Shendet

Dëmtohen pajisjet e urgjencës së re në QSUT? “Pacientët po rrezikojnë jetën deri te Sanatoriumi”

Nga Gazeta Si - Zjarri i rënë në urgjencën e re të Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në Tiranë prej afro 44 ditësh ka lënë pa shërbim të ekzaminimeve të ndryshme në shërbimin e Hemodinamikës, rezonancës, scanerit apo shintigrafisë, aparatura bashkëkohore të instaluara vitet e fundit.

Vonesa në dhënien e shërbimit që në mungesë të urgjencës është referuar tek spitali ‘Shefqet Ndroqi’ në Sauk, ka bërë që të regjistrohen dhe humbje jete.

Burime konfidenciale për Gazetasi.al thonë se rasti më i fundit është një shtetas italian i cili pasi u sorollat nga QSUT tek “Shefqet Ndroqi’ për të kryer ekzaminimin e Koronarografisë, humbi jetën rrugës për në QSUT sepse pësoi arrest kardiak.

Ndërsa të tjerë pacientë që vuajnë nga zemra, pasi kryejnë koronaren, planifikimi i operacionit bëhet minimumi 3 muaj më vonë.

Koronarografia është procedura jetike për pacientët me zemër pasi ajo diagnostikon praninë apo mungesën e ngushtimeve të arterieve koronare nga arteroskleroza, përcakton mënyrat e përshtatshme të trajtimit (terapi medikamentoze, angioplastikë koronare apo kirurgji e arterive koronare ndryshe bypass) si dhe jep të dhëna për prognozën e sëmundjes.

“Por ky shërbim kaq i rëndësishëm, si pasojë e zjarrit të rënë po kryhet në shërbim privat pasi rastet e rënda nuk mund të qëndrojnë në pritje. Ajo çka është absurde, është fakti që edhe pasi kryejnë analizën e koronarografisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, operacionet nuk kryhen në pavijonet e kardiokirurgjisë në QSUT.  Sot ne nuk kemi asnjë pacient në listë pritjeje për operacion”, thotë për Gazetasi.al një mjek në QSUT.

Alarmi për zjarrin, burimet: Aparaturat mund të jenë djegur

Sot pas 44 ditësh, që prej 11 shkurtit kur ra zjarri në urgjencën e re të QSUT, asnjë informacion për inventarin e kryer pas kësaj ndodhie nuk është bërë publike për median.

Në urgjencën e re të spitalit në QSUT janë përqendruar aparaturat më të mira që datojnë të paktën prej 10 vitesh, siç është shërbimi i Hemodinamikës me pajisjet më bashkëkohore, por burime për Gazetasi.al thonë se si pasojë e djegies së sistemit elektrik mund të jenë djegur pothuajse të gjitha aparaturat, përfshi scaner e rezonancë. Por ndërsa këto të fundit mund të kryhen në spitalet private me një kosto relativisht të përballueshme, ajo çka nuk pret është shërbimi i hemodinamikës i cili u rrezikon jetën pacientëve të sëmurë me zemër.

Në spitalin universitar ‘Shefqet Ndroqi’, burimet thonë se situata është bërë e papërballueshme, për shkak të fluksit të pacientëve që detyrohen të paraqiten për sëmundje të ndryshme.

Sorollatja e pacientëve sa në një spital në tjetrin, u rrezikon jetën e megjithatë duket se asgjë s’po ndryshon përveç se pasurimit të spitaleve private nga fatkeqësia e qytetarëve që në rast sëmundje janë të detyruar të paguajnë shërbimin në privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë