Para

COVID-19 rriti defiçitin, huamarrja nga jashtë më e lartë se ajo që ishte krijuar deri para krize

Kriza që shkaktoi COVID-19 bëri që deficiti buxhetor i vendit të zgjerohej me 35.7 miliardë lekë në tremujorin e dytë, për të arritur një nivel prej 38.5 miliardë lekësh për gjysmën e parë të vitit.

Banka e Shqipërisë shpjegon se situata e rënduar gjatë periudhës së pandemisë, kërkoi edhe mobilizimin e instrumenteve jokonvencionale në financimin e deficitit, krahas atyre tradicionale. Kjo do të thotë që u shfytëzua edhe instrumenti i financimit të shpejtë, Rapid Financing Instrument (RFI), i mundësuar prej FMN-së, në shumën e rreth 22.2 miliardë lekëve (ose 174 milionë euro).

Huamarrja nga jashtë po ashtu u shtua edhe me emetimin e Eurobondit 7-vjeçar, prej 650 milionë eurosh, në qershor 2020.

Pra, zgjerimi i huamarrjes nga jashtë qe në një masë më të lartë sesa deficiti i krijuar për këtë periudhë kohore, që ka sjellë një tepricë të konsiderueshme likuiditeti të qeverisë, kryesisht në monedhë të huaj, prej rreth 90 miliardë lekësh.

Huamarrja në tregun e brendshëm u shtua me rreth 26.3 miliardë lekë në tremujorin e dytë. Ndryshe nga një tremujor më parë, kjo huamarrje u diversifikua krahas instrumenteve edhe në terma të monedhës. Në muajin prill, qeveria emetoi në tregun e brendshëm obligacione 2-vjeçare të denominuara në euro në shumën 100 milionë euro (12.4 miliardë lekë), pas maturimit të plotë të këtij instrumenti në gusht të vitit 2019.

Gjithashtu, ndryshe nga vitet e tjera, në financimin e deficitit, instrumentet afatshkurtra dominuan kundrejt atyre afatgjata. Shtesa në lekë e huamarrjes në bono thesari për tremujorin e dytë ishte 8.9 miliardë lekë, ndërkohë që në obligacione ishte rreth 5 miliardë lekë. Blerësit kryesorë të titujve të emetuar në tregun e brendshëm mbeten bankat tregtare.

Rreth 54% e shtesës së huamarrjes së brendshme në tremujorin e dytë kishte si kundërparti bankat tregtare. Individët vijojnë të mos shfaqin interes të lartë kundrejt investimit në titujt e qeverisë, duke pakësuar peshën që ata mbajnë në portofolin total të titujve nga një tremujor në tjetrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë