Analize

BE e alarmuar: SHBA na përjashtoi nga Kosova për shkëmbimin e territoreve

Dialogu Kosovë-Serbi duket se do të udhëhiqet tanime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i rrëmbyer Bashkimit Europian një faqe të rëndësishme historie në oborrin e saj.

Diplomatët e BE raportohet se janë të alarmuar që Presidenti Donald Trump i përjashtoi nga bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, duke shprehur shqetësimin se jo vetëm që interesat e BE-së do të mënjanohen, por se po luhet me interesat afatgjata të Beogradit dhe Prishtinës.

Kalvari i negociatave të kota të drejtuara nga Brukseli dhe ndërhyrja e fuqishme amerikane për të pajtuar Kosovën dhe Serbinë ka sjellë sipas BE-së dhe ekspertëve sërish idenë e shkëmbimit të territorit përsëri në tryezë si një mënyrë për të zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës.

Wolfgang Ischinger, ish ambasador gjerman në SHBA  tha se samiti i Uashingtonit nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe kërkoi një reagim nga Berlini, Parisi dhe Brukseli. Ndërkohë, tre zyrtarë europianë të lidhur drejtpërdrejtë me prapaskenat politike në Ballkanin Perëndimor thanë për "Bloomberg" se presidenti Donald Trump po injoron vite të tëra përpjekjeje nga ana e BE-së për pajtimin midis dy palëve.

Ata shprehen se po ashtu se fokusi kryesor i të dërguarin special të SHBA-sw Richard Grenell nuk është pajtimi i serbëve dhe shqiptarëve, por një fitore të shpejtë për t’i dhënë pikë Trump përpara fushatës presidenciale. “Shkëputja e BE-së nga dialogu tani ka pak kuptim sepse perspektivat e Kosovës dhe Serbisë është të bëhen pjesë e BE-së, thanë diplomatët

Që nga e ashtuquajtura "Marrëveshja e Brukselit", dokumenti i parë mbi parimet e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës që u nënshkrua në vitin 2013, të dy palët kanë vazhduar të ulen herë pas herë përballë njëra-tjetrës me mosbesim dhe shqetësim.

Presidenti Thaci, Merkel dhe Macron. Gazeta Si, 2020

Rënia e tensioneve përgjatë këtyre muajve të fundit ka treguar se të dy palët nuk janë larg një kompromisi, por dëshpërimi dhe ambiciet politike kanë bërë sipas zyrtarëve europianë që ideja e vjetër e një shkëmbimi territoresh të rilindë sërish.

Ai sfidon qartë parimet e multikulturalizmit të përcaktuara në planin e vitit 2007 për Kosovën, të hartuar nga diplomati finlandez  Martti Ahtisaari, dhe gjithashtu bie në kundërshtim me parimin e bashkësisë ndërkombëtare kundër ndarjeve me bazë etnike, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Por në tre vitet e fundit, ideja e shkëmbimi të territoreve është shtyrë me ndrojtje si nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ashtu edhe nga Hashim Thaçi.

Të dy qeveritë kanë lobuar në mënyrë diskrete për një rivlerësim të kufijve, siç zbuluan disa investigime së fundmi.

Edhe pse ideja e shkëmbimit të tokës fillimisht u hodh poshtë nga ekspertët dhe bashkësia ndërkombëtare si një hapje e Kutisë së Pandorës për shkak të mosmarrëveshjeve etnike dhe territoriale të pazgjidhura të Ballkanit,  kjo tezë duket se vazhdon të qendrojë në tavolinë. Ajo po qarkullon në qarqet diplomatike si në BE ashtu edhe në SHBA, kryesisht për shkak të mungesës së përparimit praktik në negociatat të drejtuara nga Brukseli.

BE, nga ana tjetër, ka mbajtur një qëndrim më të palëkundur ndaj ndryshimeve etnike të kufijve. Një letër e përbashkët nga ambasadorët francezë dhe gjermanë kohët e fundit apeluan për një dialog të rinovuar midis Beogradit dhe Prishtinës.

Por të hënën, Grenell njoftoi një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor ndërsa i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak ishte rrugës për në Kosovë në përpjekjen për të filluar bisedimet. Lajçak, ish-ministri i jashtëm sllovak mësohet se nuk është ftuar në bisedimet në Shtëpinë e Bardhë.

Grenell dhe Merkel

Ndërhyrja e SHBA ka çuar në një përplasje diplomatike me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila kryesoi bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës dhe bllokoi të gjitha përpjekjet për shkëmbimin e territoreve.

Grenell ndërkohë njihet për përplasjet e forta politike me qeverinë e kancelares Merkel.

Si ambasador në Berlin deri në fillim të këtij muaji, ai ishte në qendër të përpjekjeve për të ushtruar presion mbi Merkel mbi një sërë temash nga rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, deri tek Irani, tregtinë apo marrëdhëniet e Gjermanisë me Rusinë. Ai u pa nga shumë zyrtarë gjermanë si një simbol i përkeqësimi të marrëdhënieve transatlantike.

“Pas dështimit të dialogut të udhëhequr nga BE-ja, qasja e re e Grenell pritet të sjellë përparim”, thotë një zyrtar amerikan.

Përplasjet për Kosovën duket se kanë nxjerrë më shumë në dritë përplasjet mes SHBA-së dhe Europës, e cila po përpiqet të gjejë vendin e saj në një botë gjithnjë e më konkuruese.

Humbja e kontrollit mbi negociatat për Ballkanin do të ishte një goditje e madhe për Merkel, e cila ka investuar shumë në rajon. “Gjatë fundjavës, Kancelaria gjermane nisi me nxitim negociatat me Presidentin serb Aleksandar Vucic dhe Avdullah Hotin, kryeministrin e ri të Kosovës”, tha një i dërguar.

BE dhe SHBA mësohet se kishin gjithashtu në mosmarrëveshje për rrëzimin e ish-kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në mars. Ndërsa ambasadorët gjermanë dhe francezë folën kundër votimit të besimit kundër tij, kolegu i tyre amerikan tha që ai ishte i kënaqur më shkarkimin e tij. Kurti më pas duket se e drejtoi gishtin nga Grenell duke e akuzuar për orkestrimin e shkarkimit të tij.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë