Biznes

Beteja e fundit e Komitetit

Sabina Veizaj - Arbri më thotë se kjo është beteja e tij e fundit në Shqipëri. Paskëtaj, mund të ikë i qetë se luftoi deri në fund.

Ai e konsideron këtë betejë të fundit konceptuale. Duke e bërë publik rastin e tij, ai më shpjegon se ky rast është një nga qindrat apo mijërat e bizneseve shqiptare që përballen me arrogancën shtetërore që shkel ligjin.

Arbër Çepanit, pronarit të kafe-muzeum "Komiteti" i është faturuar një gjobë prej 40 mln lekësh në degën e Korçës për mosdeklarim të ardhurash.

Jemi në "Komitetin" e Tiranës, në një prej tavolinave në të djathtë sapo kalon derën hyrëse. Në të djathtën time qëndron i varur në mur një fustan me motive popullore, kur hedh vështrimin mbi tavan, e shoh të dekoruar me pjesëza druri në formë rrethore, ndërsa përballë meje qëndrojnë mbi mur disa radio Iliria në ngjyra të ndryshme. Unë mbaja mend ekzistencën e radio Iliria vetëm në ngjyrën gri.

Arbrin nuk e shoh të mërzitur, as të inatosur, as të zhgënjyer. Më pas gjatë bisedës më thotë se ka krijuar imunitet dhe ajo që e shqetëson është mospërjetimi i gjë prej gjëje.
Kjo sepse situata në vend, siç e përshkruan ai, tingëllon fare e pashpresë.

“Situata e biznesit në Shqipëri është tejet e zymtë, tejet e errët përtej dashurisë që gjithësecili prej nesh kemi për të ecur përpara. Megjithëse biznesi në aspektin formal dhe të të ardhurave është i ftohtë, aty ka shumë dashuri brenda. Në këto kushte që zhvillohet sot biznes në Shqipëri, 90 % e biznesit të vogël dhe të mesëm do ta kishin mbyllur aktivitetin. Duket sikur jemi kthyer në stade ku sipërmarrja është një lugat”, më thotë Arbri.

Ai e konsideron gjobvënien ndaj sipërmarrjes së tij, një situatë as pa dashje e as ndodhi të izoluar. Për të, kjo është mënyrë të sjelluri e kthyer në sistem.

“Është një fenomen i përsëritur dhe një normë e krijuar ku biznesi gjobitet nga xhandarë ashtu beftë dhe kundra çdo ligji në fuqi, ndërsa biznesi ushqen arkën e shtetit me taksa. Kur nuk ke gjë për të humbur, i hyn një beteje dhe vendos të flasësh. Kjo është një betejë e fundit. Kur sheh që çdo gjë të mbyt, nuk të kthen asgjë nga ajo që punon, ti nuk ke gjë në xhep, thua të vazhdoj apo të iki. Duke qenë se je me një humbje në xhep thua edhe nëqoftëse do të iki, të paktën të luftoj e të mos iki me pengje”, më shpjegon Arbri, teksa djali i mirësjellshëm që shërben në Komitet, i sjell një çaj dhe në pjatën e gotës së çajit vezullon letra e kuqe e karamele "Zanës".

Arbri më thotë se është një fabrikë në Shkodër që gatuan me recetën e asokohe karamelet "Zana" enkas për "Komitetin".

Mandej vijojmë bisedën aty ku e lamë, tek gjoba.

Përpara se t'i kërkoja një takim Arbrit, mendova; ne i përkthejmë (jo shqipërojmë, interpretojmë) keq raportet ndërkombëtare mbi lumturinë. Një nga kriteret e rëndësishme që një vend përcaktohet si më i lumtur krahasimisht me një tjetër është solidariteti dhe kjo nuk ka të bëjë me ekonominë. Kjo më erdhi ndërmend, prandaj vendosa ti bashkohesha zërave solidarë me Arbrin, që nuk janë pak.

Ai mendon se gjoba është një shkelje flagrante e ligjit. Edhe padija në Gjykatën Administrative të Korçës nga ana e tij është bërë për shkelje flagrante të ligjit.
Arbri më tregon se atë ditë kur kishin “zbarkuar” tatimorët e Tiranës në Komitetin e Korçës, ai nuk ishte prezent atje. Zyrtarët e shtetit i kishin sekuestruar kompjuterin që përdoret për të dhënat personale.

Arbri ndodhinë e gjobës do ta bënte menjëherë publike në llogarinë e tij në Facebook.
Ai do të shkruante se më datën 1 dhjetor, në Komitetin e Korçës, “një armatë tatimorësh të nisur nga Tirana, zbarkuan në biznesin që unë drejtoj dhe pavarësisht se ngjanin më shumë si forcat Renea për nga sjellja, sesa si funksionarë të tatimeve, ushtruan të drejten e tyre për të kontrolluar tavolinat nëse mungonin kuponat tatimorë! Çdo tavolinë ishte e pajisur me kupona. Kontrolluan kartat e indetitetit të punonjësve dhe çdo punonjës ishte i siguruar. Duke treguar qartazi në këtë pikë mësymjen e tyre tendencioze, pa paraqitur një urdhër pune, të detyrueshëm në këto raste, në kundërshtim me ligjin, sekuestrojnë kompjuterin e biznesit.” Po sipas ligjit, sqaron më tej Arbri, kur një kompjuter privat biznesi sekuestrohet, duhet që të sixhilohet dhe verifikimi i të dhënave të bëhet në prani të pronarit te kompjuterit nëe një afat kohor prej 7 ditësh. Vetëm nëse kalon ky afat, kontrollorëve u lind e drejta të bëjnë verfikimin e të dhënave pa praninë e pronarit. Dhe kjo për një arsye shumë bazike. E gjithë kjo procedurë është e mirëmenduar dhe e mirëstrukturuar nga ligji për një arsye shumë të thjeshtë: "Nëse shkelet kjo procedurë, çdo e dhënë është lehtësisht e manipulueshme"!

Ai shpjegon mandej se, procesverbali i sekuestrimit të kompjuterit, është bërë në datën 1 dhjetor dhe në kundërshtim absolut me ligjin, pa pritur dhe pa njoftuar, për 7 ditët që janë të shënuara si e drejtë që i takonte për të qenë prezent në analizen e kompjuterit.
“Ditën e nesërme, më 2 dhjetor, ditë e dielë, pushim për administratën, në mënyrën më naziste të mundshme, si në gjyqet e dikurshme të diktaturës me dyer të mbyllura, duke shkelur ligjin me këmbë dhe me duar bashkë, hapën, manipuluan dhe vendosën këtë gjobë qesharake 40 milionë lekë të vjetra për mos deklarim të të ardhurave! Aq të errësuar nga inati e marrëzia ishin, sa nuk patën mundesi as të llogjikonin për shifren që po vendosnin! Nuk patën as finesën të vendosnin një shifër më të besueshme, meqënse ishin nisur për të bërë dëm!”

Më1 mars, Arbri më tregon se ka depozituar ne Gjykaten Administrative, padinë.
Nëse nuk do të ishte tendencioz veprimi i shtetit, sipas Arbrit, nuk duhet të kishin frikë të zbatonin ligjin. “Nuk më mbeti rrugë tjetër veçse ta shpia në gjykatë. Kjo nuk është një betejë personale, por publike. Për të gjithë ata që e pësojnë si unë. Është betejë konceptuale , parimore ndaj një grushti njerëzish, 2% që kërkojnë të dhunojnë psikologjikisht ata që duan të vetpunësohen, ata që pagujanë taksa, ata që lëvzin diçka në vendin e tyre. Ata që duan ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ata shihen si lopë për tu mjelë. Nuk jam i vetmi. Janë 100 mijëra shqiptarë si unë”, më thotë Arbri.
Në këtë betejë të fundit, më rrëfen ai, pavarësisht forcave që na bien, duhet të rezistojmë sepse siç thotë më vonë, edhe kur të ikim, të paktën të themi që luftuam e pastaj nuk është më në dorën tonë.

Megjithëse ai e mendon largimin dhe ta eksportojë Komitetin kudo që të shkojë, në artikulimin e tij mes rreshtash, kupton që ai do të vazhdojë të bëjë gjëra të bukura në vendin e tij.

Si lindi Komiteti?

Komiteti si ide ka lindur 12 vite më parë teksa Arbri jetonte në Itali. (Por ka çelur dyert për publikun 7 vite më parë).
Si çdo shqiptar që është jashtë, edhe Arbri e donte më shumë Shqipërinë se ne që ishim brenda. Duke qëndruar 20 vite jashtë Shqipërie, ai kishte një tjetër qasje ndaj problemeve, krahasimisht me kur qëndron brenda. Sa herë studionte për Shqipërinë; historinë, trashëgiminë kulturore materiale të saj, ndiente keqardhje se po venitej, sipas tij.

“Ato objekte që kishin shenjuar jetët tona, kishin shenjuar kulturën tonë, mënyrën e të jetuarit dhe menduarit, po harroheshin, po prisheshin sepse ndoshta nuk i dinin vlerën që ato mbartnin, dhe tjetra se pjesa më e madhe e tyre shiteshin tek koleksionistë të huaj, turistë të huaj. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë zvogëlohej ky fond i jashtëzakonshëm i trashëgimisë kulturore dhe materiale të jashtëzakonshme që kishte në Shqipëri. Me dashuri të madhe për historinë dhe trashëgiminë nisa një koleksion të çfarëdolloj objekti që mund të mblidhja”, më tregon Arbri dhe këtë punë e nisi teksa ishte në Itali.
Kur vendosi të kthehej, u mor intensivisht me këtë punë.

Shkonte në çdo vend të mundshëm në kërkim të objekteve që ishin prodhuar në Shqipëri. Komiteti i Tiranës mbart një koleksion prej 17 mijë objektesh të trashëgimisë kulturore duke nisur nga 1700 deri në fillim të viteve '90.

“Kudo që kisha mundësi të shkoja, i kam marrë. Grumbulloja nga dita në ditë sa të ishte e mundur. Si fillim ishte e vështirë se nuk dija as ku të kërkoja, por fatmirësisht sa më shumë kalonte koha, aq më shumë mësonin njerëzit se ekziston një njeri me një dërrasë mangut që mbledh të gjitha rrangullinat e mundshme. Çfarëdo rrangulliqe të dilte në territorin e Republikës së Shqipërisë, më merrnin në telefon që të shkoja ta merrja. Kemi gjetur një radio që ti kërkon, një TV. I blija. Tregu i koleksionit është një ankand i hapur. Një objekt që ti e blije me 3000 lekë, pas tre ditësh shkonte në 30 000 lekë”, më rrëfen Arbri.

Tek e pyes se sa vlen ky koleksion si kapital monetar, më thotë se nisi të mbante shënime në fillim, por mandej, duke u rritur koleksioni, rritej, tensioni dhe shënimet u harruan.
Këtu lindi dhe idea e Komitetit, si një dëshirë për të vazhduar dhe promovuar këtë koleksion. Arbri nuk kishte më fuqi financiare ta zhvillonte dhe pasuronte këtë fond, sepse vetëm e shtonte, nuk shiste asnjë objekt të koleksionit.

Ata që merren me këto lloj koleksionesh, më shpjegon Arbri, shesin dhe blejnë. Është një formë tregtie. “Duke qenë se vetëm blija dhe nuk shisja arrita në një pikë ku nuk kisha asnjë qindarkë për të zhvilluar koleksionin.

Objektet në atë kohë ai i ruante ku të mundte; shtëpi, dhomë gjumi, zyrë, vende të miqve.
Pyetja që i rrinte çekan qe “nëse do të krijoj një muzeum të mirëfilltë me këto objekte, nuk do të ecë. Sepse shqiptarët në mesataren e tyre nuk është se kanë ndonjë afilacion të mirë me muzetë. Dhe kështu mund të falimentoja edhe pas një muaji.”

Duke bashkuar sportin më të dashur për shqiptarët që është kafeneja, Arbri vendosi të krijonte një kafene tematike; biznes social, kulturor, ku bujtësit që do të rendnin në Komitet të përballeshin me objekte të trashëgimisë kulturore dhe nga ana tjetër të konsumohej menuja e traditës shqiptare. E gjithashtu të rinjtë të mblidheshin për aktivitete të ndryshme.

Sepse pasurimi i këtij fondi dhe ruajtja e tij mund të ndodhte vetëm duke investuar nga burimi i biznesit.

Punimet për Komitetin kanë zgjatur më shumë se 1 vit e gjysmë dhe 90% është bërë me punë vullnetare.

“Megjithë vështirësitë e mëdha, se vështirësitë në Shqipëri janë të shumëllojshme kaloi gati një vit nga momenti që ishim hapur, papritmas e gjetëm veten në faqet e Neë York Times. Ishte si një ëndërr e bukur. Gjithë sakrifica u kthye mbrapsht.”- më tregon Arbri duke shtuar se e gjithë bota njihte pasionin e një grushti njerëzish për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore.

Pas tij Komiteti është shfaqur në medie të tjera ndërkombëtare: The indipendent, Vogue, Corriere della Sera, Lonely Planet.
Komiteti i Tiranës nga muaji mars deri në nëntor mësyhet nga të huajt. Madje Komiteti është atraksion turistik për grupe të organizuara nga Amerika, Izraeli, Gjermania, Kina, Japonia, etj.

Të huajt pëlqejnë autenticitetin tek Komiteti. Pasi aty gjejnë një koncentrat të Shqipërisë kulturore përmes objekteve të prodhuara në Shqipëri që prej 17000-1980 e ca.
Gjithashtu kërkojnë të provojnë shijet e mbi 50 lloje rakishe dhe likeresh, karamelet zana, ingranazhet, kurabiet e asokohe përmes të cilave mësojnë për kulinarinë dhe gjithë çka ndodhur në ato vite. Arbri më tregon se punonjësit e barit janë trajnuar si ciceron dhe dinë gjithçka rreth objekteve dhe produkteve të barit.

“Kjo është ajo që duan të huajt, ashtu siç ne kur shkojmë jashtë duam të njihemi me thelbin e atij vendi. Kjo është një arsye e madhe krenarie, ndërsa ne shpesh nuk i vlerësojmë, por i marrim si të mirëqena. Jemi munduar të ofrojmë një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri në miniaturë, një Shqipëri që ka prodhura radio, TV, raki, likere, bimë të ndryshme për çaj, etj”.

Arbri në vijim të rrëfimit, më shpjegon se nga impakti pozitiv që Komiteti pati në Tiranë, klientët thonin pse nuk e replikoni këtë në vend tjetër. Kur thua diku tjetër, më thotë Arbri, mendja të shkon në Korçë. Sepse është Republikë brenda Republikës, sipas tij. Me një investim prej 50 milion lekësh të vjetra i mbështetur edhe nga Fondi Amerikan për Zhvillimin, ai nisi Komitetin e Korçës.

Aty ai ka gjetur hapësirën më prodhimtare për të rritur idetë. Ai më shpjegon se Komiteti ka nisur punimet dhe në Gjirtokastër dhe dëshiron ta replikojë si në rajon edhe jashtë kufijve. Ai e konsideron si një Sturbucs të trashëgimisë kulturore. Kudo ku hapet, shfaq trashëgiminë kulturore të atij vendi ku çelet.

Komiteti Korçë

“Shpeshherë disa gjëra në Shqipëri bëhen të imponuara, atë ritën që duhet të kesh nuk e ke, mendojmë të luftojmë, të konkurojmë mendërisht për idetë me më më të mirët e globit, dhe në një moment tërhiqesh nga disa modele zhvillimi që të mbajnë një shekull pas”, më thotë Arbri dhe aty i shoh dilemën të qëndrojë apo të largohet, pavarësisht gjithçkaje dhe asgjëje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë