Komunitet

Sa shëndetshëm hanë shqiptarët?

Konsumojnë pak fruta dhe perime, jodi në mungesë

Dita Botërore e Ushqimit kremtohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) çdo vit në datën 16 tetor (datë kur u krijua FAO në 1945). Kjo ditë organizohet që prej 1981 dhe synon të sensibilizojë politikëbërësit mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqënien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve. Njerëzit në mbarë botën, ashtu si dhe në Shqipëri, tani po konsumojnë ushqime me më tepër energji, yndyrna, sheqerna dhe kripë/natrium. Përveç shqetësimit të ekspertëve, kjo ka sjellë shtim të sëmundjeve të tilla si diabeti, sëmundjet e zemrës, ishemitë apo tumoret.

Sipas nutricionistes Blerina Bombaj, një pjesë dërrmuese e njerëzve dhe veçanërisht fëmijëve, ushqehen shumë keq. “Kjo duket qartazi në koshat e supermarketeve, në ushqimet e ofruara jashtë kangjellave të shkollave, në ushqimoret e lagjeve, në festat e ndryshme dhe më së shumti në ambalazhet e hedhura përtokë rrugëve të fshatrave. Fëmijët e kanë tashmë stil jetese konsumin e përditshëm të ushqimeve industriale, që një Zot e di nga vijnë dhe çfarë kanë brenda. Duket se këta fëmijë e konsiderojnë pjesë të kënaqësisë dhe shpërblimit, konsumin e ëmbëlsirave, patatinave, çibukëve, lëpirëseve, akulloreve, çokollatave, biskotave dhe lëngjeve të sheqerosur dhe ngjyrosur”, shkruante para disa kohësh ajo në një status të sajin në Facebook. Sipas saj, duke marrë parasysh edhe standardin e jetesës në zonat rurale, kuptohet që çmimi i këtyre ushqimeve është aq i lirë sa të jetë i përballueshëm. “Por çfarë përmban ai ushqim që është aq i lirë? A e dinë këta prindër se po u helmohen fëmijët çdo ditë?? A e dinë ata që rastet e diabetit të fëmijëve që paraqiten në QSUT janë shumëfishuar krahasuar me vite më parë dhe diabeti është vetëm një nga sëmundjet kronike në shtim? A e dinë ata se çfare kosto ka sëmundshmëria për fëmijën dhe familjen e tij? A e dinë ata se ushqimet që prodhohen në fabrikë, kanë si qëllim fitimin dhe jo shëndetin e fëmijës së tyre? A e dinë ata se nënat tona nuk do na ushqenin kurrë me patatina? Jo! Nuk e dinë, sepse asnjë prind nuk e do të keqen e fëmijës së tij. Por është detyra e shtetit, detyra e profesionistëve dhe detyra e të gjithëve ne, të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij fenomeni. Ju lutem, promovoni traditat tona, ushqimet që na kanë rritur ne, ushqimet e tokës sonë dhe të duarve tona!”, shkruante Bombaj.

Por çfarë do të thotë të ushqehesh shëndetshëm dhe sa shëndetshëm ushqehen shqiptarët?

Sipas të dhënave nga një raport i Institutit të Shëndetit Publik, shumë njerëz në vendin tonë nuk hanë mjaftueshëm fruta, perime si dhe fibra të tillë si drithërat e plota.

Përbërja e saktë e një diete të larmishme, të balancuar dhe të shëndetshme varion bazuar në karakteristikat individuale (p.sh mosha, gjinia, stili i jetesës dhe niveli i aktivitetit fizik), konteksti kulturor, ushqimet që disponon vendi si dhe zakonet dietike. Megjithatë, parimet bazë të një diete të shëndetshme mbeten të njëjta.

Për të rriturit një dietë e shëndetshme përfshin:

Frutat, perimet, bishtajoret, arra, drithëra.

- Të paktën 400 gr (5 porcione) fruta dhe perime në ditë.

-Më pak se 10% e konsumit të përgjithshëm të energjisë nga sheqeri i shtuar (ekuivalent me 50 gr ose me rreth 12 lugë çaji) për një person me peshë të shëndetshme trupore që konsumon rreth 2000 kalori në ditë.

 -Më pak se 30% e konsumit të përgjithshëm të energjisë nga yndyrnat.

Yrndyrnat e pasaturuara (që gjenden në peshk, avokado, arra, farat e lulediellit, soja dhe vaji i ullirit) janë më të preferuara kundrejt yndyrnave të saturuara (që gjenden në mishin me yndyrë, gjalpë, vaji i palmës dhe i kokosit, krem, djathë dhe sallo), si dhe kundrejt gjithë ynryrnave-trans të prodhuara në mënyrë industriale (që gjenden në ushqime të pjekura e të skuqura, si dhe ushqime të pregatitura të paketuara të tilla si pizza të ngrira, byrek, biskota, vafer, etj).

Trans-yndyrnat e prodhuara në menyrë industriale nuk janë pjesë e një diete të shëndetshme dhe duhen shmangur.

-Më pak se 5 gr kripë (ekuivalente me një lugë çaji) në ditë. Kripa duhet të jetë e jodizuar.

Për foshnjat dhe fëmijët e vegjël: Në dy vitet e para të jetës së fëmijës ushqyerja optimale nxit rritjen e shëndetshme si dhe përmirëson zhvillimin konjitiv. Gjithashtu redukton riskun për t’u bërë mbipeshë ose obez, si dhe për të zhvilluar sëmundje kronike në të ardhmen. Këshillat për një dietë të shëndetshme për fëmijët janë të ngjashme me ato për të rriturit, por elementët e mëposhtëm janë gjithashtu të rëndësishëm:

• Foshnjat duhen ushqyer vetëm me gji gjatë 6 muajve të parë të jetës.

• Foshnjat duhet të vazhdojnë ushqyerjen me gji deri në moshën 2 vjeçare.

• Pas 6 muajve, përveç qumështit të gjirit duhen shtuar një shumëllojshmëri ushqimesh të përshtatshme, të sigurta e të pasura me lëndë ushqyese. Kripa dhe sheqeri nuk i duhen shtuar ushqimeve plotësuese.

Konsumi i ulët i frutave dhe perimeve

Konsumi i së paku 400 gr ose 5 porcioneve fruta dhe perime në ditë redukton rrezikun e sëmundjeve jo të transmetueshme dhe ndihmon në sigurimin e sasisë ditore të rekomanduar të fibrave dietike. Konsumi i frutave dhe perimeve mund të përmirësohet nëpërmjet përfshirjes së tyre në vaktet ushqimore, ngrënies së frutave e perimeve të papërpunuara si snack, ngrënies së tyre gjatë sezonit dhe rritjes së shumëllojshmërisë. Rekomandohet që një person të konsumojë çdo ditë, tre apo më tepër porcione me fruta dhe katër apo më tepër porcione me perime (U.S Department of Health and Human Services 2018).

Në një studim të fundit në Shqipëri, për pjesëmarrësit e përfshirë në studim, është vlerësuar edhe konsumi i frutave dhe perimeve në ditë.

Konsumi i rekomanduar nga pjesëmarrësit në sudim ishte i ulët si tek burrat edhe tek gratë, pavarësisht moshës, vendbanimit, shkallës së edukimit apo të ardhurave familjare.

Vetëm rreth 5% e femrave dhe 2% e meshkujve të grup-moshës 15-49 vjeç kishin konsumuar sasinë e rekomanduar të frutave dhe perimeve në ditën para studimit.

Për të vlerësuar konsumin e frutave dhe perimeve, të intervistuarit u pyetën nëse kishin konsumuar ndonjë frut apo perim në ditën para kryerjes së studimit (sa porcione me fruta dhe sa me perime).

Tridhjetë e shtatë përqind e grave të moshës 15-49 vjeç dhe 14% e burrave të po kësaj grup-moshe kishin konsumuar sasinë e rekomanduar të frutave (3 ose më shumë porcione) në ditën para studimit. Pak më tepër se 80% e burrave dhe grave kishin konsumuar një deri në tre porcione perime në ditë, por vetëm 7% e grave dhe 3% e burrave 15-49 vjeç kishin konsumuar numrin e rekomanduar të porcioneve me perime (katër ose më shumë) në ditën para studimit.

Raporti thekson se burrat më tepër sesa gratë janë më të predispozuar për të mos konsumuar asnjë porcion me fruta. Konsumi i asnjë porcioni me fruta në ditë është i lidhur me statusin arsimor dhe nivelin e të ardhurave si për burrat edhe për gratë.

Përqindja e moskonsumit të frutave ulet tek të dy gjinitë me rritjen e nivelit arsimor, si dhe me rritjen e të ardhurave familjare.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për moskonsumin e perimeve, ku më të prirur për moskonsumin e asnjë porcioni me perime janë “adoleshentët krahasuar me të rriturit, ata që banojnë në zonat rurale krahasuar me zonat urbane, ata pa arsim apo arsim fillor, si dhe ata që i përkasin quintilit më të ulët të pasurisë.”

Burrat krahasuar me gratë janë më të prirur për të mos konsumuar asnjë procion me perime sipas gjithë karakteristikave sociodemografike të marra në studim.

Ekspozimi ndaj kripës së jodizuar

Ç’rregullimet nga mungesa e jodit (IDD) përbëjnë një shqetësim global të shëndetit publik. Prania e jodit në dietën ushqimore të fëmijëve të vegjël dhe grave shtatzëna është thelbësore për zhvillimin e trurit të fëmijës. Për këtë arsye sugjerohet që të përdoret kripa e përforcuar me jodi.

Gratë shtatzëna kanë nevojë për 50% më tepër jod se gratë e tjera për të siguruar sasinë e nevojshme të jodit për fëmijën e tyre. Pamjaftueshmëria jodike gjatë shtazënisë mund të rezultojë në vdekje fetale, aborte spontane, apo anomali kongenitale të tilla si kretinizmi (formë e rëndë defekti neurologjik).

Sipas UNICEF, është vlerësuar se aktualisht 66% e familjeve në mbarë botën përdorin kripë të jodizuar. Ndërkohë në Shqipëri, referuar dy studimeve në kohë të ndryshme është matur përmbajtja e sasisë së jodit në kripën që përdoret për gatim nga familjet e intervistuara, duke përdorur një test të shpejtë. Nga krahasimi i matjeve në dy studimet u vu re se numri i familjeve që përdorin kripë të jodizuar ka rënë nga 76% në 2008-09 në 65% në 2017-18.

Ndërkohë, sasia e kripës së konsumuar nga popullata vlerësohet përmes matjes së natriumit të eksretuar në urinë dhe në Shqipëri nuk ka ende studime të kryera në këtë fushë, për shkak të kompleksitetit që kërkon kryerja e këtyre analizave. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë