Gazeta Si- Një nga dosjet më të bujshme në dyshimin për korrupsion dhe shpërdorim detyre nga ish-zyrtarë të lartë të Shëndetësisë, duket se po shkundet nga pluhuri i harresës.
SPAK, pas hetimeve 3-vjeçare, nisi një valë arrestimesh për këtë çështje, ku dyshohet se koncesioni i ka kushtuar shtrenjtë sistemit shëndetësor shqiptar.
Që pas dhënies me koncesion nga viti 2016, sterilizimi i pajisjeve mjekësore që përdoren në sallat e operacioneve nuk bëhet në autoklavat e spitaleve, por nga kompania “Sani-Servis”, me pronar biznesmenin e arrestuar që fitoi koncesionin, Ilir Rrapaj.
LEXO EDHE:
- Koncesionari i Check-Up ka marrë 6.5 mln euro shtesë për shërbime të pakryera
- Sterilizimi, "infeksioni" që çorodit me shifrat
Shkeljet
Prokuroria e Tiranës deklaroi në vitin 2016 se kontrata e sterilizimit nuk ka elemente të veprës penale dhe e mbylli dosjen, por hetimi rinisi pas 3 vitesh, kur Nisma Thurrje dërgoi një denoncim në SPAK-un e sapo ngritur.
Sipas kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë, për 10 vjet qeveria shqiptare do t’i paguajë koncesionarit 100 milionë euro.
Por tejkalimi i kostove dhe shkeljet janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që në vitet e para të zbatimit.
Vetëm në 2018, Ministria e Shëndetësisë i ka paguar koncesionarit 17 milionë euro nga 10 milionë që duhet të ishte fatura. Në këto kushte, ministria urdhëronte spitalet të reduktonin operacionet. Një shkresë e tillë pati mbërritur pranë çdo spitali. Një fakt alogjik ky që u denoncua edhe nga opozita në atë kohë.
Opozita, në fakt, e pati denoncuar që në fillim koston e koncesionarit për sterilizimin e tre niveleve të seteve të veglave (seti i madh me mbi 50 instrumenta me kosto rreth 200 euro, seti i mesëm me 40-50 instrumenta me kosto rreth 150 euro dhe seti i vogel me 30-40 instrumenta me kosto rreth 100 euro). Edhe për ndërhyrjet më të vogla që kërkonin 2-3 instrumenta, koncesionari i sterilizimit ofronte vetëm setin me të paktën 30-40 vegla, pra 10-fishin e veglave që nevojiten. Dhe kjo rrjedhimisht ka çuar në rritjen e kostos së sterilizimit shumëfish, përtej çdo parashikimi. Por deri tani nuk ishte prekur as koncesionari dhe as kontrata, ndërkohë që zgjidhja ishet gjendur (sipas asaj që kanë pohuar këta vitet e fundit shumë mjekë) në kurriz të shëndetit të pacientëve: Duke i vënë plan sëmundshmërisë dhe kurimit.
Projekt PPP
Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në pushtet në vitin 2013.
Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj.
Vetëm tenderi i sterilizimit të pajisjeve mjekësore ka një kontratë prej 12.3 miliardë lekësh, ndërsa Check Up shkon në rreth 8.7 miliardë lekë.
Thyerja e fondit limit
Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Ilir Rrapaj e kishte themeluar kompaninë e tij “Investal LLC” në Prishtinë, ndërsa prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë, ku drejtonte një kompani të vogël ndërtimi.
Kur u shpall tenderi në vitin 2015, fondi limit i tij ishte përcaktuar 9.65 miliardë lekë (92 milionë euro) për të gjithë jetëgjatësinë e koncesionit. Me pak fjalë 965 milionë lekë në vit për 10 vitet e kontratës.
Por vlera limit u thye që në vitet e para, sepse kontrata nuk kishte tavan të sipërm.
Brenda tre viteve, financimi i buxhetit për koncesionarin e sterilizimit arriti në 1.7 miliardë lekë në vit ose gati dyfishin e fondit limit.
Hezitimi i ish-ministrit Shkëlqim Cani
Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.
Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm.
Ish-ministri i Financave paralajmëroi gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.
“Lidhur me riskun e kërkesës, duke qenë dakord me mënyrën e përballimit të tij… do të kërkonim që Ministria e Shëndetësisë të marrë të gjitha masat e duhura, që ky risk të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë periudhës së koncesionit,” shkruante Cani në janar 2015.
Kallëzimi në SPAK
Më herët, lidhur me këtë aferë, janë pyetur zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Shëndetësisë, nga Ilir Beqja te Anila Denaj.
Një ditë më pas, ka dhënë dëshminë e tij edhe mjeku Artan Koni, i cili në dhjetor 2019, përmes një video-mesazhi denoncoi se “para koncesionit kostoja e setit kirurgjikal kushtonte vetëm 2.4 euro dhe kostot nuk ndërhynin në numrin e operacioneve, ndërsa sot pas koncesionit, ne paguajmë mesatarisht 190 euro për set kirurgjikal”, - tha ai.
Mjeku i njohur ishte kthyer tashmë në denoncuesin e vazhdueshëm të këtij koncesioni. Ai ishte i pari që denoncoi shkresën zyrtare që Ministria e Shëndetësisë u kishte dërguar spitaleve kryesore në vend, ku u kërkonte këtyre të fundit që gjatë vitit 2019 të bënin më pak operacione se gjatë vitit të shkuar. Kjo pasi, koncesionari i sterilizimit ‘Sani Service’ po merrte më shumë para sesa ishin parashikuar në buxhetin vjetor. Ku sipas statistikave gjatë vitit 2018, ishin kryer rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Për të cilat shteti i kishte kaluar konceisionarit 17 milionë euro, ose 3.6 milionë euro më shumë se parashikimi.
Në emër të Nismës Thurje, Pano Soko pati deklaruar se “përpara se të jepej me koncesion, fondet që alokoheshin ose më saktë kostot e procesit të sterilizimit shkonin diku te rreth 200 mijë euro për të gjithë Shqipërinë. Në momentin që u dha me koncesion, këto fonde u 80 fishuan. Nga 200 mijë euro për të gjithë vendin ne tashmë paguanim një koncesionar me 17 milionë euro”.
Në akuzat e kallëzuesve, në rastin konkret të Nismës Thurrje, thuhet se ky koncesion është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.