Libra

Çmimi ‘Poeti Evropian i Lirisë’/ Luljeta Lleshanaku befason jurinë: Fitova në një “grup zjarri”

foto e poetes

Nga Gazeta Si - Juria e Çmimit Letrar të ‘Poetit Evropian të Lirisë’ në Gdańsk të Polonisë për herë të parë në historinë e këtij çmimi jep dy çmime të para me vlerë të njëjtë për edicionin 2020-2022. Çmim të parë ka rrëmbyer edhe poetja shqiptare, Luljeta Lleshanaku, ndërsa çmimi tjetër shkoi për ukrainasen Marianna Kiyanovska.

“Kemi kënaqësinë të informojmë se poetet evropiane të lirisë 2022 janë Marianna Kiyanovska (Ukrainë) me ‘The Voices of Babyn Yar’ dhe Luljeta Lleshanaku me ‘Ujë dhe Karbon”’, është shprehur juria.

“Që në fillim të diskutimeve tona…, ‘The Voicea of Babyn Yar’ nga poetja ukrainase, Marianna Kiyanovska, përkthyer nga Adam Pomorski dhe ‘Ujë dhe Karbon” nga poetja shqiptare Luljeta Lleshanaku, përkthyer nga Dorota Horodyska, na ka vënë në një situatë të pazakontë, duke na penguar efektivisht të zgjedhin vetëm njërën”, thuhet në arsyetimin e jurisë.

Poetja Luljeta Lleshanaku shprehet për Gazetasi.al se ky çmim bëhet akoma më i veçantë pasi konkurrentët u zgjodhën mes gjuhëve gjermanike, të cilat i cilëson një ‘grup zjarri’.  

“Çmimi Evropian i Lirisë 2022, m’u dha për një përmbledhje me poezi nga dy librat e mi të fundit ‘Pothuajse dje’, dhe ‘Homoantarcticus’. Ajo që më jep veçanërisht kënaqësi në këtë çmim është se konkurruesit u zgjodhën midis poetëve të gjuhëve gjermanike; Polonisë, Spanjës, Danimarkës, Sllovenisë, Ukrainës, Çekisë, që mund të quhet një ‘grup zjarri’, duke pasur parasysh traditën poetike në këto vende, dhe ku secili prej tyre, përfaqëson një këndvështrim krejt ndryshe për lirinë”, shprehet Lleshanaku për Gazetasi.al.

"Ujë dhe karbon" nga Luljeta Lleshanaku

Ajo shton se në motivimin e çmimit, përveç një orientimi tematik, thuhet qartë që jepet për vlera letrare.

“Një kryevepër të plotë dhe të përfunduar”, kështu e konsiderojnë 7 anëtarët e jurisë veprën “Ujë dhe karbon” të Luljeta Lleshanakut, teksa vlerësojnë “poeten erudite, që u fal lexuesve në të gjithë botën një poezi të kristaltë e të patëmetë”. Ndërsa shtojnë më tej se “Tema e poezive të Lleshanakut është një përshkrim emocionues i gjetjes së lirisë në botën e skllavërisë ku ajo lindi dhe u rrit”.

Për Lleshanakun, juria prej shtatë kritikësh të njohur, mes tyre një shkrimtare nobeliste si anëtare, “natyrisht që i jep seriozitet çmimit”.

“Çmimi natyrisht që është edhe meritë e përkthyeses sime nga polonishtja, Dorota Horodyska, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Është një çmim goxha i njohur në rrethet e shkrimtarëve, duke qenë edhe nga të paktit ose i vetmi evropian për poezinë”, përfundon Lleshanaku për Gazetasi.al.

Lleshanaku, po me përkthimin e Horodyskas, ka qenë finaliste e Poetit Evropian të Lirisë një dekadë më parë me vëllimin “Fëmijët e natyrës”, kur për përshtatjen e saj Dorota, u vlerësua me çmimin prestigjioz të revistës Literatura na Śëiecie.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të bëhet më 10 qershor gjatë Festivalit Evropian të Poetit të Lirisë (9-11 qershor 2022), ndërsa juria e Çmimit Letrar të Poetit Evropian të Lirisë u mblodh në Gdansk më 25 prill 2022.

Rreth Çmimit

Çmimi Letrar Europian i Poetit të Lirisë i qytetit të Gdańsk jepet çdo dy vjet. Qëllimi i tij është të promovojë fenomene poetike që trajtojnë një nga temat më të rëndësishme bashkëkohore, lirinë, dhe që tregojnë një vlerë të lartë artistike. Në çdo botim, çmimi i jepet poetit dhe përkthyesit/ve të tyre. Çmimi shoqërohet me një seri botimesh me përkthimet e të gjitha vëllimeve të përzgjedhura në listën e ngushtë.

Fituesit e mëparshëm të këtij çmimi janë:

Sinéad Morrissey (2020), përkthyer nga anglishtja në polonisht nga Magda Heydel;

Linda Vilhjálmsdóttir (2018), përkthyer nga islandishtja në polonisht nga Jacek Godek;

Ana Blandiana, (2016), përkthyer në polonisht nga rumanishtja nga Joanna Kornaś-Warwas;

Dorta Jagić (2014), përkthyer nga kroatishtja në polonisht nga Małgorzata Wierzbicka;

Durs Grünbein, përkthyer nga gjermanishtja në polonisht nga Tomasz Kopacki;

Uladzimir Arlou (2010), përkthyer nga bjellorusishtja në polonisht nga Adam Pomorski


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë