Arsim

Drafti i qeverisë për Kartën e Studentit: Shërbimet që do të përfitohen

Qeveria do të marrë përsipër prodhimin e kartave të studentit, duke bërë që koston të mos ua ngarkojë universiteteve publike. Projektvendimi i hartuar nga Ministria e Arsimit, “Kategoritë e shërbimeve, të ofruara nga entet shtetërore dhe subjekte të tjera, të cilat përfitohen me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit”, ka për qëllim përcaktimin e shërbimeve në fushën e artit dhe kulturës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit dhe ato të mbrojtjes, të cilat do të përfitohen nga studentët me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik.

Shërbimet që ofrohen nga entet shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit dhe ato të mbrojtjes, përfitohen nga studentët me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik i çdo studenti.

Në lidhje me përfitimet, shërbimet që do të ofrohen nga entet shtetërore në nivel qendror dhe vendor si dhe subjektet e tjera publike apo private, si dhe vetë IAL-të, krijojnë mundësinë studentëve që të kenë avantazhe të ndryshme financiare, në veprimtari të ndryshme, me anë të përdorimit të Kartës së Studentit, si dokument unik për të gjitha llojet e shërbimeve.

Qëllim tjetër i projektvendimit parashikohet të jetë lehtësimi i përfitimit të shërbimeve më çmime të reduktuara dhe në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas qeverisë, nëpërmjet kartës studentët mund të bëhe pjesë e projekteve ndërkombëtare, përmes marrëveshjeve që lidhen nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe organizatat ndërkombëtare që administrojnë projektet ndërkombëtare.

Ky projektvendim ka për qëllim plotësimin e bazës ligjore për ofrimin e shërbimeve për studentët nëpërmjet Kartës së Studentit, si dokument unik për përfitimin e shërbimeve.
Ministrat sipas fushës së përgjegjësisë përkatëse, miratojnë me urdhër të përbashkët me ministrinë përgjegjëse për arsimin, listën e shërbimeve të ofruara me çmime të reduktuar për studentët. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxheti i ministrive, sipas fushave të përgjegjësisë shtetërore.

Mbajtësit e kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera publike apo private, që kanë për objekt të tyre interesa studentore, në bazë të marrëveshjeve përkatëse pa efekte financiare për buxhetin e shtetit, të nënshkruara me ministrinë përgjegjëse për arsimin.

Faksmile e relacionit të aktit për Kartën e studentit

Përveç ministrive, marrëveshje për studentët për lehtësimin e kostove të shërbimit, mund të nënshkruajnë edhe bashkitë. Ato mund të firmosin marrëveshje dhe me biznesin privat apo dhe institucione të tjera. Në rast se prodhimi dhe administrimi i kartës së studentit do të delegohet te njësitë e vetëqeverisjes vendore, atëherë, shpenzimet do të përballohen nga buxheti i këtyre njësive.

“Çdo institucion i arsimit të lartë mund të nënshkruajë marrëveshje pa efekte financiare me subjekte publike apo private për ofrimin e shërbimeve të ndryshme në nivel qendror apo vendor, më çmime të reduktuara për mbajtësit e kartës së studentit. Marrëveshjet e lidhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet e arsimit të lartë, marrin miratimin paraprak në ministrinë përgjegjëse për arsimin. Ministria përgjegjëse për arsimin konfirmon miratimin, brenda 10 ditëve pune nga njoftimi i marrëveshjes. Në rast se konfirmimi nuk paraqitet brenda 10 ditëve pune, miratimi konsiderohet i dhënë”, thuhet në projektvendimin e paraqitur nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini.

Nisma e Ministrisë së Arsimit është futur në procesin e konsultimeve publike dhe së shpejti pritet të miratohet nga qeveria. Ajo vjen si një pjesë e plotësimit të kushteve nga ana e qeverisë ndaj studentëve, të cilët nisën protestat në dhjetor të vitit të kaluar. “Pakti për Universitetin” është zotimi i qeverisë Rama për plotësimin e kushteve të studentëve, ku një ndër kërkesat e tyre është edhe Karta e Studentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë