Njerez

E vjedhin, por Maks Velo sërish në gjyq, sërish vetëm

Foto:Armand Sallabanda

Suadela Balliu - Proceset gjyqësore nuk mund veçse t’i ndërmendin kujtimet e hidhura, atëherë kur shteti komunist e dënonte për agjitacion e propagandë, me burg në Spaç.
Është përsëri në një sallë gjyqi. Kësaj here është ai paditësi, por padrejtësitë e shoqërojnë, ende, edhe pas njëzetegjashtë vitesh sistem politik dhe ekonomik plural dhe thuajse tridhjetë vitesh pasi i la pas krahëve ato tela me gjemba të kampit famëkeq. Por vetëm telat. Kujtimet do ta ndiqnin derisa të çliroheshin në vepra letrare. Maks Velo ka shkruar jo pak rreth kujtimeve të burgut, në libra me tregime si “Hetimi” apo “Spaçi”, së fundi edhe “Përkthyesi”. Por nuk u mjaftua vetëm me atë çka pa, dëgjoi dhe jetoi në lëkurë të tij. Fatin e atyre mijëra njerëzve të degdisur, në internime, të izoluar në harresë e shpërfillje nga shoqëria e ka sjellë në librin “Klubi Karavasta”.Është kjo vepra që e ka sjellë në atë sallë gjyqi, ku vjen e shkon prej dy vitesh tashmë. Jo vepra vetë, por një kopje e saj, e shndërruar në film, me një skenar që i vendos ngjarjet dhe personazhet në të njëjtën humbëtirë, pranë lagunës së Karavastasë, në një vend as fshat e as qytet, një ish-ndërmarrje bujqësore e ndërtuar nga regjimi. Kohët kanë kaluar, regjimet janë përmbysur, të internuarit janë më në fund njerëz të lirë, por njësoj të izoluar, me vullnet të humbur për t’iu arratisur fuqisë thithëse të llucës së kënetës, e cila mbretëron në jetët dhe mjedisin e tyre. Me lidhje tashmë të shpërbëra me të shkuarën e largët, pa asnjë përkatësi, universi i tyre sillet rreth një kafeneje, një klubi, me emrin “Karavasta”.

Novela "Klubi Karavasta', botua më2004-ën. 

Ata që vuajtën nga një sistem, nuk duken të përkëdhelur nga fati as në tjetrin, si peshq pa ujë, si eksplorues pa busull, mbeten sërish në harresë…
E paditura, e cila edhe në këtë seancë të 26 nëntorit mungon, është Iris Elezi, regjisore dhe aktualisht drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Filmi artistik me metrazh të gjatë, realizuar nga Elezi dhe bashkëshorti i saj Thomas Logoreci, me titullin “Bota”. Bota e kësaj rrëfenje kinematografike nuk është më e madhe se një kafene, e cila është pagëzuar pikërisht kështu, “Bota”. Banorët e këtij planeti janë tre personazhe. Asgjë nuk ndodh në universin ku është vendosur bota, një fshat i varfër, i harruar, kur dikur njerëzit internoheshin duke u izoluar me vetmi. Edhe pse pas viteve ’90 për personazhet e “Botës” mbeten në izolim. Ky i fundit jo domosdo fizik, mund të jetë mendor a shpirtëror. Ish-të përndjekurit politikë janë harruar nga politika e re, nga jeta dhe nga vetë koha…

Dhe  gjyqi nis...

Akuza është cenimi i së drejtës së autorit, plagjiaturë. Pas një beteje të parë në Drejtorinë për të Drejtën e Autorit, çështja tashmë është në gjykim nga gjyqtarja Mariana Shegani, në gjykatën e Tiranës. Avokatja e palës së paditur, Sonila Elezi, njëherazi edhe motra e së paditurës, nuk ndodhet në sallën e gjyqit. Përfaqësohet nga asistentja e saj. Avokatja Gjystina Golloshi, është përfaqësuesja e paditësit Maks Velo. Seancës i është bashkuar edhe një përfaqësuese e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, një prej financuesve të filmit “Bota”, që po ashtu ka mundur të vjelë financime edhe nga institucione ndërkombëtare siç është “Euroimage” , fondi i Këshillit të Europës për vepra kinematografike.


Nuk kemi ekspertë të studiojnë çdo skenar që paraqitet, nëse ka plagjiatura, lihet në vullnetin e autorit ta shprehë, nëse bazohet diku në ide apo motive”, shprehet Shqiponja Dauti, specialiste juriste pranë QKK


Palëve u është paraqitur një akt ekspertimi nga anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Shaban Sinanaj, ekspert me njohuri të posaçme në fushën e letërsisë, skenarit dhe regjisë, i diplomuar në fushën e studimeve letrare, autor i më se 35 veprave shkencore dhe i më shumë se dhjetë skenarëve për filma dokumentarë. Gjyqtarja Shegani e ka thirrur si palë të tretë QKK-në, për të mësuar më shumë rreth procesit të financimit të një projekti filmik. “Projekti kinematografik i filmit me metrazh të gjatë “Bota” , është paraqitur një skenar në konkurrim. Në dokumente thuhet skenari: Iris Elezi, Thomas Logoreci. Nuk kemi ekspertë të studiojnë çdo skenar që paraqitet, nëse ka plagjiatura, lihet në vullnetin e autorit ta shprehë, nëse bazohet diku në ide apo motive”, shprehet Shqiponja Dauti, specialiste juriste pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, e cila përfaqëson institucionin ku punon në sallën e gjyqit. Gjyqtarja Shegani pyet më tej, se çfarë këqyr kjo qendër kur vendos të japë para për të financuar një aksh projekt, në këtë rast filmin “Bota”?

https://www.youtube.com/watch?v=AH57R25c0O4
Trailer i filmit "Bota" e regjisore Iris Elezi

“Mbetet në dorën e autorit ta deklarojë. Ky është një akt personal”, përsërit Dauti, ndërsa shton se pas premierës zyrtare, në vitin 2014, në Shqipëri, projekti nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë quhej i mbyllur. “Pastaj, producenti, në bazë të ligjit për kinematografinë, është pronar.” Qendra Kombëtare e Kinematografisë, e cila mbështet artin me grante nga paratë e rishpëndara të taksapaguesve, nuk heton diç më shumë sesa ato fletë skenari që i paraqiten, nëse është duke financuar në fakt një vepër, mbështetur tërësisht apo pjesërisht në një tjetër vepër artistike, pronësi intelektuale.


“Deri në atë moment ( të premierës) nuk kishin asnjë indicie. Ka raste të tjera kur merret vesh më parë dhe personi i interesuar ankimon”, thotë Dauti, ndërsa rrëfen se Maks Velo e ka vënë në dijeni institucionin, edhe me shkresë. “Por kur jemi vënë në dijeni, projekti ishte i mbyllur, projekti mbyllet me shfaqjen e premierës. E kemi gjykuar një konflikt civil, mes dy personash, jashtë qendrës, sepse nëntor të 2014-ës kemi mbyllur financimin dhe çdo detyrim kontraktor. Deri në realizimi ne premierës është përgjegjësia e qendrës. Nëse do të kishim pasur indicie më parë, ajo çka mund të bënim ishte pezullimi i financimit dhe palët në gjyq të vazhdonin mosmarrëveshjen.”

“E dorëzova kërkesën përpara se të dilte filmi, erdha tek ju (QKK), i dhashë drejtorit librin, ministres (së Kulturës), kur filmi ishte çuar në Itali për titrat.” - Maks Velo


Gjyqtarja ndërhyn sërish. “Po si mund ta vazhdonin palët gjyqin përpara se të dilte premiera e filmit, kur premiera është indicia?!”Maks Velo thotë se i është drejtuar në fakt Qendrës Kombëtare të Kinematografisë përpara se filmi të shfaqej premierë në kinema “Millenium”. “E dorëzova kërkesën përpara se të dilte filmi, erdha tek ju (QKK), i dhashë drejtorit librin, ministres (së Kulturës), kur filmi ishte çuar në Itali për titrat.”
Ajo çka Velo ka kërkuar nga ky institucion, që përveç financimit me të ardhura, ka certifikuar tashmë këtë prodhim kinematografik, që është një bashkëpunim mes Shqipërisë, Kosovës e Italisë, të kishte një ekspert letrar, i cili do të mund të verifikonte se në fakt në letërsi kishte një vepër krejt të ngjashme me skenarin e paraqitur nga çifti Elezi-Logoreci. “Ju nuk e keni bërë fare këtë punë moj zonjë. Këtu, një person implikon shtetin.
Tani shteti është kundër meje. E kupton apo jo? Ju jeni kundër meje që kam bërë burgun dhe kam bërë librin!”Gjaku dhe tonet nxehen, ndërsa nervat e Velos që prej dy vitesh, në këtë proces zvarritës për të dalë më në fund e drejta e tij, tendosen. “Keni përgjegjësi, duhet të kishit caktuar një njeri”, vijon ai. Në njëzet vjet që funksionon Qendra Kombëtare e Kinematografisë, thotë Shqiponja Dauti, rasti i Velos , por edhe një tjetër, që ajo nuk e specifikon, kanë vendosur precedent. “Pas kësaj, kemi vendosur që skenarët të regjistrohen në Drejtorinë e Së Drejtës së Autorit dhe të marrin certifikatë nga ata.”
Por gjyqtarja pyet nëse mjafton thjesht një certifikim i tillë për çështje komplekse si krijimtaria artistike? “Nuk mund të niseni thjesht nga një regjistrim (i pronës intelektuale), edhe sikur të ishte, duhet të bëni pjesë tuaj të hulumtimit”, i drejtohet gjyqtarja Shegani, përfaqësueses së QKK-së.


“Administrata (e QKK-së) përbëhet nga nëntë veta; nga këta tre janë punonjës shërbimi, një titullar dhe ne të tjerët jemi teknicienë për gjëra administrative”, përgjigjet Dauti.
Filmi me buxhet mbi shtatëqind mijë euro, është mbështetur me shumë prej 200 mijë eurosh nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, zbulon Dauti, ndërsa vazhdon diskutimin me Maks Velon edhe jashtë sallës së gjyqit, ku seanca e ardhshme lajmërohet të jetë më 17 dhjetor. Këshilli miratues i projekteve, një organ kolegjial pranë QKK-së është edhe ai që u jep viston e financimeve të gjithë atyre ideve e skenarëve që trokasin tek ky institucion për mbështetje. Asnjë prej tyre nuk e vërejti se skenari mund të kishte ngjashmëri në novelën e Maks Velos, botuar më 2004-ën, nga shtëpia botuese “Korbi”.
“Këshilli sheh skenarin a ia vlen, a është pasqyruar mirë, a ia vlen të bëhet film mbi këtë skenar dhe dokumentacionin administrativ.” Përtej kësaj nuk ka asnjë hulumtim të mëtejshëm, që i kapërcen edhe palët, edhe rastin në fjalë, duke rrezikuar të bëhet qesharak me financimin e veprave, që në fakt janë plagjiaturë. Edhe njeriu më i  thjeshtë mundet, pa lodhje,  të shohë ngjashmëritë e dukshme mes dy veprave, pasi ke lexuar novelën dhe parë filmin, ngjashmëri të pakredituara, ku autorit nuk i është njohur as autorësia as merita. Asgjë. Emri i tij nuk është në titrat e stafit realizues të filmit, as shkruhet gjëkundi se ideja është marrë nga libri i Maks Velos, ku autori ia pat dhuruar vetë një kopje regjisores Elezi, madje edhe e pat shpënë në atë fshatin në Karavasta, ku u frymëzua për të shkruar novelën e tij, të cilën dy vjet më parë e solli të plotësuar, në formën e një romani botuar nga “Mapo Editions”.

Iris Elezi dhe Thomas Logoreci


“Ishit miq Maksi, vetë ia ka dhënë librin dhe i ke treguar gjëra”, e mbyll bisedën me Velon, përfaqësuesja e QKK-së. Por, a duhet fajësuar i dëmtuari se u tregua i pakujdesshëm se i besoi dy njerëzve, që atëkohë i konsideronte miq? Nuk bëhej fjalë për dorëzimin e një dorëshkrimi, por një libër i botuar që autori ia dha çiftit të kineastëve si dhuratë. Pika kyçe e seancës në fjalë ishte akti i eksprtimit të zotit Sinanaj, që në një dokument prej 14 faqesh u është përgjigjur një sërë pyetjesh të drejtuara nga gjykata, në vërejtjet e hollësishme që i ka bërë si veprës letrare, ashtu edhe skenarit të filmit “Bota”.
“Kam mundur ta shoh edhe disa herë në televizor, pasi është transmetuar shpesh këto kohë në rrjetin televiziv kombëtar” , shkruan Sinanaj në hyrje të aktit të ekspertimit.
Në materialet e marra në dorëzim Sinanaj kishte një kopje të botuar të librit dhe tre variante të skenarit të filmit “Bota”. Këto tre variante, ka sqaruar më tej ai, edhe ia kanë vështirësuar punën krahasimore. Pyetjes nëse ngjashmëri të përsëritur dhe të pakundërshtueshme në kompozicionet e këtyre dy veprave, Sinanaj i përgjigjet: “Kompozicionet në një vepër letrare të shkruar e në një vepër kinematografike sinkretike janë të pakrahasueshme. Në një vepër letrare kompozicioni ngrin në çastin e botimit, kurse në një vepër kinematografike kompozicioni lëviz nga varianti në variant.”


Filmi Bota e gjeti të shpallur këtë prirje. Ky film, me mundësitë e shumëfishta të komunikimit, duke e rishpallur këtë pirje, ndikoi që libri i Maks Velos të vihej re e të dilte më në evidencë”, Sinanaj


Që nga viti 1992 e në vijim, detajon Sinanaj, në letërsinë shqipe ka pasur dhe vazhdon të ketë një vërshim të shkrimeve për fatin e pjesës më të lënduar të shoqërisë shqiptare në totalitarizëm, për fatin e të internuarve dhe të persekutuarve. Një prurje që disa e kanë pagëzuar si “burgologji” (Visar Zhiti) apo “letërsi sirtarësh” (Primo Shllaku, Agron Tufa, etj.)Vepra të tilla, thotë eksperti, janë me karakter pasatist, që do të thotë të drejtuara kah e shkuara. Model që sipas studiuesit është krijuar nga At’ Zef Pllumi, në librin “Rrno për me tregue”. “E para vepër letrare që njihet deri më sot në pikëpamjen kronologjike që ndryshoi kronosin e letërsisë dëshmuese, mbi persekucionin totalitarist në Shqipëri, është “Klubi Karavasta” e Maks Velos, një libër eseistik dhe publicistik, megjithëse autori nuk i ka përcaktuar as lloj e as nënlloj. Filmi Bota e gjeti të shpallur këtë prirje. Ky film, me mundësitë e shumëfishta të komunikimit, duke e rishpallur këtë pirje, ndikoi që libri i Maks Velos të vihej re e të dilte më në evidencë”, shkruan Sinanaj, duke e krahasuar mosmarrëveshjen në fjalë me historinë e emrit të Amerikës “Emri i zbuluesit të parë të kontinentit të ri, Kristofor Kolombo, kujtohet vetëm në librat e gjeografisë, kurse emri i të dytit AmericoVespuci është përditë në gojën e shkrimin e njerëzve.”


“Çështja ndërlikohet prej asaj që quhet meritë e të parit dhe në këtë rast edhe e të vetmit, deri në vitin 2004.” -Sinanaj


Në librin e Maks Velos, vëren Sinanaj, e shkuara është diçka dytësore. Themelor është fati i të dëbuarve, të padëshiruave, të internuarve, në kohën e sotme. Pyetja që shtron autori se ç’ndodh me banoret ishujve të izoluar në formën e fshatrave socialistë kur dolën në shoqërinë e lirë, është pyetje origjinale e tij. “Në film, qoftë vendosja e kronosit, nga e shkuara në të sotmen, qoftë pyetja për njeriun e mbetur në mes të tokës së askujt apo në mes të hiçit dhe, tokë e harruar janë të gatshme.”Ngjashmëria tjetër, e dukshme është edhe vendndodhja, që në gjuhën e ekspertizës së skenarit njihet me termin “topos”. “Sa i takon toposit, kushtëzimi është më i verifikueshëm. Në variantin e dytë të skenarit vendndodhja përcaktohet 16 km larg Fierit. Në një rast tjetër përmendet fshati Servan, shmangie e lehtë prej toponimit Savër në Myzeqe, qendër të persekutuarish po ashtu. Rilokalizimi i topikës së ngjarjes në film bëhet kryesisht me ndryshim, përshtatje emri, por jo domethënieje. Ashtu si në librin e Maks Velos, fshati është tetë ose dhjetë kilometër larg autostradës, kafeneja është institucioni që bashkon të gjithë karakteret, vendbanimi nuk është as fshat as qytet dhe këneta është e gjithëpushtetshme.”

"E para vepër letrare që njihet deri më sot në pikëpamjen kronologjike që ndryshoi kronosin e letërsisë dëshmuese, mbi persekucionin totalitarist në Shqipëri, është “Klubi Karavasta” e Maks Velos"


Nëse ndryshimi i kahjes së kohës në letërsinë për të internuarit, në periudhën totalitare, nga karakteri memoaristik dhe dëshmues në çështje të së sotmes, që bashkon librin “Klubi Karavasta” dhe filmi Bota do të kishte qenë një dukuri e përhapur dhe e konsoliduar e letërsisë dhe arteve, çështja do të kishte qenë shumë relative, thotë Sinanaj, sepse askush nuk ka monopol mbi një tematikë apo problematikë. “Çështja ndërlikohet prej asaj që quhet meritë e të parit dhe në këtë rast edhe e të vetmit, deri në vitin 2004.”
Sipas Sinanajt, Maks Velo është i pari që solli në letërsi fatin e ish-të internuarve pas rrëzimit të diktaturës, pas mbërritjes së pluralizmit. “Kronotoposi i njëjtë ka diktuar edhe bashkësinë e njëjtë prej së cilës dalin karakteret: njerëz të harruar në vendin e tyre të internimit, me histori të pabesueshme dhune e vuajtjesh, me kënetën që mban fshehur krimet , me njerëz të çuditshëm, me personazhe që kanë vendosur ta ndërtojnë jetën atje ku i kishte degdisur fati i keq, me të tjerë që kanë gjetur mënyrën të bëhen të suksesshëm, me të huaj misteriozë etj.”

"Në të dy veprat, janë të njëjtat rrethana kohore dhe vendore: gjendja e një fshati pa histori, krijuar për të dëbuar njerëzit e padëshiruar"


Tema e librit është pikërisht jeta e këtyre banorëve të të sektorit të një ish – ndërmarrjeje bujqësore lokalizuar në Karavasta, (Myzeqe, me sa duket një emërtim me shkas nga vizita bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare në fshatit Seman, ku në vitet ‘70 ishte për ca kohë i qarkulluar), krijuar për vendosjen e ish të internuarve, të cilët kanë mbetur në të njëjtin izolim ku kanë qenë, megjithëse koha ka ndryshuar dhe duhet të kishte sjellë ndryshime për ta. Njerëz të pajtuar me fatin dhe të zhgënjyer nga koha e re, që mundohen të rindërtojnë diçka për të ndryshuar të ardhmen, duke mos përjashtuar edhe përfshirjen në veprime të dënueshme. Personazhet janë kryesisht njerëz realë që besojnë në nismën private dhe kanë vendosur të bëjnë diçka pa pritur t’u vijë e mira nga lart; ish banorë të sektorit të NB-së, që i shesin njëri-tjetrit, pleq të harruar në mjerimin e vet, klientë të klubit Karavasta. “Në librin e Maks Velos nuk ka karaktere me vijimësi veprimi nga fillimi deri në fund. Ngjashmëria me karakteret e filmit bota është e dukshme jo prej krahasimit një nga një të tyre, por prej pamjes së përgjithshme të tyre”, shkruan anëtari i Akademisë së Shkencave. Po tema rreth së cilës sillet skenari i filmit “Bota”? Gjejeni pak! Banorë të sektorit të një ish ndërmarrjeje bujqësore që është lokalizuar diku në Myzeqe, në një vendbanim dikur ngulim i të internuarve, krijesë artificiale e periudhës totalitare, 10 km larg autostradës. Në film fshati quhet Servan, përkujtuesi i emërvendit Seman dhe Savër njëherësh. Ata kanë mbetur në të njëjtin izolim ku kanë qenë megjithëse koha ka ndryshuar dhe duhet të kishte sjellë ndryshime për ta. Më shumë se prej nismës vetjake, karakteret e filmit “Bota” përpiqen ta ndërtojnë jetën me të njëjtat forma të një shoqërie të vesit, si në gjithë periudhën e tranzicionit shqiptar.

Foto:Armand Sallabanda


Simetritë e gjetur mes dy krijimeve artistike, i pari letrar i dyti kinematografik, janë shumë; të persekutuarit, funksionarët e një kohe tjetër, i gjymtuari (çalamani Abedin në libër, memci Baku në film) Elsa, e cila bëhet Alba në film, me fat tragjik, kamarieri në libër,kamerierja në film, njeriu me qen, Hyrkë askushi, personazh në libër, me emrin Engjëll në film dhe personazhi i Norës, emri i së cilës mbetet i pandryshuar në film.
Ideja e librit, parashtron Sinanaj, është se njeriu i mësuar të jetë nën kontroll, në ditën e parë të lirisë nuk di çfarë të bëjë me të, sidomos kur shoqëria është hipokrite në sjelljen e vet: e vetmja shpresë është për ta ndërtuar jetën po aty, me mundësinë vetjake. Ideja në filmin “Bota” shmanget prej fatit të ish të persekutuarve pas ndryshimit të sistemit politik; sundimi i së keqes, keqpërdorimi i lirisë, sëmundjet e tranzicionit janë të njëjtat, si në këtë vendbanim njerëzish të vuajtur ashtu dhe në të gjithë pjesën tjetër të shoqërisë. “Në film është synuar kontrasti universal e gjithëkohor mes së mirës dhe së keqes, mes vesit dhe virtytit, mes nderit dhe jonderit, gjegjësisht Julit dhe Norës.”Historia e Elsës, në libër dhe, e Albës në film, janë të ngjashme. Në të dy veprat qeni kthehet në figurë me domethënie.Njeriu që vjen nga e kaluara në librin e Maks Velos, paraqitet si një ish oficer i Sigurimit që u ulet në tryeze klientëve të kafenesë, kurse në film është Bardhyli, redaktori, njeriu enigmatik që nuk ka nevojë të porosisë sepse i shërbehet e përhershmja. Në të tre variantet e skenarit është një afarist i huaj që zë vend jo të vogël në film, fillimisht gjerman, pastaj italian, në librin e Maks Velos është një komunist danez, që dëshiron të investojë në vendbanimin e tyre.


"Për një periudhë historike mund të shkruhen vepra pafund dhe asnjëra nuk i shkakton padrejtësi tjetrës. Por, kur një vepër zhvendos e para kohën dhe kahjen e saj, prish prirjet e përgjithshme, ajo është origjinalja dhe të tjerat janë vijuese të së mëparshmes.” -Sinanaj


“Në rrafshin e rrethanave dhe situatave, ngjashmëria është evidente”, thotë Sinanaj. “Në të dy veprat, janë të njëjtat rrethana kohore dhe vendore: gjendja e një fshati pa histori, krijuar për të dëbuar njerëzit e padëshiruar, në kohën kur banorët e tij fituan lirinë e lëvizjes dhe të qarkullimit, por rrethanat e sjellin në një mënyrë të tillë që, për paradoks, tani të mos duan vetë të kthehen diku, sepse e shkuara e tyre është shkatërruar kurse për të ardhme askush nuk mendon seriozisht. Megjithëse të gjithë sa vijnë për të qeverisur vendin, betohen se do t’i kenë prioritet. Në libër dhe në film nuk ka varre, megjithëse filmi hapet me shënjimin “jam në funeral”. Edhe Nora varroset në rërën e bregdetit. Në libër dhe në film varreza e vërtetë është këneta. Në libër dhe në roman është ndërtimi i autostradës shkaku që vë ish të internuarit në lëvizje. Në libër përshkruhen bunkerët e çuditshëm që, ndryshe prej vendeve të tjera, janë ndërtuar në ajër, mbi shtylla betoni, në film nuk ka bunkerë mbi shtylla, por një veturë qëndron në tarracën e katit të dytë të kafenesë . Në pikëpamjen estetike dhe sinematike përfytyrimi është i njëjtë, thjesht i transferuar: bunkeri absurd, i ngritur në shtylla betoni në lartësi; makina e parkuar në mënyrë absurde në tarracën e kafe Botës. Në libër bëhet fjalë për vrasje për para, në film po ashtu vrasja për para në të tre versionet është bartësja e të gjithë konfliktit.
Janë pikërisht rrethanat historike dhe vendore ngjashmëritë më të mëdha, që Sinanaj ka vërejtur në të dy veprat. “Për një periudhë historike mund të shkruhen vepra pafund dhe asnjëra nuk i shkakton padrejtësi tjetrës. Por, kur një vepër zhvendos e para kohën dhe kahjen e saj, prish prirjet e përgjithshme, ajo është origjinalja dhe të tjerat janë vijuese të së mëparshmes.”Nëse kjo ngjashmëri do të ishte pohuar, nga regjisorët dhe skenaristët e filmit, sipas Sinanaj nuk do të kishte pasur asnjë problem të etikës së krijimtarisë.

Studiuesi Shaban Sinanaj


“Njohja e meritës së të parit për një vepër shkencore apo krijuese, kur ajo është e vetme apo shumë e rrallë në tematikë, motive kronos-topos apo titull është themelore për kodin e deontologjisë, në këtë fushë. Për më tepër që shkrimtari Maks Velo librin e tij ka propozuar edhe personalisht për skenar”, shkruan Sinanaj.Periudha historike në të dy veprat artistike – libër dhe film – në plan sinkronik janë mes viteve 1992-1996 (diçka më tej në film), ndërsa në diakroni i referohen periudhës totalitare,vendi ku zhvillohen ngjarjet janë kafenetë (Karavastaja në libër, Bota në film), vendbanimi është në Myzeqe, afro 8-10-16 km larg autostradës, ka kallamishte, ka një zonë as fshat e as qytet, por ish-ndërmarrje bujqësore, ka kënetë e kallamishte…“Nuk ka huazime të drejtpërdrejta në formën e citimit, në pasazhe, në fjali, në fraza, dialogë. Por ka huazime të dukshme në frymë, përfytyrim, interpretim me imazh dhe mjete jogjuhësore të tjera, në përmbysje të mendimit, perfirazë, etj.”, zbulon eksperti. “ Kjo, në kuptimin e kësaj ekspertize ka kuptimin e “Të ndërtosh një variant tëndin mbështetur mbi origjinalin”, sigurisht duke krijuar një vepër letrare, fati i së cilës është i kushtëzuar prej një vepre tjetër, më të hershme, pa e përmendur atë.”

"Ka huazime të dukshme në frymë, përfytyrim, interpretim me imazh dhe mjete jogjuhësore të tjera" - Shaban Sinanaj


Sipas ka dalë në mendimin se, filmi Bota është një vepër e realizuar duke e pasur librin “Klubi Karavasta” shkas dhe nxitje. “Libri është përdorur si shkas, nxitje, përfytyrim, motiv, kthesë origjinale në trajtimin e fateve të ish të persekutuarve, si mjedis, si rrethanë kohore. Si situatë mendimi e meditimi, si frymë e si kontekst bashkësie. Në raport me këtë libër, filmi “Bota”, në një shkallë të kushtëzuar, është ndërtuar si variacion mbi një temë të njohur, origjinale, që gjendet në librin e sipërcituar. Saktësojmë se libri është përdorur, jo keqpërdorur. Nëse do të kishte pasur mirëkuptim midis dy palëve, duke qenë se secila në llojn e vet ka një pavarësi relative, çështja mund të ishte zgjidhur sipas deontologjisë në shkencë e krijimtari…”Do të kishte qenë ndryshe çështja nëse do të citohej në një formë apo tjetër se filmi  është mbështetur në një apo disa motive të librit të Maks Velos “Klubi Karavasta” apo se ideja e filmit ishte e Maks Velos ndërsa skenari i Iris Elezit dhe Thomas Logorecit.

Botim i ri i librit "Klubi Karavasta", 2016


Një tjetër ekspert i thirrur nga gjykata e rrethit Tiranës – edhe Shaban Sinanaj shkruante në aktin e tij të ekspertimit se çështjes i lipsej edhe një ekspert i arteve pamore – ishte edhe regjisorit Joni Shanaj, pedagog në Universitetin e Arteve.
Shanaj në fillim të aktit të tij të ekspertimit thekson se do të ishte më në dobi të çështjes nëse do të thirrej një ekspert antropolog nga Instituti i Antropologjisë Kulturore. Duke iu përgjigjur të njëjtave pyetje, drejtuar më herët zotit Sinanaj, Shanaj përgjigjet se nuk mendon që mes dy veprave - librit “Klubi Karavasta” dhe filmit “Bota” - ka ngjashmëri të përsëritur dhe të pakundërshtueshme.


“Në lidhje me ngjashmërinë mes personazheve situatave, rrethanave, opinioni im është se në veprën filmike Bota mund të ketë ngacmime artistike, të cilat mund të korrespondojnë me ndonjë segment në librin “Klubi i Karavasta”, por në gjykimin tim , nuk mund të flitet për plagjiaturë.”Sipas Shanajt, as ideja e librit nuk është materializuar në idenë e skenarit të filmit. “Mund të jetë ngjashmëri ndërmjet periudhave historike të trajtuar në të dy veprat, edhe pse filmi “Bota” trajton në mënyrë eluzive bashkëkohësinë e momentit kur është realizuar filmi dhe nuk specifikon kohë dhe datë të saktë të zhvillimit të ngjarjeve në të.”Në konkluzionin e aktit të tij të ekspertimit, Shanaj shkruan se përtej ndonjë ngacmimi artistik, filmi “Bota” nuk mund të konsiderohet plagjiaturë e veprës letrare “Klubi Karavasta”. “Sa i përket ngacmimit artistik, gjë për të cilën mund të diskutohet pafundësisht në historinë e artit, letërsisë, muzikës dhe kinematografisë është tepër e vështirë në cilësinë time si krijues dhe pedagog i lëndës Regji Filmi dhe TV, të përcaktoj detyrime ligjore të artistit dhe krijuesit, përveçse të pohoj se, ngacmimet artistike në historinë e artit, letërsisë, muzikës dhe kinematografisë janë të pashmangshme dhe pjesë integrale të historikut të këtyre gjinive”.Po ç’mund të thuhet për qindra e qindra filma me skenarë të mbështetur qoftë edhe vagullt në vepra letrare që vendosin kreditet e veprës dhe autorit qoftë edhe në një motiv të vetëm?!


“E kam parë tri filma titulluar “Ana Karenina” deri më tani”, thotë Maks Velo “të tre me funde të ndryshëm. Një madje as nuk e kishte skenën e fundit me vetëvrasjen në shinat e trenit. Por në secilën prej tyre, shkruhej “Leon Tolstoy”, thotë ai duke iu referuar kryeveprës të shkrimtarit rus. Librat që ekranizohenn, janë një pjesë thelbësore e totalit të filmave, që janë realizuar në këta 18 vjet të shekullit të 21-të. Në 2015-ën, përqindja shkonte në pesëdhjetë e pesë, një tregues se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë filma, bazuar në libra.Gjatë premierës në Tiranë, më 2014-ën, Iris Elezi qe shprehur se për të shkruar skenarin e këtij filmi i janë dashur më shumë se tre vite kohë dhe kërkime. E pyetur nga Maks Velo në sallën e gjyqit, në të vetmen seancë që ajo qe e pranishme, thotë ai, sesa kampi internimi kishte pasur në Shqipëri gjatë diktaturës, Velo thotë se ajo nuk e dinte. Sipas tij, pa shkruar ende skenarin, vetëm pasi lexoi librin e tij dhe me një sinops mbi të, Elezi aplikoi për financime të huaja me idenë për të realizuar një film dhe fitoi. “Menjëherë i dhanë pesëmbëdhjetë mijë euro vetëm me atë sinops, kurse unë për tre libra që kam shkruar, nuk kam marrë asnjë lek”, thotë i indinjuar ai, pasi largohet nga gjykata.
“Po si mund të shkruhet skenari pa pasur asnjë informacion? Unë për librin, përveç asaj që dija dhe kisha jetuar jam konsultuar me miq, shkrimtarë, studiues.”
Procesi ende nuk është mbyllur. Sesi do të rrjedhë mosmarrëveshja mes palëve, nëse në një vend që plagjiatura ngjitet deri në rangjet e larta (si rasti i doktoraturës së ish – zëvendësministrit të Arsimit) a do t’ia njohë më në fund gjykata cenimin që i është bërë së drejtës së autorit Maks Velos apo gjykatat do t’i ndërmendin gjithnjë ato kujtimet e hidhura, të kohës kur çekiçi i përplasur në tryezë e dërgonte me burg në Spaç? Në këtë rast mbetet të thuhet: Vijon…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë