Njerez

Dërgimi i emigrantëve të paligjshëm në Ruandë mund të apelohet në gjykatat në Britani

Gazeta Si - Emigrantët e paligjshëm që përballen me largim të mundshëm nga Britania e Madhe drejt Ruandës, sipas skemës së zhvendosjes së Home Office, kanë fituar lejen për të sfiduar qeverinë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Gjykata e Lartë e Britanisë së Madhe, e cila muaj më parë e kishte vendosur që kjo skemë ishte e ligjshme.

Gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën e Lartë të së hënës, Lord Justice Lewis dhe Justice Swift thanë se 11 emigrantët mund t'i kërkonin Gjykatës së Apelit të shqyrtonte, nëse garancitë e Ruandës për Mbretërinë e Bashkuar përbënin garanci të mjaftueshme për trajtim të sigurt dhe të drejtë.

Nuk është caktuar një datë që çështja të shkojë në Gjykatën e Apelit dhe Ministria e Brendshme po i bindet një urdhri nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila bllokoi fluturimet derisa gjyqtarët britanikë të kishin vendosur përfundimisht.

Gjykata tha se grupi mund të argumentojë se dërgimi i tyre në Ruandë i penalizon ata për kërkimin e sigurisë dhe nëse i gjithë plani është sistematikisht i padrejtë.

Ministrja e Brendshme Suella Braverman pati deklaruar se është e përkushtuar që skema e Ruandës të funksionojë. Sipas skemës së diskutueshme, azilkërkuesve që mbërrijnë nga një vend i sigurt - me një varkë të vogël nga Franca - mund t'u thuhet se do të dërgohen në Ruandë, për t'u trajtuar atje kërkesa e tyre për azil.

Qeveria konservatore arriti një marrëveshje deportimi me Ruandën vitin e kaluar që synon të pengojë emigrantët nga përpjekjet për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar në udhëtimet e rrezikshme nëpërmjet detit. Më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Britani përtej Kanalit në vitin 2022, dhe disa vdiqën në përpjekjet e tyre.

Skema deri më tani i ka kushtuar Britanisë së Madhe 140 milionë paund, por asnjë emigrant nuk është dërguar në vendin afrikan.

Vendimi për depërtimin e emigrantëve u mor kur qeveria britanike drejtohet nga Boris Xhonson.

Edhe kryeministri Rishi Sunak e ka bërë prioritet bllokimin e kalimeve të paligjshme nga Kanali anglez dhe skema e Ruandës synon të pengojë emigrantët të kalojnë me varka të vogla nga La Manshi drejt brigjeve britanike.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar argumenton se kjo politikë do të pengojë bandat kriminale që transportojnë emigrantët në udhëtime të rrezikshme nëpër një nga korridoret më të ngarkuara të transportit në botë.

Debati për emigrantët e paligjshëm preku dhe Shqipërinë, ku ministrat britanikë i cilësuar shqiptarët si kriminelë dhe që merren me drogë.

Kjo shkaktoi dhe përplasje të forta mes Tiranës dhe Londrës dhe akti më i fundit është nota verbale e qeverisë shqiptare për deklaratat e ministrit të Emigracionit kundër shqiptarëve që u cilësuan si gjuhë diskriminuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë