Bota

Masa të forta sigurie/ Çekia në zi pas masakrës në Pragë, dyshohet se autori u ndihmua nga e dashura e tij

Gazeta Si - Policia çeke shtoi masat e sigurisë rreth shkollave dhe ndërtesave të tjera publike në gjithë vendin ndërsa Universiteti i Karlit në Pragë anuloi të gjitha leksionet dhe ngjarjet e së premtes, pasi një student vrau me armë zjarri 15 persona, shumicën prej tyre në një ndërtesë të këtij universiteti të enjten.

Sulmi ishte ngjarja më e rëndë e ndodhur ndonjëherë në vendin e Evropës Qendrore, ku shumë veta mbajnë armë, disa prej tyre pushkë sportive ose gjuetie, por sulmet masive janë të rralla.

Ministri i Brendshëm Vit Rakusan tha se policia ka identifikuar të vrarët dhe në mesin e tyre nuk ka të huaj. Mes të plagosurve janë dy shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një nga Holanda.

"Janë 13 viktima dhe në mesin e tyre është vet sulmuesi”, tha ministri Rakusan për Televizionin Çek. Autoritetet kishin raportuar më herët 14 viktima në universitet.

Qytetarët ndezën qirinj jashtë selisë së universitetit në zonën mesjetare të qytetit.

“Duke filluar nga sot kemi miratuar masa parandaluese mbarëkombëtare…” tha policia në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

“Nuk kemi informacion për ndonjë kërcënim konkret… ky është një sinjal që jemi këtu dhe të përgatitur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet nuk dhanë informacione të reja mbi gjendjen e të plagosurve.

David Kozak, autori 24-vjeçar i masakrës me 15 studentë të vrarë në Universitetin e Arteve në Pragë, mund të jetë ndihmuar nga e dashura e tij.

Policia çeke e konfirmoi lajmin për mediat lokale. E dashura, për të cilën nuk janë bërë të ditura detaje të tjera, mësohet se po tenton të arratiset jashtë vendit.

Republika Çeke ka shpallur të shtunën ditë zie kombëtare pasi një person i armatosur vrau 14 persona dhe plagosi 25 në një universitet në Pragë.

Presidenti Petr Pavel shprehu "trishtimin e tij të madh dhe zemërimin e pafuqishëm për humbjen krejtësisht të panevojshme të jetës”.

Sipas ministrit të Brendshëm çek, Vit Rakusan , policia gjeti “një numër të madh armësh dhe municionesh” në ndërtesën e universitetit.

“Ne mund të kishim shumë viktima të tjera nëse policia nuk do të kishte vepruar kaq shpejt”, tha ai.

Bie në sy se 24-vjeçari kishte licencë për armën me të cilën shkaktoi tragjedinë. Ai u vetëvra pasi kishte lënë të vdekur 15 studentë gjatë masakrës në universitet.

Ndërsa më herët kishte qëlluar dhe vrarë të atin në fshatin Hostun, rreth 20 kilometra larg Pragës. Policia çeke po shqyrton mundësinë që ai të ketë vrarë edhe dy persona të tjerë para masakrës në Pragë.

Gjatë një konference për media, policia njoftoi se po heton nëse 24-vjeçari mund të jetë i lidhur me dy vrasje të ndodhura javën e kaluar.

Një baba 32-vjeçar dhe vajza e tij dy muajshe u qëlluan për vdekje në pyllin Klanovicky pranë Pragës të premten e kaluar, tha shefi i policisë Martin Vodrasek, por ende nuk është konfirmuar nëse Kozak në të vërtetë kishte ndonjë lidhje me vrasjet.

Sipas policisë, Kozak ka planifikuar të ndjekë një leksion pasditen e djeshme në Fakultetin e Arteve, pak minuta më këmbë nga Fakulteti i Filozofisë.

Por policia që po kërkonte studentin, nuk e gjeti këtë të fundit aty. Ai ishte nisur për në Fakultetin e Filozofisë, ku hapi zjarr pak çaste më vonë.

Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë 24-vjeçarin David Kozak duke dalë në ballkon dhe duke hapur zjarr me armë.

Ai kishte paralajmëruar në Telegram se kishte dashur gjithnjë të kryente një vrasje masive. Në një nga mesazhet e shumta të kësaj natyre, David shkruante më 10 dhjetor të këtij viti se inspirimi i tij ishte Alina Afanaskina. Kjo e fundit, një vajzë ruse hapi zjarr ndaj shokëve të klasës pak kohë më parë.

Ai ishte diplomuar për histori dhe studime evropiane dhe vazhdoi masterin, duke u fokusuar në historinë e Polonisë.

Megjithatë, mesazhet e postuara nga i riu në Telegram javët e fundit japin një pamje krejtësisht të ndryshme të tij.

Nuk është ende e qartë se çfarë e ka shtyrë të riun të kryejë akte të tilla çnjerëzore. Duke qenë se David vdiq gjatë shkëmbimit të zjarrit me efektivët, motivi do mbetet gjithnjë një mister.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë