Mendim

Çfarë mendoj për teatrin? Çfarë nuk mendoj

Nga Ilir Butka – Ndjek me vëmendje ç’thonë të gjithë ata që flasin rreth këtij shqetësimi dhe sa më shumë i dëgjoj, aq më shumë i jap të drejtë çdonjërit prej tyre. Por çdonjërit, edhe atyre që janë për mbrojtjen, edhe atyre që janë për prishjen dhe kjo nuk më ndihmon të vendos.
Ndryshe nga shumë të tjerë e kam të vështirë të jem palë.
Nuk mundem ta shoh bardhë e zi. Shoh plot me kontraste, sfumatura dhe ngjyra.
Të jesh me njërën palë, do të thotë që pala tjetër e ka gabim. Nuk e them dot. Kush më garanton. Informacioni, njohja, logjika, reflektimi… nuk e di.
Di që këtij qyteti i duhet një teatër i ri dinjitoz me të gjitha shërbimet dhe takëmet që i takojnë.
Por, nga ana tjetër nuk dua ta fshi nga faqja e dheut teatrin e arkitektit italian Bertè.
Do të doja të ishin të dy. Ashtu sikundër ekziston në Rinas godina e vjetër krahas godinës së re të aeroportit. Krahas asaj godine që ngjante më shumë me një stacion treni në provincën më të humbur të globit sesa një aeroport në shekullin e 21-të në mes të Europës dhe ashtu afër nuk e shëmton godinën e re përkundrazi i jep vlerë, na kujton si ishim.
Nuk e di nëse e dua një sakrificë të teatrit të vjetër për teatrin e ri, por nuk dua kurrsesi të vë në mëdyshje ndërtimin e këtij teatri nga paqartësitë e mia dhe paqartësitë e mia mund të jenë të barasvlershme me paqartësitë e të tjerëve të cilët po bëhen shkas që teatri i ri të mos ndërtohet.
Them paqartësitë pasi nuk mund ta pranoj “qartesinë” e dikujt që nuk do të dëgjojë argumentin e tjetrit kur ky mendon ndryshe.
Ne jemi individë të një shoqërie të traumatizuar gjatë 50 viteve të komunizmit dhe 30 viteve të demokracisë dhe kjo në mënyrë të paevitueshme ka krijuar tek ne trauma të thella dhe pasoja pa fund. Njëra nga këto pasoja është paaftësia jonë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Ajo që ne e quajmë dialog apo debat rëndom formësohet në trajtën e monologut, ku refuzohet jo të kuptohet por as të dëgjohet tjetri. Ne jemi shpesh shumë të bindur në të drejtën tonë, vazhdimisht për çdo gjë pa dyshuar aspak në aftësitë personale për gjykim. Gjykimi bazohet mbi shkallën e njohjes, të çliruar nga ngarkesat, të gjitha ngarkesat, nga ato personale deri tek ato politike. Gjykimi duhet të bazohet në aftësinë për të qenë mbi palët, pra jashtë çdo interesi konkret, përveç atij publik. A jemi vërtet të tillë? A jemi vërtet mbi palët?
Nuk e di.
Kultura e “analistëve” është ngritja në kult e bisedave të kafeneve ku askush nuk guxon të mos deklarohet mbi të gjitha argumentet dhe temat e hedhura për diskutim, ndryshe rrezikon te mos ndihet mjaftueshëm inteligjent apo mizantrop, nga shoqëria e cila ndjek me interes zhvillimet.
Ka nga ata që impenjimin social e kane një forme eficente të ekspresionit egoistik dhe për këtë meritojnë respekt, por jo më pak respekt duhet të meritojnë ata që zgjedhin të heshtin. Edhe heshtja është një qëndrim.
Mos e ngatërroni heshtjen me indiferencën, por sot në kushtet kur shembja e teatrit po merr një forme konkrete, heshtja identifikohet me prishjen.
A janë vërtet aktorët duke mbrojtur interesin e tyre, duke rrezikuar me protestën e tyre, mosngritjen e teatrit të ri?
A nuk do të ishte më e natyrshme që aktorët të ishin apriori për ngritjen e teatrit të ri? Po, por ata që po protestojnë aty nuk janë aktorët, por qytetarët. Interesi qytetar është vendosur mbi interesin personal, profesional dhe aktorët vijnë aty si qytetarë.
Aktorët, artistët, arkitektët, intelektualët, të gjithë janë zhveshur nga profesioni dhe vishen me qytetari kur mbrojnë teatrin. Mund të jem nostalgjik, por nuk e fsheh lidhjen afektive me gjithçka të vjetër. Dhe ne kemi një deficit të thellë si shoqëri për atë çka kemi trashëguar. Pak për faktin se në kulturën tonë të shkuar më shumë vend ka zënë mbijetesa fizike sesa mbijetesa shpirtërore. Kush e ka të siguruar mbijetesën, mendon për nevojën e trashëgimisë së pasurisë materiale dhe shpirtërore brezave të ardhshëm. Pra, ne na kanë lënë shumë pak, dhe ato shumë pak që kemi trashëguar, nuk kemi ditur t’i ruajmë si duhet. Pjesën tjetër që ka mbetur, nuk kemi mundur ta prishim në dalldisjen tonë për të përqafuar mirazhin e të ardhmes, gjatë marshimit vetëvrasës në komunizëm.
Përfundimisht ne kemi trashëguar shumë pak, ndaj atë pak duhet ta mbrojmë.
Nga ana tjetër dëgjoj shpesh të flitet për kullat, për gradacielat. Flitet me përçmim dhe nuk e kuptoj përse. Sigurisht ka nga ata që mund të preferojnë shtrirjen horizontale përkundrejt rritjes vertikale në arkitekturë dhe kjo është çështje preference, temperamenti, kulture dhe subkulturë, qasje politike në qoftë se doni.
E majta ka ndërtuar prej kohësh estetikën e saj të mirëstrukturuar dhe mirë të argumentuar në arte dhe arkitekturë, duke krijuar klishe që kanë depërtuar thellë në subkulturën qytetare, duke anatemuar ndër të tjera gradaçelat si shprehje e kulturës së kapitalit. Nuk dua të diskutoj për avantazhet dhe disavantazhet e këtij koncepti arkitekturor, por unë personalisht jam i prirë ta vlerësoj ndërtimin e gradaçelave. Mund të jetë çështje estetike apo thjesht çështje temperamenti, por unë nuk kam ndërmend të ndryshoj aspak qëndrim për këtë, duke respektuar maksimalisht ata që mendojnë ndryshe.
Në deklaratat për teatrin kam dëgjuar qytetarë që anatemojnë biznesmenët dhe biznesin me një urrejtje që çdo sekretar partie në kohën e Enverit do ta kishte zili. Fatkeqësisht kjo gjuhë është përdorur edhe nga politika dhe kjo e bën situatën akoma më konfuze.
Që disa kulla të ndërtohen në token e teatrit nuk më revolton. Sepse qyteti do japë token në këmbim të ndërtimit të teatrit të cilin politika nuk mendon se e meritojmë të financohet me fondet publike. Pra me taksat tona shteti dhe politika mund të ndërtojë gjithçka, por një teatër të ri nuk e ka ndërtuar dhe nuk ka për ta ndërtuar kurrë.
E vetmja mënyrë alternative mbetet që teatri të ndërtohet me kontributin e qytetarëve. Nëse e konsiderojmë koston e deklaruar disa herë lart e poshtë prej 30 milionë euro qe kushtokërka teatri i ri, i bie që çdo qytetar të paguajë 10 euro në vit dhe ne do të kishim buxhetin e mjaftueshëm për ta hapur një konkurs ndërkombëtar për të ndërtuar teatrin më të bukur të mundshëm.
Por kjo që të bëhet kërkon minimalisht një organizator jopolitik, mjaftueshëm karizmatik dhe të besueshëm dhe me sa duket ne nuk kemi një të tillë.
Teatri duhej t’i bashkonte njerëzit sepse nuk besoj se mund të gjendet një qytetar i vetëm që ta refuzojë atë.
Problemi është që ndërtimi i teatrit të ri erdhi me një kusht. Të ndërtohet mbi teatrin e vjetër.
Kjo është si “zgjedhja e Sofies (Sophie’s choice) së cilës ju dha si zgjidhje vrasja e një prej fëmijëve për të shpëtuar tjetrën.
Kjo është nga ato lloj propozimesh që askush nuk do të donte të kishte.
Dhe qytetareve të këtij qyteti ju bë pikërisht një propozim i tillë.
Pikërisht kjo ndau aktorët, kjo ndau qytetarët ne ata që ishin kundër dhe pro. Po të shtojmë edhe ata që refuzojnë procedurën, ata që nuk parapëlqejnë kullat dhe kryesisht ndërtimet e larta vertikale dhe ata që nuk duan t’i falin asnjë centimetër “ndërtuesit oligark”, atëherë panorama bëhet më e plotë.
Nëse do t’i dëgjonim të gjithë dhe do të respektonim mendimin e tyre Tirana nuk do të kishte kurrë një teatër të ri kombëtar.
Dhe nëse kjo do të ndodhte çdonjëri nga ne, çdo qytetar i këtij qyteti i angazhuar, i rezervuar ose indiferent në këtë proces duhet ta ndiente veten fajtor për faktin se ndikoi me militantizmin apo indiferentizmin e tij në sabotimin e kësaj mundësie unikale për kushtet në të cilat ndodhemi. Pra do të ishim ne fajtorë që qyteti të mbetet përsëri pa një teatër të ri.

A është e drejtë kjo?
Di të them që nëse ky qytet, Tirana ka një sistem urbanistik në qendër të saj që i jep të drejtën të quhet vërtet qytet, e ka këtë privilegj falë një grupi arkitektësh italiane, Bertè, Di Fausto, Ballio, Morpugo, Brasini, Bosio. E kuptoj që në kohen e komunizmit nuk mund të bëhej asgjë për të kujtuar sadopak kontributin e këtyre arkitekteve dhe urbanisteve, të cilëve u detyrohemi kaq shumë, por nuk e kuptoj se si ka mundësi që pas rënies së komunizmit gati 30 vjet më pas, askush nuk u kujtua për ta.
Në mirënjohje të ndërtesave që ata kanë projektuar dhe ndërtuar, nuk u kujtua dikush, arkitekt, historian, politikan, kryetar bashkie, ministër, apo kryeministër, për t’i vënë një pllakëz të vogël përkujtimore me një shënim: këtë vilë, pallat, teatër, ndërtesë apo stadium, e ka projektuar dhe realizuar arkitekti italian filan fisteku.
Ose këtë rrugë, bulevard apo pjesë të qytetit e ka projektuar filan urbanist.
Mund t’u jepej edhe ndonjë rruge në Tirane emri i tyre në shenjë mirënjohje. Nuk u kujtuam ta bëjmë një xhest të tillë për këta arkitektë jo sepse nuk e dinim apo nuk i donim, por sepse paskemi planifikuar te prishim atë çka ata kanë ndërtuar.
Njëri prej tyre është Giulio Berte, pikërisht ai që ka bërë teatrin për të cilin po flasim. Pra flasim për teatrin dhe nuk flasim për autorin sikur të ishte fjala për një nga ato ndërtimet makabre të sajuara me projektin e të zotit të shtëpisë shto miell e shto ujë.
Në fakt teatri aktual kombëtar që duam të prishim është puna serioze e një arkitekti të shkëlqyer. Siç përdoret rëndom për produkte të firmave të njohura mund të thoshim: Është “firmato”!
Po po ajo ndërtesë ndryshe nga 99.9 % e ndërtesave të këtij qyteti është “firmato” dhe mban firmën e Bertè.
Pra, ne kemi një qytet ku rrallëherë mund te ndodhe të mburremi me arkitektin e ndonjë ndërtese, por me teatrin mund ta bëjmë.
Dhe propozimi është që nëse duam, nëse meritojmë, nëse ndonjëherë do te ëndërronim të kishim një teatër të ri në qytet, në kryeqytet, duhet të pajtohemi me prishjen e teatrit “të vjetër”.
Pra duhet te prishim teatrin e “vjetër” firmato te Bertè për ta ndërtuar në të njëjtin vend teatrin e “ri” të arkitektit danez Bjarke Ingels, i cili është një nga arkitektet më të mirë të botës, pra një tjetër teatër “firmato”.
Sikur të kishim një pikturë të Morandit në shtëpi, jo më e mira pikturë e tij, por e firmosur nga vetë ai dhe piktori më i mirë në botë aktualisht të na ofronte pikturën e tij por me një kusht, që të ishte mbi pikturën e Morandit. Si do te vepronim? Si do të vepronit ju?

 

Më Shumë