Mendim

Bomba në mikrofon

Nga Suadela Balliu-Edhe një tjetër maniak i shtohet listës, ishin fjalitë raportuese paraditen e së shtunës pasi policia kishte arrestuar një pedofil të moshës 46-vjeçare që kishte dhunuar një të mitur, vetëm 13 vjeç. Dhe lista e shkelësve të krimeve seksuale, kryesisht pedofilë, në vendin tonë është e gjatë.

Ende është e freskët në kujtesën e një shoqërie amnezike, ngjarja me  një tjetër pedofil, një rojë shkolle që jo vetëm dhunoi një të mitur por e shtyu në përdhunim në grup, duke e shantazhuar më pas me filmimet.

Ngjarja ngriti më këmbë një pjesë të shoqërisë që dolën të protestonin për fëmijërinë e vjedhur dhe “përdhunuesi je ti” (kush tjetër) apo me mesazhe provokuese shkruar në këmbët e dy adoleshenteve si “A po ta ngref” apo “Më përdhuno!” dhe për shkak të përfshihej një punonjës i një instituti arsimor 9-vjeccar, mori edhe natyrë politike.

Edhe emisionet televizive që u morën  me çështjen në fjalë – ku më shumë sesa trajtimi në parim dhe në thelb i  problematikës, ishte ai i zbulimit të sa më shumë detajeve morboze, e patën inflacionin në tri ditë. Më pas,  gjithçka kaloi në heshtje, sepse të tjerë halle madhore kishte vendi, i zhytur në pandeminë globale duke numëruar të infektuarit dhe të vdekurit nga Covid 19-, duke përshtypjen se jetojmë në një shoqëri thuajse Eden-iane para  mëkatit fillestar,  ku i vetmi “krimb” që gërryen shoqërinë e shëndoshë është koronavirusi.

Nga protesta e qershorit, 2020.

Ja ku jemi, as katër muaj më vonë, një tjetër pedofil godet sërish. Përdhunon një 13-vjeçare, që është shoqja e së bijës. Reporterët ( megjithë respektin që ushqej për punën e palodhur të gazetarëve të terrenit dhe sakrificat personale që u duhet të kryejnë për të qenë në vijën e parë të lajmit të fundit) nuk mjaftohen me të dhënat e zyrtarëve të policisë, por i transferojnë kamerat dhe mikrofonët drejt e në shtëpinë e keqbërësit, i cili ka një bashkëshorte invalid e  për shkak të një aksidenti as nuk mundet të flasë- edhe këto detaje të mësuara nga gërmimi në vendin e ngjarjes - dhe një vajzë të mitur, në moshën e viktimës.  Të kuptohemi, kjo nuk duhet lexuar si empati ndaj keqbërësit, por mungesë e trajtimit me etikë të familjarëve, veçanërisht kur janë të mitur apo me aftësi të kufizuara fizike.

Përveçse ndezin prozhektorët duke hedhur  dritë mbi çdo detaj rrethanor që shpesh nuk ka lidhje me zbardhjen e ngjarjes, më shumë sesa me furnizimin e thashethemnajës që gëlon me doza marramendëse në një fshat të vogël, ku të gjithë njihen me të gjithë jo vetëm me pemë gjenealogjike, por deri edhe me anamnezë.

Kështu, mikrofoni kthehet në një bombë morali, sapo vihet në gojët e bashkëfshatarëve. Ka nga ata që e thonë me prepotencë se e dinin, kishin dëgjuar se personi në fjalë ishte maniak seksual, kishin dëgjuar zëra edhe më herët, të tjerë që thonë se as kafshët nuk shkojnë në këto akte dhe të tjerë akoma, që fajësojnë mamanë e vajzës përse e linte të bijën në shtëpinë e shoqes.

Askush nuk kishte denoncuar më herët, asnjë nga komuniteti nuk kishte ngritur zërin mbi individin problematik në shoqërinë e tyre të vogël dhe barra e fajit, edhe kësaj here do të bjerë mbi të voglën. Sa pa u kryer një krim, askush nuk flet dhe të gjithë shohin punët e tyre të vogla, zhytur në hallet e përditshmërisë, por sapo krimi ka ndodhur – i cilësdo natyre qoftë-, të parët për të dalë para mikrofonit janë familjarë, të afërm, fqinjë që thonë se e dinin më herët që diç nuk shkonte.

Emisionet televizive dhe portalet janë ende duke gërmuar mbi hollësi, sesi për një muaj pedofili përdorte dhunë fizike  dhe kërcënim, për të përdhunuar të miturën.

Trajtimi i fenomenit  tashmë është një dejavu. Më shumë sesa në parim, trajtohet rasti derisa nga shqyerja në gojët e analistëve mbeten vetëm eshtrat e një individi, që nëse ka fat do t’i duhet trajtim i gjatë dhe i specializuar për t’iu kthyer ngadalë normalitetit dhe nëse është pa fat, do të zhytet edhe më në hullitë e traumave që i ka lënë krimi mbi të.

Moderatorët i mbushin panelet e emisioneve televizive me  gazetarë të kronikës, sesa me psikiatër, psikologë, sociologë, punonjës socialë e me radhë...(Ka edhe nga ata që mburren profesionalisht, se kanë qenë të parët që kanë hedhur një video përdhunimi në grup, si copë mishi për  një tufë të uritur hienash, që variojnë nga moralistët pa dhembshuri tek injorantët e pandjeshëm).

Pak ose aspak interesohet shoqëria jonë dhe mediat të ofrojnë informacion të vlefshëm për prindërit e të miturit sesi duhet të mbrohen nga  pedofilët, se çfarë metodash përdorin ata për të joshur e më pas shantazhuar për të vijuar me krimin e tyre, se çfarë ndodh në psikën e viktimës kur e kërcënojnë me turpërim publik ( me apo pa dashje media ia del ta çojë deri në fund këtë turpërim), pak ose aspak ftohen specialistë të shëndetit mendor për të kuptuar se cc’skizmë ka në trurin e maniakut, pedofilit, perversit që e çon drejt këtyre krimeve.

Gjithë ç’i intereson kësaj shoqërie, ku bëjmë pjesë të gjithë pa dallim gjinie e profesioni, është të marrë vesh sa më shumë detaje, që do të ishin me vlerë vetëm për ndonjë shkrimtar të librave të verdhë apo regjisor filmash  horror, e më pas për të nisur  linçimin (pa kursyer viktimën dhe familjen e saj) në skenën virtuale të moralit, ku të gjithë gënjejnë veten se bëjnë jetë puritanësh dhe hedhin gurin si të pamëkatë e të patëmetë, pa u druajtur se keqbërësi, perversi, maniaku, pedofili mund të jetë në portën ngjitur. E me të trokitur rasti i radhës, mikrofonat do të bëhen gati për t’u vendosur si bombë morali në gojët e gabuara...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë