Jete & Stil

Humbja e peshës nuk i bën njerëzit më të shëndetshëm

Një studim i ri, i publikuar në revistën iScience ka treguar se shëndeti i përgjithshëm nuk mund të përcaktohet nga pesha dhe se kilet e tepërta ndonjëherë mund të jenë të nevojshme.

"Ne duam që njerëzit të dinë se dhjami mund të jetë i nevojshëm dhe se trupat në të gjitha format dhe madhësitë mund të jenë të shëndetshëm”, tha studiuesi Glenn Gaesser NGA Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Ekipi zbuloi se është rritur ndjeshëm numri i personave obezë në botë gjatë dekadave të fundit, gjithashtu është rritur edhe numri i njerëzve që vdesin nga sëmundjet e zemrës e cila shpesh është e lidhur me dietën dhe stërvitjen.

Në të njëjtën kohë, prevalenca e njerëzve që përpiqen të humbin peshë është rritur gjithashtu. Që nga vitet 1980, të paktën 40% e grave dhe 25% e burrave kanë mbajtur dietë për të humbur kile. “Çfarëdo që ne po bëjmë të gjithë tani nuk po funksionon dhe jo domosdoshmërish njerëzit janë bërë më të shëndetshëm”, thotë Gaesser.

"Përqendrimi intensiv në humbjen e peshës nuk ka parandaluar shtimin e tepërt të peshës në dekadat e fundit. Për më tepër, përpjekjet e përsëritura për humbjen e peshës mund të kontribuojnë në shtimin e peshës dhe pa dyshim mund të shkaktojnë probleme shëndetësore”, shkruhet në studim.

Studiuesit analizuan qindra studime duke parë se si humbja e peshës, stërvitja dhe jetëgjatësia përshtaten së bashku, duke u përqendruar në mënyrë specifike në hulumtimet që shqyrtuan rezultatet shëndetësore te njerëzit që konsideroheshin mbipeshë ose obezë.

Sipas studiuesve, në të vërtetë njerëzit që janë obezë mund të kenë një rrezik më të ulët të vdekjes së parakohshme sesa ata që janë me peshë normale por jo në formë të mirë.

Fuqia e aktivitetit fizik

Në zhargonin mjekësor, koncepti i të qenit "i aftë dhe i shëndoshë" shpesh quhet shëndoshje metabolikisht e shëndetshme, ose MHO. Pra, mund të jeni mbipeshë bazuar në BMI-në tuaj, por të mos keni ndonjë faktor rreziku të sëmundjeve kardiovaskulare, presion të lartë gjaku ose kolesteroli.

Studimet e mëparshme kanë treguar se njerëzit që janë mbipeshë nuk kanë më shumë gjasa të kenë një problem në zemër ose goditje në tru sesa ata që nuk janë. Por njerëzit që kanë nivele të ulëta aktiviteti janë më të rrezikuar, megjithëse jo të gjitha kërkimet mbi këtë temë kanë arritur në të njëjtin përfundim.

Rritja e aktivitetit nuk do të thotë të shkosh për vrapime të gjata ose të ngresh pesha. CDC rekomandon që të rriturit kanë nevojë për 150 minuta aktivitet aerobik me intensitet të moderuar në javë si dhe të paktën dy ditë në javë aktivitete për forcimin e muskujve. Ecja e shpejtë ose shtyrja e një makinerie llogaritet si ushtrim aerobik, për shembull dhe joga llogariten si ushtrim forcues, sipas CDC.

"Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se lloje të ndryshme të trupit reagojnë ndryshe ndaj llojeve të veçanta të stërvitjes", tha Hemalee Patel, mjek.

Pra, një person mund t’i përgjigjet më mirë stërvitjes HIIT sesa dikush tjetër kështu që është shumë e rëndësishme që njerëzit të dinë mirë se çfarë lloj stërvitje është për to.

Zhvendosja e fokusit nga numrat në peshore tek ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik mund të ndihmojë shumë në minimizimin e stigmës së peshës, e cila është e përhapur dhe mund të ndikojë shumë në shëndetin mendor të njerëzve dhe shëndeti mendor, natyrisht, është po aq i rëndësishëm për mirëqenien e përgjithshme sa shëndeti fizik.

"Ne nuk jemi domosdoshmërish kundër humbjes së peshës. Ne thjesht mendojmë se nuk duhet të jetë kriteri kryesor për të gjykuar mënyrën e jetesës së një personi”, tha Gaesser.

Burimi: Huffington Post. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë