Drejtësia

Shkarkohet kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj, nuk e kalon Vettingun

Gazeta Si - Elisabeta Imeraj, një nga prokuroret më të njohura në vend, është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, duke mos e kaluar dot Vettingun.

Drejtuesja e trupës gjykuese, Ina Rama tha se Imeraj nuk justifikon pasurinë, ndërsa trupa gjykuese tha se Imeraj kishte mangësi në të tre kriteret e vlerësimit.

Imeraj, e cila njihet se prokurorja e dosjeve të bujshme është shkarkuar nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas disa seancave maratonë të zhvilluara si rrallë herë në procesin e Vettingut.

Duke folur për mediat pas vendimit, Imeraj e konsideroi vendimin ndaj saj politik dhe në kundërshtim me ligjin.

“Në KPA jam drejtuar me pyetje konkrete: kush e dëshiron shkarkimin e Elizabeta Imeraj? Vetëm kjo përgjigje nuk u dha në vendimin e sotëm. Shpresoj se do ta kem të arsyetuar se kush e dëshiron shkarkimin e Elizabeta Imerajt nga sistemi i drejtësisë”, - tha ajo.

Imeraj, u shpreh se “kam paraqitur prova që dëshmojnë se ky proces ka qenë i ndikuar që në fillim të tij. Për shkak të marrjes në shqyrtim të denoncimeve anonime të bëra”.

Sipas saj për kriterin e figurës, rezulton se subjekti ka mohuar faktet për ish-kunatin, duke treguar jo korrektësi të magjistratit.

"Subjekti ka treguar sjellje jo profesionale, duke kontaktuar përfaqësues të ONM që ndiqte procesin e saj. Vendosja e kontakteve me ONM për çdo arsye e jo e duhur dhe jo ligjore. Është sjellje e papërshtatshme", tha Ina Rama, teksa njoftoi shkarkimin.

Imeraj ishte konfirmuar më herët në Shkallën e Parë, por me sugjerim të ONM-së, vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik.

Gjatë procesit në Shkallën e dytë, Imeraj kërkoi konfirmim në detyrë, megjithatë trupa e Kolegjit të Apelimit gjeti probleme në pasurinë e saj.

Imeraj ka kërkuar që të lihet në fuqi vendimi i KPK-së që e konfirmoi në detyrë, teksa komisioneri Publik, Florian Ballhysa, në raportin e tij, kërkoi shkarkimin e saj me argumentin se nuk plotëson asnjë nga tre kriteret e Vettingut.

Sipas tij, ankimi është paraqitur brenda afatit dhe është ligjërisht korrekt. Sa i përket pasurisë, Imeraj në deklaratat nga viti 2004 deri në vitin 2016, s’ka deklaruar asnjë pasuri që lidhet prej regjimit martesor.

Lidhur me truallin me sipërfaqe 2500 m2, ndodhur në Tiranë, Komisioneri Publik tha se Imeraj, as në proceset në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nuk provoi të kundërtën e asaj që ka gjetur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë