Ilir Beqaj ish-ministër i Shëndetësisë në kohën kur u nënshkrua kontrata e sterilizimit ka reaguar mbi hetimet e nisura nga SPAK për këtë shërbim të dhënë në formë koncesioni, formë PPP-je.
Në një reagim të gjatë publik në rrjetet sociale, Beqaj e mohon se i ka njohur më herët italianin Umbro Staccini dhe Ilir Rrapajn.
"Diçka lidhur me udhëtimet e mija jashtë shtetit me “miqtë” e mi Umbro Staccini e Ilir Rrapaj. I njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë.
Gjatë kohës si ministër kam takuar e jam njohur me sipërmarrës të ndryshëm, të huaj dhe shqiptarë, dhe për nevoja pune kam firmosur kontrata me ta. Të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale nëse do të udhëtosh nga Tirana për në Europë apo për në botë. Këto janë rrugët ajrore të Shqipërisë (në atë kohë nuk ishte Wizzair). Mund të qëlloj që në ato fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicie për fajësi", shkruan Beqaj në Facebook.
Beqaj cilëson si rastësi praninë në të njëjtën linjë fluturimi me Admir Dacën, administratorin e kompanisë Sani Service që kryente shërbimin e sterilizimit, duke shtuar se e ka njohur atë vetëm ditën kur është nënshkruar kontrata.
"Në shtator 2016 është e vërtetë se kam udhëtuar për në Vjenë. Sipas hetimit paska qenë edhe Admir Daca. Mundet. E ka njohur vetëm ditën që kam firmosur kontratën. Unë vetë kam fluturuar për në Vjenë për një vizitë pune në ANEA (Agjencia e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara). Bëni një kërkim “ilir beqaj në ANEA” në Google dhe ju del lajmi i asaj vizite. Pse kam qenë dhe me kë kam qenë. Por po e ripostoj. Në maj 2017 nuk kam udhëtuar jashtë shtetit sepse kam qenë në qarkun e Dibrës në fushatë elektorale", shkruan Beqaj.
Ish-ministri i Shëndetësisë sakaq mbron koncesionin e dhënë edhe pse janë nisur nga SPAK hetimet për ccështjet e abuzimeve.
" Meqënëse se po thuhet se centrali i sterilizimit i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë, kush dhe me se do i transportonte instrumentet e sterilizuar për tek spitali i Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës, Sarandës, Vlorës, Elbasanit etj, etj. Kush do i sillte dhe me se do i sillte përsëri në central për t’u sterilizuar rishtaz. Kush do i përballonte shpenzimet e këtij sterilizimi dhe transporti? QSUT për të gjithë Shqipërinë? Sa duhet të paguanin spitalet e tjera për këtë shërbim? Spitalet në Shqipëri nuk janë realitete ekonomikë që ofrojnë shërbime për spitale të tjerë. Prandaj ishte e nevojshme një Operator i vetëm", thekson Beqaj.
Më tej ai thekson se "në vitin 2014 nuk i kishim as dijet, as njohuritë dhe as paratë për ta bërë vetëm një sipërmarrje të tillë". "Në vitin 2014 qëllimi kryesor ishte ndalimi i rrënimit të asaj çfarë gjetëm dhe shlyerja e 40 milionë USD borxhe të trashëguara nga qeverisja e mëparshme. Siç e thashë edhe më lart, janë të punësuar rreth 250 vetë. Vetëm shpenzimet e shpërblimit të tyre kushtojnë rreth 250 milionë lekë në vit. Dhe nëse shërbehen rreth 60 mijë operacione më vit, rezulton që vetëm shpenzime personeli për një ndërhyrje kirurgjikale janë rreth 4 mijë lek. Megjithatë më mirë se vetë mjekët askush nuk e kupton çfarë ndryshimi ka sjellë ky shërbim në kirurgjinë shqiptare", shprehet më tej Beqaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.