Vende dhe Udhetime

Dajti, fshati i mollëve të Linës, ku mund të zhvillohet turizmi malor

Me emrin e Dajtit zakonisht lidhet mali i Dajtit apo parku kombëtar, por të paktë janë ata që e dinë se ka një fshat me këtë emër. Shëtitjen për në fshatin Dajt mund ta fillosh nga qendra e fshatit Zalldajt, aty ku fillon rruga e makinës për atje.

Në një rrugë-kanal përpjetë kodrës, në një pyll të dendur dushqesh jo shumë të lartë, duke dredhuar sa majtas-djathtas, gur mbi gur, gjithnjë në ngjitje, rruga është e bukur midis atij pylli jo të lartë, por të gjelbëruar dhe të dendur.

Sa më lart ngjitesh, aq më tepër rrallohen drurët dhe në krye të hyrjes në fshat gurët shtohen, për t’u rralluar në pjerrësinë e butë, ku është vendosur fshati Dajt.

Në hyrje të tij të bien në sy parcela të vogla toke, të rrethuara me gardhe dhe me shumë pemë frutore, veçanërisht gështenjat e dëgjuara për shijen e tyre të mirë, mollë, dardha dhe hardhi me rrush.
Pikërisht në fshatin Dajt ndodhet edhe masivi më i madh i gështenjave të shijshme në atë zonë, madje, më i madh se ai i Qafmollës dhe Shkallës, fshatra të komunës Dajt.

Aty nga perëndimi duket më afër pjesa shkëmbore e malit të Dajtit, kurse nga lindja pamja është e gjerë dhe madhështore dhe prej andej dallohen gjithë fshatrat e komunës Zallbastar, përveç Zalldajtit që është poshtë, por që pjerrësia e madhe nuk të lë ta shohësh.

Pasi futesh në fshat, në krye të rrugës shkëmbore dalin shtëpitë e para.

Fshati Dajt është më i përqendruar në krahasim me fshatrat e tjerë të komunës. Ai ka lagjen e sipërme dhe atë të poshtme, sipas pozicionit që zinin në terren.

“Aty ndodhen dy fise të mëdha, fisi Dajti dhe ai me mbiemrin Kamberi. Po ashtu fshati ka një rrugë të brendshme të gjerë sa për të kaluar banorët me kalë të ngarkuar, që e ndan territorin në mes, që fillon dhe mbaron në të njëjtin vend, pasi i vjen lagjes përqark nga sipër, ndërsa rruga automobilistike kalon poshtë dy lagjeve.”, - shprehet për gazetën “Si”, Skënder Farka, banor i zonës dhe njohës i studiues i mirë i jetës dhe historisë së fshatrave të zonës së Tiranës.

Në hyrje të fshatit, mbi një bregore të gurtë, të dukshme nga poshtë ndodhet ndërtesa e xhamisë së vjetër, me çati të shembur plotësisht, e cila duket se ka pasur mofil, me një dalje-ballkon në vend të minares.

Në pjerrësinë mbrapa xhamisë është varreza më e madhe dhe e përqendruar e fshatit Dajt. Aty duken kryegurë varresh të vjetër dhe varre të 25 viteve të fundit më të rregulluar dhe ndonjë më i ri.

Në mes të lagjes, në gjysmën e suvatuar dhe të lyer nga jashtë të një ndërtese njëkatëshe është klasa e shkollës fillore, ku grumbullohen të gjithë fëmijët.

Midis shtëpive dhe kullave të gurta, në rrugën ku kalon dhe uji për shkak të pjerrësisë së madhe të kodrës banorët kanë ndërtuar mure-mbajtëse prej guri të punuar me mjeshtëri, kombinuar me pemët dhe rrënjët e tyre, ku përfshihen edhe hunjtë e gardheve. Këto mure mbajtëse mbi dy metra të lartë dhe vende-vende të dëmtuara përforcohen me shtylla të drunjta për siguri.

Në mes të lagjes është kroi, i rregulluar me një tub metalik e gurë të gdhendur bukur, por që ujin e të cilit tani në fshat nuk kanë më nevojë, sepse furnizohen nga uji i Selitës nëpërmjet tubacioneve deri në oborret e shtëpive.

Molla e Linës

Në fshat ndodhet një pemë molle me emër të veçantë: molla e Linës. Banorët e lidhin emrin e mollës me një gojëdhënë për një vajzë të bukur dhe të varfër të fshatit.

Lina ishte vajza e varfër dhe e bukur, që u dashurua prej të parit të vendit.

Me zgjuarsinë dhe bukurinë e saj, pasi kaloi shumë peripeci, ajo u bë zonjë e vendit dhe mbolli aty një dru molle të bukur me shije dhe pamje të veçantë. Siç thotë gojëdhëna, të tjerët e shumuan atë dhe e quajtën molla e Linës.

Por, përveç mollëve, në Dajt mund të gjesh edhe pemë të tjeram si arra apo gështenja.

Në rrugën për në kullat më fundore të fshatit, ato të fisit Dajti, muret mbrojtëse dhe mbajtëse janë deri në 2 metra të lartë dhe të gjatë deri në 50 metra, të punuar me mjeshtëri.

Mbi to gjelbërojnë akoma pjergullat dhe pranë tyre ka shumë pemë frutore, dendësia e të cilave është rregulluar nga vetë natyra.

Në dy kullat e fundit të fshatit, të riparuara bukur arrin pas një ngjitje të vogël.

Bujqësia, blegtoria dhe pemëtaria janë pasuria e fshatit.

“Prodhimet, sido që janë të pakta janë shumë cilësore. Pylli gjithashtu është pasuri tjetër nga i cili banorët sigurojnë të ardhura. Por kjo nuk mjafton. Organizmi i shëtitjeve malore me grupe, nëpër kreshtën shkëmbore të malit të Dajtit nga gryka e Tujanit deri në qafë Fushë-Dajt (pranë teleferikut), por edhe në Qafë Priskë dhe anasjelltas duhet të bëhet objektiv për pushimin e fundjavës për qytetarët e Tiranës. Kjo gjë do të bënte që Dajti të ishte stacioni i parë ose i fundit për pushimin e vizitorëve, duke tërhequr turistë, si dhe duke zhvilluar bizneset në zonë.”, komenton për gazetën “Si”, Skënder Farka.

Ata që nesër do të shëtisin nëpër këtë itinerar do të shijojnë pamjet mahnitëse të hapësirës deri në bregdet nga njëra anë dhe deri në malet e Matit dhe Dibrës matanë. Po kështu, itinerari mund të rregullohet për të vizituar një mori shpellash të bukura të malit të Dajtit, duke kaluar nëpër ata pyje të bukur, ku prej kohësh nuk priten drurët pa leje, si pjesë e veçantë e parkut kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë