin e sigurisë janë më të ulta se vitin e kaluar, pasi janë një numër më i vogël qytetarësh, që  mendojnë se situata e përgjithshme e sigurisë në 12 muajt e ardhshëm do të jetë më e mirë.

“Rreth 29% e qytetarëve thonë se janë shumë të kënaqur me gjendjen e sigurisë atje ku jetojnë dhe vetëm rreth 25% e atyre që jetojnë në zonat periurbane dhe rurale mendojnë kështu. Të anketuarit kanë një vlerësim relativisht të ulët për shkallën e bashkëpunimit ndërmjet strukturave shtetërore si policia dhe pushteti vendor për garantimin e sigurisë”, vërehet mes të tjerash në botim.

Policia e Shtetit mbetet institucioni me rolin më të rëndësishëm për sigurinë e përditshme, por përqindja e atyre që mendojnë kështu është ulur dhe është rritur numri i atyre që garantimin e sigurisë e shohin të lidhur me masat e marra nga ata vetë.

Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, qytetarët nuk kanë besim

“Gjysma e të anketuarve mendojnë se prania e policisë është e mjaftueshme por 18% mendojnë se kjo prani duhet rritur. Përqindja e qytetarëve që jetojnë në zonat periurbane dhe rurale që mendojnë se prania e policisë është e mjaftueshme është më i ulët. Modernizimi i policisë shihet si një opsion i preferueshëm për pak më shumë se gjysma e qytetarëve si mënyrë për rritjen e sigurisë, por krahasuar me një vit më parë numri i atyre që kanë këtë mendim ka rënë me rreth 10 pikë përqindje.”

Janë të paktë edhe qytetarët, të cilët mendojnë se shkalla e kontributit të ushtrisë apo shërbimeve sekrete për sigurinë e vendit është e lartë.

“Edhe këtë vit, shumica e të anketuarve identifikuan korrupsionin, krimin e organizuar dhe papunësinë si kërcënimet më të mëdha ndaj sigurisë së Shqipërisë, por në ndryshim nga Barometri 2019 ka një rritje të përqindjes së qytetarëve që identifikojnë papunësinë dhe krimin e organizuar si kërcënime kryesore.”, theksohet mes të tjerash në Barometrin e Sigurisë.

Mbi 70% e qytetarëve mendojnë se vetëm një numër i vogël njerëzish punësohen në institucionet e sigurisë vetëm në bazë të meritës dhe aftësive. Përsa i përket garantimit të sigurisë, dy të tretat e qytetarëve mendojnë se policia nuk i respekton të drejtat e njeriut në punën e saj. Nga ana tjetër 3/5 e qytetarëve mendojnë se Policia e Shtetit nuk i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë në punën e saj.

Shumica e qytetarëve mendojnë institucionet i sigurisë janë pak të pavarura nga ndikimi politik në kryerjen e funksioneve të tyre.

Dogana shihet më pak e pavarur nga ndikimi politik në nga numri më i madh i qytetarëve, ndjekur nga Policia e Shtetit, SHISH dhe Ushtria. Përqindja e qytetarëve që mendojnë se institucionet e drejtësisë (Prokuroria dhe Gjykatat) janë të ndikuara nga politika është më i lartë se ai për institucionet e sigurisë.

Krahasuar me vitin 2019, ka një rënie të konsiderueshme të përqindjes së qytetarëve që mendojnë se me krijimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të forcohet dhe se efektiviteti i gjykatave do të rritet pas reformës në drejtësi.

Institucionet e sigurisë që shihen si të korruptuara nga një përqindje me e lartë e qytetarëve renditen: Dogana, Policia e Shtetit, SHISH dhe Ushtria. Në të njëjtën renditje qytetarët vendosin dhe besimin që kanë tek këto institucione.

Edhe besimi tek institucionet e ekzekutivit si qeveria, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes është i ulët, pasi qytetarët janë pothuajse të ndarë përgjysmë mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë besim tek to.

Kjo ndarje reflektohet edhe tek besimi i shprehur tek institucionet në lidhje me menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Edhe për efektivitetin e Parlamentit si mbikëqyrës i institucioneve të sigurisë, vetëm gjysma e të anketuarve mendojnë se mbikëqyrja ka qenë efektive. Nga ana tjetër, mbi 70% e të anketuarve thonë se do të donin që ky funksion të forcohet.

Ndotja e mjedisit dhe emigrantët e huaj, kërcënim për sigurinë

Rritje ka edhe përqindja e qytetarëve, që shohin rrezikun e ndotjes së mjedisit dhe fluksin e emigrantëve të huaj si kërcënim kryesor, ndërkohë që më pak qytetarë sesa në vitin e kaluar e mendojnë terrorizmin, luftën me fqinjët dhe ekstremizmin e dhunshëm si kërcënimin kryesor.

Rreth tre të katërtat e qytetarëve mendojnë se pandemia Covid-19 ka pasur ndikim negativ në sigurinë e vendit dhe 61% mendojnë do të ketë ndikim të tillë edhe në vitin në vazhdim.

Shtetet më miqësore për shqiptarët

NATO dhe BE shihen si kontribues pozitivë ndaj sigurisë së Shqipërisë dhe është më i madh numri i qytetarëve, që mendojnë se anëtarësimi në BE do të ketë ndikim pozitiv për sigurinë e Shqipërisë.

SHBA, Gjermania dhe Italia identifikohen si tre shtetet më miqësore ndaj Shqipërisë nga shumica e qytetarëve, por në krahasim me vitin 2019 ka një rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve, të cilët identifikojnë Turqinë si një ndër vendet më miqësore. Edhe pse është grupuar tek vendet e cilësuara si “aktorë të jashtëm”, mbi 75% e qytetarëve thonë se Turqia ka ndikim pozitiv ose shumë pozitiv në sigurinë e Shqipërisë.

Edhe pse të konsideruar si “aktorë të jashtëm”, përkundrejt vendeve të aleancës Euro-Atlantike, Kina dhe vendet arabe shihen se kanë ndikim pozitiv mbi sigurinë e Shqipërisë nga një përqindje në rritje e qytetarëve. Në krahasim me Barometrin 2019 është më e lartë përqindja e qytetarëve, që mendojnë se Rusia dhe Irani kanë ndikim negativ për sigurinë e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë mbeten optimistë lidhur me anëtarësimin në BE. Kjo shprehet në një prirje të lehtë të rritjes së numrit të atyre që mendojnë së anëtarësimi në BE do të arrihet brenda 10 ose 15 viteve dhe një rënie të numrit të atyre që mendojë se kjo do të ndodhë për 20 vite apo asnjëherë.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të shihen si pengesat kryesore për integrimin në BE nga shumica dërrmuese e qytetarëve. Megjithatë ka një rënie të numrit të qytetarëve që mendojnë se lufta kundër krimit të organizuar nuk do të fitohet dhe po kështu është paksa më i lartë numri i atyre që janë disi të kënaqur me luftën kundër këtij kërcënimi të sigurisë gjatë vitit 2020.

Barometri Shqiptar i Sigurisë 2020 ofron informacion të rëndësishëm të lidhur me perceptimet e qytetarëve për sigurinë. Sipas drejtueses së fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë, znj. Stine Klapper, “Ky studim është jashtëzakonisht i vlefshëm pasi ai nuk analizon vetëm rreziqet në vetvete, por më tepër mënyrën se si qytetarët i identifikojnë ato.”

“Nëse duam të kuptojmë dinamikën e sigurisë dhe të diskutojmë opsionet e politikave të sigurisë, nuk mjafton vetëm të shqyrtojmë statistikat mbi incidentet e lidhura me sigurinë. Ne duhet të angazhohemi me perceptimet e qytetarëve për kërcënimet dhe ofrimin e sigurisë si një funksion themelor i shtetit, pasi ato kanë ndikim vendimtar në shoqërinë dhe zhvillimin e saj.”, vëren Klapper.

Sipas saj, nëse qytetarët nuk ndihen të sigurt, ata priren të humbin besimin te shteti dhe, në këtë mënyrë edhe te institucionet shtetërore, proceset demokratike, mekanizmat e rishpërndarjes dhe elementët e tjerë themelorë të shoqërisë. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë