Politike

Vettingu, ONM pro zgjatjes së mandatit të KPK-së: Konsultohuni edhe me Komisionin e Venecias

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka përshëndetur nismën e mazhorancës për ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që t’i zgjatet mandati kushtetues.

Në një deklaratë për mediet, të publikuar edhe në faqen zyrtare të Prezencës së Bashkimit Europian në Tiranë, ONM nënvizon domosdoshmërinë e shtrirjes së afateve kohore të KPK-së dhe Institucionit të Komisionerëve Publikë

“Në përputhje me mandatin e monitorimit që i është dhënë ONM-së nga Kushtetuta e Shqipërisë, ONM konsideron se është me rëndësi parësore që të përfundojnë të gjitha rastet e verifikimit në pritje në periudhën më të shkurtër të mundshme kohore, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit. Për të arritur këtë rezultat, është e nevojshme një zgjatje e kufizuar në kohë e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publikë”, - thuhet në reagimin e ONM-së.

Sipas saj, kjo “do t’i lejojë dy organet të përfundojnë të gjitha rastet në të cilat ka filluar hetimi. Është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një shtrirjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me aktorët përkatës, përfshirë Komisionin e Venecias”.

Në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, propozoi zgjatjen e mandatit të Vettingut.

Ai tha se do të kërkojnë bashkëpunimin me opozitën për ndryshime kushtetuese që përfshijnë vetëm zgjatjen e mandatit të procesit të Vettingut me të paktën 2 vite të tjera.

Në qershor të vitit të ardhshëm Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkalla e parë e vettingut, i skadon afati 5 vjeçar. Gjatë këtyre 5 viteve ky institucion nuk i doli dot të bëjë shqyrtimin e 800 subjekteve.

Për këtë arsye mazhoranca i ka bërë thirrje edhe opozitës që të bashkëpunojë për ndryshimet kushtetuese për shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vettingut dhe komisionerit publik.

Mazhoranca nuk i plotëson e vetme votat e mjaftueshme në Kuvend (77 nga 94 që i duhen), ndaj është i nevojshëm bashkëpunimi me opozitën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë