Filma

Çarçafët e bardhë – Një film homazh për Maks Velon dhe vuajtjet e Spaçit

Çarçafët e bardhë të varur rresht dukeshin si vela anijeje gjigante. Anija ishte kampi. Telat e mbushur plot, ngjeshur, vinin njëri pas tjetrit, lidhur në shina metalike të ngulura në shkëmb, përforcuar me kunja të hekurta. Për të sistemuar terrenin, të dënuarit kishin ndërtuar katër tarraca tremetroshe me shtylla galerie. Kjo ishte zona e lavanderisë në punëtoritë ku laheshin dhe thaheshin çarçafët e të dënuarve. Nga e hëna në të shtunë, për gjashtë ditë, të njëzetetetë dhomat dërgonin një herë në javë çarçafët për t’i larë. Çdo ditë ishin gati pesëqind çarçafë, po të marrim parasysh se çdo i dënuar dërgonte dy, të sipërmin dhe të poshtmin. Çarçafët ktheheshin brenda ditës të tharë apo të patharë. Lavanderia nuk përgjigjej për tharjen, gjë për të cilën përgjigjej koha. Në verë ishte normale, të nxehtët që vinte nga sipër, po ca më tepër nga poshtë, nga shkëmbinjtë që përvëlonin e i thanin shpejt. Edhe kur nuk kishte erë, çarçafët thaheshin..

Fjalët e Maksit, shkëputur nga tregimi “Çarçafët e Bardhë”, kumbojnë me zërin radiofonik të gazetarit britanik Chris Keegan, ndërsa çarçafë të bardhë me vizatimet primitive në bojë të zezë, si ato në të cilat piktori dhe arkitekti i njohur linte markën e tij dalluese “Velo”, valëviten nga era e sertë e Spaçit. Nuk është më e butë as në maj e as kur nuk ka të burgosur për të fshikulluar.

Filmi me metrazh të shkurtër i regjisorit Pandeli Çeço, i cili u nderua me çmimin e Audiencës në edicionin e 18-të të Tirana International Film Festival, u ngjiz një javë pasi Maks Velo kishte ndërruar jetë, si një homazh për jetën, veprën dhe vuajtjet e tij, në kampin famëkeq të Spaçit, vetëm se kishte guxuar të shprehte modernizëm në veprat arkitekturore, në pikturat dhe skulpturat e tij.

Pandeli Çeço vjen nga një karrierë e gjatë në dizajnin grafik, por puna e tij e parë në një projekt dokumentar me metrazh të gjatë ishte më 2018-n si skenograf i filmit "Azizi - rrëfen një histori të vërtetë”.Pas kësaj ai filmoi, drejtoi dhe editoi një seri dokumentarësh mbi temat e persekutimit nga e kaluara diktatoriale e Shqipërisë, duke përfshirë “Kitarë e burgosur”, “Gurët e besimit”, “Kufij të përgjakur”, “Mall për të kënduar “, “Revolta e Qaf-Barit”, “Kryet nalt”, “ Të zhdukurit “ Përndjekja e kulakëve në diktaturë” “Pelegrinazh në burgjet e diktaturës komuniste”, si edhe dokumentarin e shkurtër “Çarçafët e bardhë”.

Regjisori Pandeli Çeço duke tërhequr Çmimin e Audiencës, në TIFF, shtator 2020

...M’u kujtua biruca, hetuesia, ku për gjashtë muaj nuk pashë letër me sy, dhe hetuesi që së fundi para gjyqit më dha një letër, vetëm një fije dhe një laps të vogël sa një gisht dhe më tha: akuzo vetveten. M’u kujtua se si para arrestimit grisa me qindra letra vizatimi me punë të bëra në njëzet e pesë vjet ... dhe sa e doja letrën e bardhë.

Kështu, bashkë me regjisoren morën rrugën drejt Spaçit, godinë që prej tre dekadash i është lënë në dorë kushteve klimaterike dhe atyre që shkulën prej aty çdo shufër a copë metali për ta shitur si skrap. Me planet e mbetura thjesht në letër për ta shndërruar në një muze të krimeve të komunizmit- një lloj Aushvici të Shqipërisë -, kur deri më tani këtë shndërrim e kanë parë vetëm bunkerët anti-bërthamorë të paranojës diktatoriale, ajo godinë e degraduar ka marrë pamjen e një përbindëshi, i ushqyer me shpirtrat dhe ëndrrat e atyre që e banuan dikur.

Dy vite më parë, lexuam një histori mbresëlënëse të arkitektit dhe piktorit të njohur shqiptar Maks Velo, i cili shkroi për vitet e tij në burg një libër, me titull "Përkthyesi". Ishte një histori që na mbeti në mendje. Unë e imagjinoja atë kohë historinë si një film dhe “Çarçafët e bardhë” është pothuajse i njëjti film. Fatkeqësisht, ne e përfunduam filmin disa ditë pasi autori ndërroi jetë”, rrëfen regjisori, i cili vitet e fundit ka qenë regjisor i një seriali dokumentarësh mbi temat e persekutimit nga e kaluara diktatoriale e Shqipërisë nën regjimin komunist, në bashkëpunim me skenaristen Luljeta Progni, me të cilën ka realizuar edhe filmin e fundit.

Përpara prezantimit në TIFF, filmi ishte shfaqur këtë qershor në “Direct Monthly Online Film Festival”, duke u renditur në dhjetë më të mirët. Në gusht udhëtoi drejt Greqisë, në Festivalin e 7-të Ndërkombëtar të Dokumentarit në Ierapetra, duke zënë vendin e tretë, ndërsa më tetor do të shfaqet në -    Festivalin i Filmit të Shkurtër “Ballkan Beyond Borders”, në“TIFF ODA”, në Maqedoninë e Veriut. Po në tetor, është konkurrues në Festivali i 6-të Ballkanik i Filmit Panorama në Turqi dhe në nëntor prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar i Filmit Historik Pápa - Hungari .

...Kur ngjiteshim sipër malit për te galeritë, shihja atë cipë gjigante të bardhë si një petë brumi e holluar nga një okllai e stërmadhe. Qëndroja për disa sekonda dhe shihja dritën që i bintepërballë dhe reflektohej duke marrë me vete bardhësinë që ia hidhte malit shkëmbor.Kur zbrisnim nga puna, drita binte nga ana tjetër dhe çarçafët bëheshin si një letër e hapur me mijëra metra katrorë. Vizatoja me mend.

Vendosja vija që zgjateshin e zgjateshin pa mbarim, pastaj puntoja pika me trashësi të ndryshme, hidhja me fuqi njolla, merrja prapë linjën dhe bëja kurba të buta dhe të kapërthyera, hiqja vija paralele, bëja portrete dhe filloja të kompozoja figura, pastaj grupe me figura në lëvizje, bëja cikle të tëra. Kaloja nga njëri çarçaf në tjetrin ashtu si grafisti nga njëra letër e bardhë në tjetrën. Ndieja atë kënaqësi që ndien vetëm ai që prek letrën e bardhë për herë të parë. Me shekuj shkoja mbrapa kur letra prodhohej nga fletët,nga orizi, pambuku dhe druri. Ç’gjë e bukur. Ata artizanë të paemër, të panjohur kanë zbardhur botën.

“Ishte një meditim mahnitës plot me figura letrare dhe simbolikë, por në të njëjtën kohë kaq i thjeshtë dhe minimalist. Çarçafët e bardhë ishin më shumë se një copë pëlhure e bardhë. Ato ishin simbole të pafajësisë, dëlirësisë, ëndrrës, imagjinatës dhe lirisë. Artisti ndihej i lirë edhe pse ishte i mbyllur në mes të ferrit, i rrethuar me tela me gjemba mes maleve të largëta të Shqipërisë”, rrëfen më tej regjisori Çeço duke shtuar se Velo u ndje i frymëzuar dhe i fuqishëm për të realizuar përmes imagjinatës së tij ato piktura të bukura shprehëse, ku çdo personazh ka luajtur një rol kryesor në jetën e tij gjatë asaj periudhe të vështirë. Pavarësisht nga ndëshkimi dhe persekutimi, piktori ndërtoi botën e tij mes dhimbjes, edhe pse i pikturoi ato në kanavacë vetëm pas vitit 1991.

https://www.facebook.com/100002931460582/videos/pcb.3251369004970783/3251352154972468/

I kishin mbetur ende tregime pa shkruar e pa përfshirë në botimet e tij të mëhershme si “Hetimi”, “Kohë Antishenjë”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Ese për diktaturën shqiptare” apo “Kokëqethja”. Shkroi “Përkthyesin”, të cilin e botoi në fillim të 2018-s, në shtëpinë botuese “UET Press”.

“I kam shkruar këto gjëra që të kuptoni se Spaçi nuk ishte ashtu si jua thonë juve. Spaçi ishte një çmendinë. Një gjë shumë e vështirë. Atje vërtet kishte njerëz që ishin kundërshtarë të regjimit, por edhe konturi i shumtë ishte anormal sepse vetë jeta e bënte të tillë”, thoshte Maks Velo gjatë përurimit të librit e që mbeti aktiv në fushën e letrave, por edhe të pikturës deri në ditën që ndërroi jetë.

“Doja të ishte një dokumentar sa më i shkurtër konceptual dhe interpretues, duke kondensuar një histori të dhimbshme bazuar në tregimin e jashtëzakonshëm dhe të ndjerë të piktorit që shfaq artin e tij të bukur edhe në një mjedis të zymtë. Personazhet kryesore duhej të ishin pikturat në çarçafët e bardhë, që ilustronin rrëfimin në një mënyrë të thjeshtë, duke krijuar atë ndjenjën e ëndërrimit që nuk mund ta harrosh”, thotë Çeço, i cili e ka përcjellë përsosmërisht ndjesinë. Shpirtra të vuajtur, si vizatimet e artit primitiv të Maksit, i cili ngulmonte se aty qe e fshehur vetë modernia, madje edhe futuristja, por të lirë për të fluturuar tashmë jashtë rrethimeve të atij kampi, simboli më i frikshëm i diktaturës.

Kur era ishte më e fortë, çarçafët ngriheshin lart ngadalë, përplaseshin si krahët e një zogu deti, thyheshin e binin poshtë me rëndesë dhe unë mbaja frymën duke i pritur që të ngriheshin prapë, më me vrull dhe madhërishëm.

“E kam nisur me muzikën, studioja piano dhe vazhdoj t’i ndjek koncertet simfonike në Paris, tani ndoqa edhe orkestrën e Londrës. Pastaj u dhashë pas arkitekturës, pikturës. Kam botuar artikuj studimorë, por jo për letërsi”, rrëfente Maksi, duke thënë se Burgu ia kish bërë të pamundur të mos shkruante.

Në botimin e dosjes së hetimit, me titullin “Jetë Paralele”, zbulohet sesi kolegë e miq e kishin spiunuar se kishte ndikim të artistëve perëndimorë dhe shfaqte hapur frymë moderniste e dekadente. E dënuan me dhjetë vite burg dhe 250 piktura ia dogjën në kaldajën e Gjykatës së Tiranës. Disa mundi t'i risillte në jetë, të ruajtura thellë në kujtesë, pasi më në fund ishte i lirë të shprehej si donte dhe sa donte, në forma dhe përmbajtje dikur të ndaluara.

Maks Velo. Foto: Jetmir Duraku

Kaloja nga njëri çarçaf në tjetrin, njëri më i bukur se tjetri për t’u pikturuar. Më dukeshin si telajo të tendosura ku mund të zgjasja dorën për të bërë punë të mëdha. Zgjata dorën dhe bëra një lëvizje. “Ç’gjë e bukur të pikturosh”, - mendova.Mbas çarçafëve shihje hije të lehta, pastaj më të forta, silueta në lëvizje. Ishin punëtorët e lirë në rrugë që ngjiteshin të ngarkuar me arkat me dinamit për të bërë shpërthimet. Pastaj çarçafi lëkundej, lëvizte dhe ngjitej lart nga era, si këmisha e brendshme e një femre që ngrihet nga era dhe unë shihja me dëshirë këmbët e saj të zbuluara pak. Teatër absurd.

Ashtu si jeta e tij, e cila kaloi nga Modigliani, Picasso, Henry Moore e Matisse tek miniera e bakrit në Spaç, tek riskat e ushqimit që nuk ngopte kurrë, familja që ishte shkatërruar “babai vdiq nga hidhërimi, vëllain e hoqën si kirurg në spitalin e Vlorës dhe motra përfundoi në çmendinë”, rrëfente ai dhe i tradhtuar nga miqtë. “Kujtoja se kisha miq, kisha shokë...”, thoshte i hidhëruar, por edhe i dorëzuar vitet e fundit. Nuk mori asnjë ndjesë, asnjë shpjegim pasi marrja në duar e dosjes së Sigurimit, ia bëri të qartë emrat e atyre që e kishin spiunuar.

Maks Velo në Spaç, vite më vonë pas lirimit

“Mesa duket kështu do e mbyll jetën. Kisha gjithë dëshirën e mirë për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur”. E megjithatë ai nuk u ndal së shkruari, duke lënë testamentin e fundit me rrëfime nga burgu, në dorëshkrim.

Mbas tetë vjetësh, si u lirova, u ktheva përsëri të shoh kampin. Pasi i rashë rrotull, shkova nëpër dhoma, në mensën ku hanim, u ngjita dhe nga punëtoritë. Mali i lagur nga shiu i mëngjesit nxinte. Çarçafët e bardhë mungonin. Tani në studio kisha letra nga të gjitha markat, dimensionet, kisha telajo kanavacë, kisha edhe letra për të shkruar. Çarçafët mungonin!

Maksi nuk mundi ta shihte, sepse më 7 maj ndërroi jetë, pasi një anemi kokëfortë e serioze vendosi ta marrë në moshën 84 –vjeçare. Por çarçafët, pak ditë pasi u transferua në banesën e fundme, në Tufinë, u nderën sërish në kampin e Spaçit ,ashtu siç i kishte imagjinuar ai dikur, si telajo gjigante ku të pikturonte i lirë përgjithmonë.../S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë