Mendim

Dilemat e BE/ Qeveritë e Ballkanit s’po i rezistojnë dot krimit për të ndalur reformat në Drejtësi

Shtyrja për të dytin vit radhazi e hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut jo vetëm që ka zhytur rajonin në pesimizëm, por kjo ka filluar të ketë ndikim edhe te reformat e marra nga vendet e rajonit. Analistët vlerësojnë se nëse unioni nuk ofron një perspektivë të qartë për anëtarësim, asnjë prej qeverive të Ballkanit Perëndimor nuk ka të ngjarë t’i rezistojë presionit të krimit të organizuar për të ndalur këto reforma.

Sytë e të gjithëve tani janë nga Këshilli Evropian dhe mbledhja e tij e tetorit edhe pse askush nuk ka asnjë garanci për marrjen e një vendimi në vjeshtë. Disa liderë të BE-së do të përdorin justifikimin e rinovimit të institucioneve të BE dhe traumën e BREXIT për të kërkuar vonesa të mëtejshme në agjendën e zgjerimit të BE-së. Në veçanti Presidenti francez ka përsëritur besimin e tij se BE-ja duhet së pari të përqendrohet në reformat e veta para se të kërkojë zgjerim të mëtejshëm.

Refuzimi për të ndjekur rekomandimet e Komisionit Evropian është një kujtesë e qartë se deri në çfarë mase e ka humbur unioni europian rolin e tij udhëheqës kundrejt shteteve anëtare dhe ndikimin negativ që kjo ka në politikën e jashtme të BE-së.

Dokumenti Strategjik i Komisionit Evropian i botuar në shkurt 2018 mbi zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor ishte një përpjekje e guximshme por e vonuar. Mesazhi politik drejtuar shteteve anëtare ishte i qartë: "Perspektiva e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor është në interesin politik dhe ekonomik të Bashkimit Europian". Më pas, Komisioni propozoi një sërë reformash kritike për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, sic ishte ajo në Drejtësi në vendin tonë. Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të ndryshuar pikëpamjet e Presidentit Macron dhe shteteve të tjera anëtare që fshihen pas francezëve duke bllokuar Ballkanin Perëndimor të ecë përpara.

Angela Merlel dhe liderët e Ballkanit Perëndimor

Kjo ambivalencë e vazhdueshme në qëndrimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor do t'u shërbejë vetëm interesave të atyre udhëheqësve në Ballkan që po përpiqen të pengojnë reformat për sundimin e ligjit. Sa më shumë fytyra të ketë angazhimi i BE-së ndaj Ballkanit, aq më shumë do të keqpërdoret nga elitat politike, për të mos përmendur rrjetet kriminale që përfitojnë nga sundimi i dobët i ligjit.

Zgjidhja e vetme qëndron tek Presidentja e re e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesit të ri të Lartë të Politikës së Jashtme dhe prioritetit që duhet t'i jepet angazhimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor gjatë mandatit pesë vjeçar. Emërimi i një Komisioneri përgjegjës për negociatat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor do të çonte në një farë mënyre drejt rikthimit të rolit udhëheqës të Komisionit Europian në rajon dhe përfundimit të Reformës në Drejtësi.

Parlamenti Evropian duhet gjithashtu të jetë në ballë të kësaj shtytjeje të përtërirë në mbështetje të Ballkanit Perëndimor. Në vend që t'i mbrojë liderët e Ballkanit Perëndimor që përpiqen të vonojnë reformat apo edhe ato që janë nën hetime për sjellje kriminale, Parlamenti duhet të jetë i pari që të flasë dhe t’i kërkojë llogari. Ndërkohë, vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë, nëse duan të ndalojnë ikjen e brezit të ri që vazhdon të kërkojë fatin e tyre diku tjetër.

Po ashtu, ekspertët kanë kërkuar prej kohësh që BE-ja dtë flasë hapur dhe me emra të përvecëm për kapjen e shtetit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Sundimi i ligjit duhet të mbetet prioriteti përfundimtar kur është fjala tek zgjerimi. Nuk duhet të ketë stabilitokraci dhe asnjë mbështetje për të fuqishmit. BE duhet të emërojë në mënyrë eksplicite ata që shkaktojnë kapjen e shtetit” thotë Vladimir Međak, nënkryetar i Lëvizjes Evropiane të Serbisë.

“Sjellja jodemokratike po tolerohet nga BE-ja për hir të stabilitetit, por kjo gjë duhet të ndryshojë nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duan të transformohen, stabilizohen dhe integrohen siç duhet në BE “, deklaroi ai.

Edi Rama dhe Emmanuel Macron

Sipas Bankës Botërore, “kapja e shtetit ndodh kur elita qeverisëse ose biznesmenët e fuqishëm “kapin” ose përcaktojnë politika për të ndryshuar ligjet dhe rregullat në avantazhin e tyre. Kapja e shtetit është forma më e lartë e korrupsionit e karakterizuar nga aleanca sekrete. Ai mund të shfaqet në dy forma: kapjen e korporatave shtetërore për përfitime private dhe kapjen e partive politike po për përfitime private.

Shumë ekspertë rajonalë thonë se Ballkani ka nevojë për një BE që nxjerr në pah publikisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë problemet e rajonit. Ata thonë se kapja e shtetit nënkupton një gjendje të korrupsionit të përhapur dhe shfrytëzimin e burimeve publike për përfitime private, duke neutralizuar mekanizmat e kontrollit, qoftë me mjete ligjore qoftë në mënyrë të paligjshme.

Jelena Pijic, analiste serbe thotë se megjithëse raportimi brenda procesit të pranimit në BE tashmë është mjaft voluminoz dhe kompleks, disa nga raportet nuk janë në dispozicion të publikut dhe ato që publikohen përdorin fraza diplomatike dhe formulime të kujdesshme që nënkuptojnë kapjen e shtetit, por nuk i referohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në Serbi partia në pushtet po shet interesat e saj si interesa publike (dhe kombëtare); proceset themelore demokratike, si zgjedhjet dhe puna e parlamentit kontrollohen nga shteti, drejtësia dhe administrata publike janë bërë gjithnjë e më të politizuara; politikanët në pozita të larta akumulojnë kompetenca diskrete; liria e mediave nuk ekziston; përfaqësuesit e opozitës, shoqëria civile, institucionet e pavarura, akademia dhe gazetarët që shprehin kritika ndaj politikave zyrtare anashkalohen dhe sulmohet”, thotë ajo. “Më alarmues është fakti se këto sulme ndaj demokracisë ndodhin ndërkohë që negociatat vazhdojnë, edhe pse nuk ka pasur reforma thelbësore. Përkundrazi, qeveria duket se po vepron nën maskën e negociatave”, thekson Pijic.

/Marrë me përshtatje nga "European Western Balkans"/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë