Mendim

Dialogu Kosovë-Serbi mund të hyjë në një proces gati të pafund

Nga Augustin Paloka – Në BE, kur Lajçak mori mandatin, paralajmëronin një dialog dinamik dhe një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë për një kohë të shkurtër. Kjo, krahas angazhimit të Francës dhe Gjermanisë në nivelin më të lartë për këtë çështje, bënte që vazhdimi i dialogut të dukej ndryshe nga qasja që BE-ja e kishte në dhjetë vjetët e fundit. Lajçak në gjashtë muaj, gjysma e mandatit që gjithsesi do t’i vazhdohet, ka dëshmuar pikërisht të kundërtën – se nuk ka asnjë ndryshim në qasje të BE-së, se BE-ja “nuk ka afate artificiale”, se “nuk shkruan receta të zgjidhjes”, se “BE-ja është vetëm lehtësues”, se “u takon vetë palëve të vendosin për temat” etj. Serbia ka interes ta vazhdojë dialogun për një kohë të gjatë, BE-ja nuk do të ketë asgjë kundër, ndërsa Kosova do të pësojë. Sepse dialogu është për Kosovën. Nëse njerëzit kryesorë të BE-së që “lehtësojnë dialogun” vërtet mendojnë se BE-ja do ta trajtojë Kosovën si shtet vetëm pasi ta njohë Serbia, atëherë vetëm do ta inkurajojnë Serbinë që të mos e njohë Kosovën
Kanë kaluar dhjetë vjet prej kur ka nisur dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe po e kuptojmë gradualisht se ky dialog është edhe për statusin e Kosovës. Nisi si dialog “teknik” për çështje “praktike”, zgjidhja e të cilave do të lehtësonte jetën e përditshme të qytetarëve, me zotimin e Qeverisë së Kosovës se “nuk diskutojmë me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës”. Vazhdoi me diskutime për aranzhimet e brendshme në Kosovë, përfshirë edhe për “komunitetet joshuimicë”, për rregullime të brendshme dhe territoriale, për të ardhur tash në situatë në të cilën vetë Kosova thotë se “dialogu është politik e jo teknik”.
Por Kosova besonte se çështja e statusit është e kryer, se nuk mund të ketë kthim prapa, sidomos pasi Kosovën e kanë njohur shumica e madhe e shteteve të BE-së, dhe Gjykata Ndërkombëtare është shprehur se pavarësia nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Dhe kështu zyrtarëve kosovarë u thoshin “lehtësuesit” nga BE-ja. Por të njëjtët i thoshin Serbisë se “BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit”, se “përderisa ka shtete të BE-së që nuk e njohin Kosovën, atëherë BE-ja nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet”. Dje këta zyrtarë të BE-së, edhe sot e kësaj dite e pohojnë të njëjtën. Në fakt, janë pak më të sinqertë në mohimin e shtetësisë së Kosovës sesa që ishin më parë. Ndoshta për shkak se në mesin e zyrtarëve kryesorë të BE-së që merren me dialogun shumica janë nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë, apo nga ndonjë arsye tjetër, por BE-ja këto ditë, përmes zëdhënësit, pohoi se Kosova nuk mund të llogarisë realisht në mundësinë për të aplikuar për anëtarësim në BE, sepse këtë mund ta bëjnë vetëm shtetet sovrane dhe të pavarura.
Dhe BE-ja e tha atë që e dimë, se pa njohjen e Kosovës nga 5 shtete anëtare nuk mund të ketë mundësi për Kosovën që të aplikojë për anëtarësim dhe që ai aplikim të merret seriozisht. Dhe nga Spanja dëgjuam se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj. Krejt problemi po kthehet tek fitorja e forcave ndërkombëtare që ishin kundër Pakos së Ahtisaarit. Sepse asnjë zgjidhje me të cilën nuk do të pajtohej Serbia, qoftë edhe nëse një e tillë është rezultat i një procesi ndërkombëtar, nuk mund të jetë e pranueshme. Qëndrim të tillë patën dhe kanë ende Serbia, Rusia, Kina, por edhe Spanja, Sllovakia dhe Qiproja. Dhe tash “zyrtarë të lartë” në BE që merren me dialogun, në pyetjet se a do ta njohin pavarësinë e Kosovës 5 shtetet anëtare që nuk e kanë bërë këtë, përgjigjen: “Nëse e pranon Serbia, atëherë ato nuk do të kenë më arsye për të kundërshtuar shtetësinë e Kosovës”.
Pra, duket se Kosova tash është në një dialog politik, i cili është për njohjen e statusit të Kosovës nga Serbia. Dhe kjo është dashur të thuhej që nga fillimi, para dhjetë vjetësh. Sepse gjithmonë ka qenë e qartë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka probleme teknike, të cilat nuk janë rezultat i mospajtimeve politike, më saktë rreth statusit të territorit të Kosovës. Por dialogu edhe pas rifillimit ka hyrë në një fazë që vështirë se mund të përfundojë së shpejti. Palët kanë qartë qëndrime dhe pritje të kundërta. Serbia nuk e fsheh se nga dialogu do të sigurojë që Kosova të zbatojë Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e më pas të pranojë dhe koncesione të tjera. Kosova pohon se po diskuton me Serbinë sikur dy shtete që diskutojnë suksesionin. Po të ishte ashtu, atëherë së pari do të duhej njohja e pastaj diskutimet për suksesionin. Kështu e bënë shtetet që para Kosovës u pavarësuan në territorin e ish-Jugosllavisë.
E BE nuk e di as vetë çfarë do dhe kur do. Ose së paku kështu lë përshtypjen. Në BE, kur Lajçak mori mandatin, paralajmëronin një dialog dinamik dhe një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë për një kohë të shkurtër. Kjo, krahas angazhimit të Francës dhe Gjermanisë në nivelin më të lartë për këtë çështje, bënte që vazhdimi i dialogut të dukej ndryshe nga qasja që BE-ja e kishte në dhjetë vjetët e fundit. Lajçak në gjashtë muaj, gjysma e mandatit që gjithsesi do t’i vazhdohet, ka dëshmuar pikërisht të kundërtën- se nuk ka asnjë ndryshim në qasje të BE-së, se BE-ja “nuk ka afate artificiale”, se “nuk shkruan receta të zgjidhjes”, se “BE-ja është vetëm lehtësues”, se “u takon vetë palëve të vendosin për temat” etj. Serbia ka interes ta vazhdojë dialogun për një kohë të gjatë, BE-ja nuk do të ketë asgjë kundër, ndërsa Kosova do të pësojë. Sepse dialogu është për Kosovën. Nëse njerëzit kryesorë të BE-së që “lehtësojnë dialogun” vërtet mendojnë se BE-ja do ta trajtojë Kosovën si shtet vetëm pasi ta njohë Serbia, atëherë vetëm do ta inkurajojnë Serbinë që të mos e njohë Kosovën. Edhe për vetë Serbinë do të ishte më lehtë që ta njohë Kosovën nëse BE-ja do të ishte unike rreth statusit të Kosovës. Kemi shkruar edhe më herët se është e pavërtetë se BE-ja “nuk njeh shtete” nga aspekti politik. Kur pyeten për pavarësinë e Kosovës, në BE përgjigjen se “kjo është e drejtë dhe kompetencë e secilit shtet anëtar” e jo e BE-së. Por kur Mali i Zi kishte shpallur pavarësinë, BE-ja u kishte bërë thirrje shteteve anëtare që me Malin e Zi të vendosin raporte sikur me një shtet sovran. Në rastin e Kosovës nuk e kanë thënë këtë.
Madje edhe rreth procesit të paqes në Lindjen e Mesme, mes Palestinës dhe Izraelit, BE-ja ka qëndrimin se ky proces duhet të përmbyllet me një zgjidhje mes “dy shtetesh”, pra që edhe Izraeli, edhe Palestina të dalin si shtete që do ta njohin njëra-tjetrën. Kur pyeten se a do të duhej që edhe dialogu që lehtëson BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me zgjidhjen “dy shtete”, që edhe Kosova edhe Serbia ta njohin njëra-tjetrën, në BE thonë se “nuk paragjykojnë zgjidhjen” dhe se “BE-ja nuk shkruan receta të zgjidhjes”, sepse për këtë “duhet të pajtohen palët”. Dhe pa njohjen e Kosovës nuk mund të ketë zgjidhje. Prandaj edhe dialogu do të zgjasë shumë. Në BE vërtet thonë se “nuk janë të interesuar që dialogu të jetë i pafund”, por në fakt asgjë në jetë nuk është e pafund. Tash BE-ja duket se po e përgatit terrenin që fajin për mungesë të përparimit drejt marrëveshjes finale dhe zvarritjen e procesit tua lërë palëve, duke thënë se “u takon atyre të merren vesh” dhe “ata e kanë në dorë edhe kohëzgjatjen e dialogut”. /koha.net


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë