Para

Bizneset shqiptare pesimistë për të ardhmen, ulin kërkesën për kredi

Bizneset ndjehen pesimistë për të ardhmen e ekonomisë në vend nisur nga kriza e shkaktuar prej pandemisë, prandaj ata nuk kanë preferuar të marrin kredi për investime edhe në tremujorin e tretë të vitit.

Banka e shqipërisë në raportin e aktivitetit kreditues tregon se kërkesa për kredi e bizneseve është raportuar disi më e ulët në tremujorin e tretë të vitit 2020.

Kërkesa më e ulët për kredi është shfaqur vetëm në segmentin e biznesit të madh dhe në kreditë dhënë për financimin e investimeve.

Por është vërejtur një kërkesë e shtuar për kredi nga bizneset e vogla e të mesme, si edhe për për likuiditet.

Në  tremujorin  e  fundit të vitit bankat presin zgjerim të kërkesës për kredi si nga biznesi i vogël e i mesëm, ashtu edhe nga ai i madh.

Bankat presin rritje të kërkesës për kredi  për  likuiditete,  ndërkohë në  kreditë për  investime  pritet një  kërkesë pothuajse e pandryshuar nga një tremujor më parë.

Sipas bankave, mungesa  e  kërkesës  për  financimin  e  investimeve,  si  edhe  kushtet  e përkeqësuara  të  financimit kanë ardhur  nga  rënia  e  besimit  të  biznesit,  si  edhe  nga  situata  aktuale  ekonomike  e perspektiva për të.

Kërkesa për kredi nga ana e bizneseve ka qenë për nevojat për:  rifinancimin/ristrukturimin  e  borxheve ekzistuese; financimin  për bashkimin  e  kompanive; si  edhe financimin  e  inventarëve  dhe  kapitalit qarkullues.

“Përtej faktorëve tradicionalë që ndikojnë në zgjerimin e kërkesës për  kredi,skemat  e garancive sovrane  ofruar nga  qeveria për të  zbutur efektet negative nga Covid-19, si edhe fushatat e iniciuara nga vetë  bankat,duket se kanë nxitur kërkesën  për  kredi  nga  ana  e  bizneseve gjatë këtij tremujori”, thotë Banka e Shqipërisë.

Në të njëjtën kohë edhe bankat kanë shtrënguar standardet e kreditimit edh enë tremujorin e tretë të vitit 2020. Kjo si në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në atë të biznesit të madh, nxitur prej kredive dhënë me qëllim financimin e investimeve.

Kurse standardet e kreditimit për kreditë e akorduara me qëllim mbulimin e nevojave për likuiditet u lehtësuan disi në tremujorin e tretë.

Për tremujorin e fundit të vitit 2020, bankat presin që të vijojë shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset, duke qenë më evident në kategorinë e bizneseve të mëdha, si edhe në kreditë për financimin e investimeve. Nga ana tjetër, bankat u shprehën se do mbajnë thuajse të pandryshuara nga një tremujor më parë standardet e kreditimit për bizneset e vogla e të mesme, si edhe për kreditë me qëllim financimin e nevojave për likuiditet.

Shtrëngimi  i  standardeve të  kreditimit për bizneset u ndikua nga perceptimi i bankave për rrezik të shtuar lidhur me situatën ekonomike e perspektivën për të, si edhe me aftësinë paguese të kredimarrësit. Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ishte faktor që luajti rol në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset. Pandemia dhe pasiguritë e lidhura me të u raportua sifaktor me ndikim shtrëngues në standardet e kreditimit edhe në këtë tremujor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë