Mendim

Donacionet modeste të pritshme, Procesi i Berlinit e ka “aneksuar” Tiranën

Edhe pse Kryeministri Edi Rama, pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih do ti shfrytëzonte ditët për të tërhequr sa më shumë donatorë për Shqipërinë, ai do të shprehej jo optimist për rezultatin. “Nuk bëhet fjalë për të arritur që të përmbushim të gjitha nevojat, por sidoqoftë të mbetemi në një nivel, që sado modest, të mund të ketë një peshë në këtë proces”, do të shkruante kryeministri Rama në Facebook.
Ndihma modeste ndaj Shqipërisë nga BE-ja deri diku duhet të ishte e pritshme, duke marrë parasysh edhe "ankesimin" që i është bërë në Procesin e Berlinit.

Në total, në 4 vitet e fundit, vendi ynë ka arritur të thithë vetëm 214 milionë euro investime nga axhenda europiane për Ballkanin, në fushën e transportit dhe energjisë duke u renditur e fundit krahasuar me të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Këto projekte përkojnë me disa linja interkonjeksioni, rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas dhe disa përmirësime në Portin e Durrësit. Nga ana tjetër, Maqedonia ka përfituar 272 milionë euro, Kosova 330 milionë euro, Mali i Zi 399 milionë euro, Serbia plot 627 milionë euro, e madje Bosnje-Hercegovina mbi 1 miliard euro.

Duke kujtuar edhe Samitin e Fundit të Poznanit në muajin korrik, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut do të dilnin më të fituarat, me nga 3 projekte të zgjedhura në fushën e transportit dhe gazit natyror. Po ashtu dhe Kosova do të përfitonte 27 milionë euro, dhuratë për linjën hekurudhore, ndërsa Serbia do të ndërtonte një linjë të re interkonjeksioni.

Shqipëria nuk paraqiti asnjë projekt në këto fusha të preferuara pas ezaurimit të projekteve me PPP, duke mos marrë asnjë grant nga BE për ndonjë projekt të mundshëm.

Në këtë mënyrë, Tirana, për të gjashtën herë radhazi do të kthehej duarbosh nga samiti i Procesit të Berlinit, pa ndonjë projekt konkret mbi të cilin mund të investohej.

Për "aneksimin" e Shqipërisë nga Procesi i Berlinit pak kohë më parë do të fliste edhe ish ministri i jashtëm Ditmir Bushati, i cili do ta shihte këtë mënjanim më së shumti në aspektin politik.

“Ka dy dimensione për sa i përket Procesit të Berlinit. I pari është dimensioni politik. Është një proces, i cili lindi për t’i ofruar një mundësi vendeve të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën, për të ndërtuar një proces më të strukturuar bashkëpunimi me vetë BE-në në kushtet kur vetë presidenti i Komisionit Evropian, Juncker e kishte shpallur publikisht që gjatë mandatit 5-vjeçar të komisionit të tij nuk do të kishte një proces të zgjerimit të Bashkimit Evropian”- do të thoshte Bushati në një komunikim publik.

Për të, kur kancelarja Merkel dhe Gjermania patën aftësinë dhe vizionin strategjik për të kuptuar që kyçja sidomos e Beogradit dhe Tiranës apo Tiranës dhe Beogradit si dy pole të ndryshme stabiliteti në një proces afrimi, do të ndihmonte të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për të reduktuar diferencat dhe për të bashkuar forcat drejt projekteve të përbashkëta të karakterit ekonomik, infrastrukturor e kështu me radhë. Pra lindi si një proces që në mënyrë të pashkruar kishte si dy akse kryesore Tiranën dhe Beogradin.

Mendoj, do të shprehej Bushati, që duhet të analizojmë që pse Samiti i radhës do të drejtohet nga Shkupi dhe Sofja. "Pse kemi këtë lloj zhvendosje 4-5 vjet pas nisjes së këtij Samiti. Sepse mendoj, që simbolika politike është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Më pas mund të vijmë te çështje të natyrës ekonomike apo projekte të përbashkëta. Nuk mund dhe nuk do të ishte e drejtë që të analizohej thjeshtë Samiti i Poznanit si i veçuar përkarshi samiteve të tjera që janë zhvilluar më përpara. Ne dimë që kemi zyrën e Bashkëpunimit Rinor me qendër në Tiranë dhe është krejt normale që i njëjti diskutim ka qenë në Serbi që pse u vendos Tirana që të jetë vendi ku do ketë selinë kjo nismë e rëndësishme rajonale dhe jo Beogradi, Sarajeva, Shkupi, apo Prishtina”, ka thënë Bushati

Duke folur për projektet infrastrukturore, ai do të thoshte se “Cilat janë projektet që janë paraqitur nga Shqipëria? Nëse ka pasur, pse nuk janë mbështetur e kështu me radhë. Por, mendoj që simbolika politike e këtij procesi është shumë e rëndësishme për tu analizuar sepse ekonomia në një farë mënyrë apo tjetër është konsekuence e kësaj simbolike politike,”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë