Ngjarje

Ikën Albana Fico/ Drejtoresha e re e QSUT, Alma Cani. Opozita: Iku pas skandalit te Urgjenca

Nga Gazeta Si - Qendra Spitalore Universitare (QSUT) ka ndryshuar drejtuesen Albana Fico, e cila e mbante këtë post nga dhjetori i 2021. Fico nuk ka dhënë asnjë shpjegim ndërkohë që në një deklaratë për mediat. Albana Koçiu, ministrja e shëndetësisë tha se ky ndryshim vjen për t'i dhënë një frymë të re shëndetësisë. E pyetur se kur do të fillojë punën Urgjenca e re e QSUT-së ku ra zjarr më 11 shkurt, Koçiu tha se kjo do jetë pika e parë që do menaxhojë drejtuesja e re e QSUT.

Alma Cani do të jetë drejtoresha e re e QSUT, pas largimit nga detyra të Ficos.

Cani aktualisht është nëndrejtoreshë tek spitali “Shefqet Ndroqi” dhe pedagoge.

Pas lajmit të largimit të Ficos ka reaguar edhe Zheni Gjergji, kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë e cila thotë se qeveria ka vendosur të largojë Drejtuesen e QSUT-së “pas disa javësh heshtje dhe errësire pas skandalit të Urgjencës”.

“Prej ditës së parë kur Urgjenca e QSUT u përshi nga flakët ku u bë shkrumb një investim prej 17 milionë eurosh i taksapaguesve shqiptarë, kemi ngritur zërin e kemi kërkuar hetim, transparencë e përgjegjësi para ligjit. Pas disa javësh heshtje dhe errësirë, qeveria vendosi të largojë Drejtuesen e QSUT. Këto janë masa gjysmake për shfaqje. Qeveria duhet të tregojë çfarë ndodhi, pse ndodhi, si nuk u menaxhua si duhet ajo situatë? Qeveria është përgjegjëse për paratë e çuara dëm, e sidomos për koston që kjo ka sjellë tek shëndeti i qytetarëve duke qenë se Urgjenca nuk funksionon prej muajsh tanimë”, shkruan Gjergji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë