Drejtësia

Vettingu ‘mori’ 116 prokurorë, Olsian Çela kërkon të rritet numri i oficerëve gjyqësorë

Gazeta Si - Në raportin e tij vjetor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kryeprokurori Olsian Çela ka shprehur disa problematika, që kanë shkaktuar vështirësi të shumta.

Sipas kreut të organit të akuzës, pandemia Covid 19 ka krijuar shumë vakanca në sistem.

Kjo ndikoi dhe krijoi probleme edhe në funksionimin e sistemit të prokurorisë.  

Por edhe për shkak të largimeve të prokurorëve nga detyra pas procesit të Vettingut, gjë që krijoi mjaft vakanca në sistem.

“116 prokurorë mungojnë në juridiksion të përgjithshëm. Kemi shtuar numrin e oficerëve të policisë gjyqësore në prokuroritë që ka vakanca prokurorësh”, - thuhet në raportin e publikuar.

Megjithatë, për të zgjidhur fluksin e dosjeve hetimore, Çela ka kërkuar nga Policia e Shtetit që të shtojë numrin e oficerëve të policisë gjyqësore.

“Ndërkohë Komisioni ka caktuar numrin e përgjithshëm prej 250 oficerë të Policisë Gjyqësore të Seksioneve të Policisë Gjyqësore në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, si dhe pas kryerjes së procedurave të konkurimit është mundësuar emërimi i 25 oficerë të policisë gjyqësore në seksionet pranë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, për të lehtësuar dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve në përballimin e volumit të punës në rritje, në ato prokurori të cilat aktualisht janë të mbingarkuara me kryerjen e hetimeve, ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e çështjeve në gjykim”, - u shpreh Çela.

Sipas raportit, vihet re se janë mbartur 18 mijë dosje nga viti 2021. Ndërkohë, gjatë një viti, janë mbyllur 25 mijë dosje.

Kjo “përbën ulje prej 1,84 % të çështjeve  të përfunduara krahasuar me vitin 2020”, - vijon raporti.

Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore, rezulton se në vitin 2021, janë dënuar 8371 të pandehur dhe për 144 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose krahasuar me vitin 2020 me rritje 4,35 % e numrit të pandehur të dënuar dhe ulje 5,26 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm.

Për sa i përket performcanës së prokurorive, Tirana mban rekord me 9.149 procedime të regjistruara pranë Gjykatës së Shkallës së Parë.

Nga analiza në përqindje e raportit të çështjeve të përfunduara me procedimet e regjistruara në secilën prokurori për vitin 2021, del performancë më e ulët në Prokuroritë e rretheve gjyqësor Sarandë, Lushnjë, Gjirokastër, Kavajë, Tropojë, me tregues të përformancës nën 70 %, etj,

Ndërsa performanca më e lartë, evidentohet në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Pukë, Kukës, Mat e Fier.

Të dhënat sipas secilës prokurori për vitin 2021 që tregojnë totalin (volumin e punës) janë: -18192 çështje të mbartura, -28349 çështje të regjistruara, -934 çështje të rifilluara dhe -13501 procedime të mosfilluara.

Sa i takon bashkëpunimit me SPAK, ILD apo agjencitë ligjzbatuese, kontaktet dhe shkëmbimet e informacionit kanë vijuar, duke respektuar veçoritë dhe kompetencat institucionale të parashikuara në ligj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë