Ngjarje

Vendimi i qeverisë: Nga janari Albanologjia si njësi në Akademinë e Shkencave

Nga Gazeta Si - Duke filluar nga janari i 2024, Akademia e Studimeve Albanologjike do të funksionojë si njësi e përhershme e kërkim-studimit në Akademinë e Shkencave.

Vendimi është publikuar tashmë në fletoren zyrtare, ku shkruhet se do jenë si njësi vijuese e veprimtarisë në fushën e albanologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Institutit të Arkeologjisë, Historisë, Antropologjisë, Qendra e Studimit të Arteve dhe Qendra për Botimet Enciklopedike e Albanologjike.

Njësitë do të organizohen dhe funksionojnë sipas përcaktimeve në statusin e Akademisë, me rregulloren e brendshme të tyre dhe kuadrin ligjor në fuqi.

Njësitë e përhershme të kërkim-studimit të organizuara si institute drejtohen nga drejtori dhe kanë në përbërje departamentet, të cilat drejtohen nga përgjegjësit e tyre, ndërsa njësitë e përhershme të kërkim-studimit të organizuara si qendra drejtohen nga drejtori dhe kanë në përbërje sektorët, të cilët drejtohen nga përgjegjësit e tyre. Në mbështetje të këtyre njësive të përhershme, funksionon dhe administrata ndihmëse e këtyre njësive në bashkëpunim me administratën e Akademisë, si pjesë e nën drejtimin e saj, në përputhje me rregulloret e brendshme të këtij institucioni.

Gjithashtu, njësitë do kenë buxhetin e tyre si zë më vete në buxhetin vjetor të Akademisë, i cili detajohet për shpenzimet e personelit dhe shpenzimet e tjera me vendim të Kryesisë së Akademisë.

Këtë e kanë kundërshtuar anëtarë të ASA-s, të cilët kanë thënë më herët për Gazetasi.al se në momentin që ASA do të funksionojë si njësi në Akademinë e Shkencave, nuk do ketë më autonominë që kishte.

“Vendimi zhbën mënyrën se si ne funksionojmë, duke mos punuar më si të pavarur”, tha në maj të këtij viti Olsi Lelaj, përgjegjës i Etnomologjisë.

Njësitë e kërkim-studimit në albanologji do e ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe përdorin asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, së bashku me tërësinë e aseteve dhe të fondeve të trashëgimisë të kaluara në administrim të Akademisë.

Ndërkohë, marrëveshjet në fuqi, nënshkruar nga përfaqësues të Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) ruajnë vlefshmërinë juridike për sa kohë nuk ka kërkesë për revokim nga palët nënshkruese përgjegjëse.

Organika e njësive të përhershme të kërkim-studimit për punonjësit kërkimorë, shkencorë, administrativë dhe mbështetës do përbëhet nga 127 punonjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë