Para

Deputetët dhe drejtorët e shtetit më të paguarit

INSTAT ka raportuar se paga mesatare mujore bruto gjatë tremujorit të dytë 2019, është rreth 53 mijë lekë. Kjo pagë është rritur me 4,5 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Më të paguarit gjatë tremujorit të dytë 2019 janë ligjvënësit dhe drejtorët e shtetit. Paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 90,0 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 39,3 % më e ulët.

Në të njëjtën periudhë, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2,15 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-profesionet e Tregtisë; Transportit; Aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor është 26,1 % më e ulët.

Gjatë tremujorit të dytë 2019, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi, ka rritjen më të madhe prej 13,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa Ndërtimi ka një ulje prej 2,6 %.


Paga për grup-profesionin e Nëpunësve ka rritjen më të madhe prej 7,7 % gjatë tremujorit të dytë 2019, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa për grup-profesionin e të punësuarve si Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë ka rritjen më të vogël, prej 0,01 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë