Dosje

‘Sterilizimi’/ Argumentet e SPAK në padi dhe dyshimet ndaj koncesionarit dhe MSH

Gazeta Si - GJKKO nuk i ka ndryshuar masat e sigurisë për 8 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Shëndetësisë, të arrestuar dhe akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, në lidhje me koncesionin e sterilizimit të aseteve kirurgjikale.   

Mes tyre janë, janë lënë në bu rg ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim me pasoja të rënda.

Në argumentet që SPAK ka paraqitur në GJKKO, ka marrë në konsideratë kallëzimin e Nismës Thurrje, ku ngrihen dyshime ndaj kompanisë fituese dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që nga shkelja e barazisë në tenderë, deri te procedura e dhënies me koncesion.

Sipas dosjes hetimore, prokurorët e SPAK, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, kanë regjistruar procedimin penal për vepra penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë në tenderë”, Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me procedurën e dhënies me koncesion për “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale dhe furnizimin me material mjekësor steril një përdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga përmbajtja e materialit kallëzues rezulton se më datë 10 dhjetor të vitit 2015, Ministria e Shëndetësisë, me miratimin e Ministrisë së Financave dhe KLP, ka lidhur një kontratë koncesionare me kompaninë “Sani Service “për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.

Sipas dosjes, duke u nisur nga kontrata e bërë publike, bazuar në raportet e institucioneve dhe publikimet e medias, Nisma Thurje shprehte shqetësimet se kishte dyshime për nevojën e marrjes së këtij shërbimi nga një palë e tretë, në kushtet kur prej dekadash kryhej nga vetë spitalet publike.

Në kallëzimin e saj, Nisma Thurrje kishte dyshime edhe për procedurat e dhënies së këtij shërbimi me koncesion, si dhe për përmbajtjen e kontratës koncesionare, nëse është hartuar në një formë të atillë që shkakton dëme financiare buxhetit të shtetit.

Ky shqetësim i kallëzuesit, ka parasysh edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në të cilin është konstatuar se në Spitalin Universitar të Traumës si pasojë e kësaj kontrate koncesionare ka pasur një rritje të konsumit të energjisë elektrike me vlerë rreth 32.000 euro.

Po duke iu referuar KLSH-së, në spitalin e Durrësit, koncesionari nuk ka ndjekur procedurën ligjore për marrjen me qira të ambienteve të spitalit dhe ka rritur kostot e spitalit për energji elektrike dhe ujë në vlerë 7,706,844 lekë.

Në padinë e Nismës Thurrje, ngrihen dyshime edhe për për çmimin e shërbimit të dakordësuar në kontratë.

Vlen për t’u hetuar sipas tij nëse kompania ka investuar vërtet 12 milionë  euro, sipas parashikimit, duke hetuar inventarin e kompanisë dhe duke verifikuar cilësinë e produkteve edhe pse nëse bëhet një llogari e thjeshtë gjendet arsye jo vetëm në kryerjen e këtij investimi, por edhe nevojën për një koncesion të tillë.

Si përfundim, kallëzuesi në cilësinë e mjekut, qytetarit, por mbi të gjitha si taksapagues, shtron pyetjen përse duhet të paguajmë 17 milionë euro në vit një koncesion për një shërbim që shteti mund ta kryente vetë shumë më lirë?

Për koncesionin e sterilizimit më herët është marrë në pyetje ish-ministrja e Financave Anila Denaj, dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Dhënia e koncesionit të sterilizimit u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare “SaniService”.

SPAK e nisi hetimin për këtë koncesion në vitin 2019, pas një kallëzimi të depozituar nga ana e nismës “Thurje”.

Në 2020-ën çështja u regjistrua për 3 akuza që janë “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “korrupsion pasiv”.

Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln euro. Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.

Në pranga janë vënë ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim me pasoja të rënda.

Ndërkohë janë lëshuar dhe 6 urdhër arreste të tjera për ish-zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, 2 “arrest shtëpie” dhe 4 “detyrim paraqitje”.

Masat e sigurisë dhe akuzat për secilin nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë:

-Klodjan Rjepaj: arrest me burg për “shpërdorim detyre”

-Ilir Rrapaj: arrest me burg për “mashtrim me pasoja të rënda”

-Saimir Kadiu: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Marsela Serjana: arrest shtëpie për  falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

-Arben Gjata: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh’ dhe “shpërdorim detyre”

-Naile Ajazi: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim detyre”

-Genc Byrazeri: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe  “shpërdorim detyre”

-Petri Mersini: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë