Bota

‘Dua të bëj masakër në një shkollë dhe të vras veten’, 24-vjeçari çek e paralajmëroi sulmin në Telegram

Nga Gazeta 'Si'-Autori i sulmit që i mori jetën të paktën 14 personave sot në Pragë dhe plagosi dhjetëra të tjerë, është identifikuar si David Kozak, një 24-vjeçar, me origjinë çeke.

I riu mësohet se kishte hapur një kanal në platformën e komunikimit “Telegram”, ku disa ditë më parë kishte ndarë detaje lidhur me planet e tij për sulmin e sotëm.

24-vjeçari shprehej në mesazhet e tij se ai u frymëzua nga Alina Afanaskina, e cila sipas tij e kishte ndihmuar “tejmase” pasi “kishte ardhur nga Parajsa si një ndihmë” për të.

“Më lejoni të prezantoj veten time. Unë jam Davidi. Dua të bëj vrasje në shkollë, dhe mundësisht vetëvrasje. Alina Afanaskina më ka ndihmuar shumë. Gjithmonë kam dashur të kryej vrasje, mendoja se do të bëhesha një maniak në të ardhmen. Më pas kuptova se ishte më shumë e vlefshme të bëja vrasje masive sesa vrasje seriale. Unë u ula… prita… ëndërrova… desha… por Alina ishte pika ime e fundit. Ishte sikur ajo erdhi në ndihmë për mua nga parajsa në kohën e duhur”, shkroi autori.

Vetëm pak javë më parë, në rajonin Bryansk të Rusisë një vajzë 14-vjeçare, e quajtur Alina kreu një sulm të ngjashëm në klasën e saj.

Ajo qëlloi me armë zjarri disa shokë klase, duke vrarë një prej tyre dhe duke plagosur pesë të tjerë përpara se të vriste veten, thanë agjencitë shtetërore të lajmeve dhe autoritetet ruse.

Ky sulm ndodhi në datën 7 dhjetor të këtij viti, ndërsa 24-vjeçari David Kozak hapi kanalin e tij në Telegram ku paralajmëronte sulmin e sotëm vetëm dy ditë më pas, në 9 dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë