Drejtësia

Bilanci i KPK në 5 vite Vetting: 535 vendime të marra dhe 200 shkarkime

Gazeta Si - Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vettingut, shënon këtë të premte 5-vjetorin e krijimit.

Më 17 qershor të vitit 2017, 12 komisionerët e votuar nga Kuvendi i Shqipërisë, nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), nisën zyrtarisht ushtrimin e detyrës.

Gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të drejtësisë nisën kalimin në “rrjetën” e komisionit.

Me rastin e 5-vjetorit të krijimit, KPK ka bërë dhe një bilanc sa i takon numrit të vendimeve të konfirmimeve në detyrë apo shkarkimeve.

Në 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë dhe sot, më 17 qershor 2022, ai numëron në total 535 vendime.

Nga këto, 209 janë konfirmime në detyrë, 200 shkarkime, 88 pushim/ndërprerje procesi, 35 përfundim procesi pa vendim përfundimtar, si dhe 3 vendime pezullim nga detyra (raporti statistikor).

Misioni për të cilin morën përsipër 12 anëtarët e Komisionit, nuk ishte vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor për të kryer procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me synim rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori.

Por edhe përgjegjësi e lartë personale e profesionale në funksion të ndërtimit të një sistemi të pavarur, të drejtë e të paanshëm.

Deri në fund të mandatit të Komisionit, mbeten për t’u rivlerësuar edhe 270 subjekte, me qëllim përmbylljen e Vettimit të listës së plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë).

Gjatë kësaj periudhe, janë shkarkuar personazhe të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare, qofshin prokurorë apo gjyqtarë, si ish-drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Por edhe emra që Vettingu i ka përcaktuar të dyshimtë, sa i takon figurës dhe integritetit personal e profesional, si Prokurori i Krujës, Arjan Ndoj apo ai i Tiranës, Anton Martini.

Të gjithë me një karrierë të gjatë, por që nuk ka mjaftuar për të vijuar detyrën dhe treguar një shkallë të lartë besueshmërie para publikut.

Nga ana tjetër, opozita shpesh ka akuzuar mazhorancën se e ka përdorur Vettingun politikisht për pastrimin e sistemit të drejtësisë në mënyrë të njëanshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë