Arsim

Dosjet e ish-Sigurimit pjesë e kurrikulave mësimore, historiani Meta: Pse kjo nismë do të ketë një ndikim pozitiv

Nga Gazeta Si - Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit do të jenë pjesë e kurrikulave mësimore në shkolla. Nisma që synon të shpalosë historinë e periudhës së errët të komunizmit është ndërmarrë nga Autoriteti i Dosjeve.

Synimi i nismës është që nxënësit e shkollave të mësojnë të shkuarën përmes mënyrave kreative shpesh edhe duke plotësuar mangësitë e trashëguara në dije nga një brez në tjetrin.

Për historianin Beqir Meta, nëse kjo nismë organizohet në mënyrën e duhur, do të ketë shumë rezultat dhe efekt pozitiv.

Historiani Beqir Meta. Gazeta Si, dhjetor, 2023.

“Nëse bëhet në mënyrë serioze dhe në mënyrë të përshtatshme për nivelin e nxënësve dhe me metodat pedagogjike të nevojshme etj, sigurisht që ajo do të jetë efektive dhe e suksesshme. Unë e quaj këtë një veprim shumë pozitiv, shumë të mirë, sepse shoqëria shqiptare ka shumë nevojë të marrë vesh se çfarë ka ndodhur gjatë diktaturës, çfarë ka qenë arma e sigurimit të shtetit, çfarë metodash ka përdorur, çfarë ndikimi ka pasur në shoqërinë njerëzore atëherë, por edhe reminishencat e këtij aktiviteti shumë të ashpër, shumë të dhunshëm, që është zhvilluar brenda shoqërisë shqiptare, përçarjen e thellë dhe neverinë, por edhe metastazat që kanë mbetur. Këto elementë të Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të jetojnë në shoqëri dhe të veprojnë. Sigurisht që deri më tani në shumë raste kanë vepruar edhe në mënyrë të dëmshme, duke i sjellë dëme shoqërisë njerëzore”, shprehet historiani Beqir Meta për Gazetasi.al.

Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit të Dosjeve do të shprehej se “rishqyrtimi i historisë si proces ende nuk po gjen rrugën për të komunikuar me procesin e mësimit të historisë nëpër shkolla. Ka nevojë për platforma ku temat në dukje të patrajtueshme, të mund të furnizohen me dokumente e arkiva, foto, video dhe punime”.

Historiani Meta, ndonëse pohon se në universitete dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, mund të përdoren në një formë a një tjetër, qoftë edhe për detyra kursi, sipas tij shqyrtimi i këtyre dokumenteve është shumë i domosdoshëm për shkollat e mesme.

“Në universitete ka mundësi të përdoren, mund të përdoren edhe në detyra kursi. Deri më tani nuk janë të pranishme në tekste, por duhet të futen patjetër. Në çdo lloj shkolle duhet të futen. Por për mua në shkollën e mesme janë shumë të domosdoshme, pasi shpirti i rinisë formohet në shkollën e mesme”, shprehet historiani Meta, ndërsa shton se “kjo nismë do të ketë një ndikim shumë pozitiv, sepse do marrin vesh se çfarë ka ndodhur dhe do urrejnë me shpirt të keqen. Diktatura ishte një e keqe, shtypja e njerëzve, mohimi i lirive njerëzore, shkatërrimi i personaliteteve njerëzore ishte me të vërtetë shkatërrues”.

Historiani Meta thotë se dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pohojnë se si janë shkatërruar njerëzit dhe personalitetet e tyre.

“Dhe nëse duhet që demokracia, e cila te ne është e ende e dyshimtë dhe e brishtë akoma, të bëjë një hap para një nga elementet e domosdoshme është që ata të dinë se çfarë është totalitarizmi, çfarë është diktatura dhe çfarë impaktesh të tmerrshme ka mbi shoqërinë. Në këtë mënyrë nesër shoqëria do të jetë shumë më reaguese. Ne defektin kryesor kemi mosreagimin ndaj fenomeneve negative, ndaj shkeljeve të normave demokratike, etj. Që të kesh reagime në të nesërmen, duhet të edukosh sot dhe ky shpirt formohet kur je i ri”.

Historiani Meta i mëshon fort faktit se shoqëritë perëndimore dallojnë nga ne pikërisht për faktin se në shkollat e tyre është formuar personaliteti i lirë i tyre.

“Shoqëritë perëndimore nuk e pranojnë dot shtypjen, as te vetja as te të tjerët. Ndërsa ne jemi shtypur dhe kjo është u transmetuar edhe brezave të rinj kryesisht, nga familja, por edhe shkollat nuk kanë bërë diçka për të tejkaluar kjo”.

Ai ndër të tjera thotë se kjo nismë është e vonuar dhe duhet të ishte bërë shumë më përpara.

“Te ne të gjitha proceset janë të vonuara, kështu që më mirë vonë se kurrë”, përfundon historiani Beqir Meta për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë