Shkencë

Çfarë e pret Shqipërinë nga ngrohja globale

Gjatë viteve të fundit është folur shumë për ndryshimin e klimës në mbarë botën, por efektet që ajo shkakton nuk janë të njohura ende mirë. Njerëzit e kuptojnë se planeti po bëhet i nxehtë, një ndryshim që është lehtë i kuptueshëm, por efektet e nxehtësisë, janë shumë më të mëdha se sa thjesht “temperatura të larta”; janë shtuar sëmundjet që vijnë nga ndryshimi i klimës. Studimet e bazuara në një analizë afatgjatë, flasin për një variacion të temperaturës rreth vlerave mesatare shumëvjeçare. Përsa u përket reshjeve, meterologët thonë se ka një tendencë të lehtë zbritëse, që është vërejtur gjatë 10 viteve të fundit të shekullit të kaluar, e cila më pas ndryshoi drejtim papritur.

Thatësira.

Do të ketë më shumë thatësira, sepse temperaturat e larta sot çojnë në avullimin më të shpejtë të ujit sipërfaqësor. Ky fenomen nënkupton më pak borë dhe breshër, pasi do të bjerë më shumë shi i lehtë. Statistikat e ndryshimeve klimatike, të përgatitura për Shqipërinë, flasin për një rritje të temperaturës vjetore prej 1°C, 1.8°C, 3.6°C dhe reduktim të sasisë së reshjeve 3.8%, 6.1%, 12.5% për të njëjtat horizonte kohore. Në bazë të të dhënave, pritet që stina e dimrit të jetë më e butë dhe ajo e verës më e nxehtë dhe më e thatë.

Zjarret.

Temperaturat e larta dhe thatësira në disa vende do të ndihmojnë përhapjen e zjarreve dhe do të zgjasin sezonin e tyre, duke shkaktuar zhdukjen e pyjeve. Në vendin tonë, janë prerë hektarë të tëra me pyje dhe nuk është marrë asnjë masë kundër keqbërësve apo për zëvendësimin e tyre. Pyjet, jo më kot, janë mushkëritë për pastrimin e ambientit. Pavarësisht se Shqipëria vlerësohet nga institutet ndërkombëtare si një vend i dekarbonizuar, për shkak të mbylljes së industrive të vjetra metalurgjike dhe mos shkarkimit të gazrave në atmosferë, pyjet janë dëmtuar dhe qeveritë nuk kanë kryer investime afatgjata në ruajtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Temperaturat vazhdojnë të mbeten 2 gradë celsius më të larta edhe tani në muajin tetor, ndërsa reshjet e zakonshme për stinën e vjeshtës janë ende larg.

Përhapja e gjerë e disa sëmundjeve

Një nga përfitimet e jetesës në një klimë të ftohtë është se dimri vret insektet, si mizat ashtu edhe mushkonjat. Ndërsa kur temperaturat janë të ngrohta, mjedisi bëhet habitat i insekteve. Dhe për këtë arsye, sëmundjet që më parë i shihnim vetëm në vendet tropikale tashmë do të bëhen të zakonshme në të gjitha vendet. Rritja e temperaturave do lejojë që ato të mbijetojnë dhe në rajonet ku më parë nuk ekzistonin. Disa nga sëmundjet që mund të shkaktohen nga ndryshimi i klimës janë:

-Astma, alergjitë e frymëmarrjes dhe sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes

-Kancer

-Sëmundje dhe goditje kardiovaskulare

-Sëmundjet që lidhen me ushqimin dhe të ushqyerit

-Shëndeti mendor dhe çrregullime të lidhura me stresin

-Sëmundjet dhe çrregullimet neurologjike

Rritja e lagështirës në atmosferë.

Një nga gjërat më të çuditshme në lidhje më ndryshimet klimaterike është se efektet priten të jenë rrënjësisht të ndryshme në vende të ndryshme. Vendet që janë më të thata pritet të jenë më të lagështa. Dhe nëse ajri është i ngrohtë dhe mban shumë lagështi, atëherë do të bien më shumë reshje në formën e breshërit dhe të dëborës në tokë.

Temperatura e ngrohta

Gjatë këtij viti në vendin tonë u përmbyten qytete si Durrësi, Fushë-Kruja për shkak të lagështirës atmosferike, e cila ndihmohet nga temperaturat e larta. Rritja e reshjeve shtoi përmbytjet duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Rritja e niveleve të detit.

Rreziku i përmbytjeve gjithashtu vjen dhe nga rritja e nivelit të detit. Qyteti i Durrësit dhe i Vlorës, tashmë përmbyten më shpejt se në vitet e kaluara. Rritja e nivelit të detit është kryesisht nga temperaturat e ngrohta të oqeanit. Përveç shtimin të sasisë së ujit nga shkrirja e pandalshme e akujnajave në pole, uji ngrohet dhe zgjerohet duke rritur volumin e tij. Një rritje në volumin e oqeanit nënkupton nivel të larta të detit. Kombinimi i reshjeve të mëdha të stuhive dhe niveleve të larta të detit është arsyeja pse efektet e stuhive të mëdha do të vazhdojnë të jenë dramatike.

Ndërrime në habitatin e detit

Një efekt tjetër i ujit të ngrohtë të oqeanit është se ndikon shumë në jetën e gjallesave të detit. Qeveria nuk ka ende plane të mirëfillta për mbrojtjen e bregdetit. Është e dukshme veprimtaria shkatërruese në bregdetin tonë. Shembull i qartë i tërheqjes së tokës në favor të detit është në bregdetin e plazhit të Semanit, ku brenda disa viteve janë mbuluar nga uji i detit shumë hektarë tokë. Për këto probleme kërkohet të merren masa urgjente për studimin dhe zgjidhjen e kësaj situate.

Më shumë dete me acid

Dioksidi i karbonit, gazi më i zakonshëm me efekt serrë, nuk përfundon vetëm në atmosferë. Detet në vendin tonë gjithashtu absorbojnë shumë dioksid karboni që prodhohet nga lëndët djegëse fosile dhe kjo bën që në ujin e deteve të ketë acid. Ky acidifikim ka një efekt negativ për gjallesat detare fillimisht dhe më pas te njerëzit.

Shqipëria nuk është përdoruese e mirë e informacionit meteorologjik dhe sipas studiuesve, zyrtarët dhe kompanitë e biznesit nënvlerësojnë të dhënat shkencore në projektet e tyre duke anashkaluar mbrojtjen e natyrës. Shkalla e përfitimit të Shqipërisë nga investimet në mjedis është një me tetë, ndërsa shumë shtete të tjerë nga një njësi investim nxjerrin një njësi përfitimi. Natyrisht këto ndryshime të pritshme të klimës dhe nivelit të detit pritet të ndikojnë në të gjitha fushat social-ekonomike. Ndër to mund të përmenden reduktimet e pritshme në rezervat ujore, me ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimin e energjisë nga burimet hidrike. Gjithashtu, ndikime të konsiderueshme priten edhe në bujqësi, pyje, ekosistemet natyrore, shëndet dhe turizëm. Ndërgjegjësimi i publikut shqiptar për rreziqet nga klima dhe mjedisi është ende i pakët, pohojnë studiuesit. Shumica e popullatës jeton nën minimumin jetik dhe siguron mbijetesën duke dëmtuar rëndë natyrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë