Analize

Shqiptarët, ankthi i Greqisë dhe Bullgarisë / Ç’do të thotë për Shkupin fitorja e mjekut nacionalist, Mickovski?

Nga Gazeta ‘Si’- Ende pa u afruar raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ai foli me bindje për fitoren që e priste.

Hristjan Mickovski, lideri nacionalist i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së, ndërsa listoi me tërësej një sërë ankesash qytetarësh kundrejt LSDM-së dhe BDI-së (Bashkimit Demokratik për Integrim) tha se nuk kishte dyshime që partia e tij do ishte fituese absolute jo vetëm e zgjedhjeve presidenciale por edhe atyre parlamentare.

Dhe në fakt, trendi u vu re që në krye të herës në raundin e parë të 24 prillit, i cili dëshmoi një fitore të qartë të nacional-konservatorëve dhe kristalizoi më tej shpresat e Mickovskit për një përmbysje të thellë të LSDM-së në raundin e dytë.

Ndërsa foli i ekzaltuar para qytetarëve për votat në favor të VMRO-së, mesazhi që nxorri nga politika e shifrave ishte mjaft i qartë: Mickovski ishte i bindur që do bëhej kryeministër.

Pasi kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova, siguroi dyfish më shumë vota kundrejt presidentit aktual, Stevo Pendarovski nga Partia Social-demokrate (LSDM) në pushtet, i cili mori më pak se 20 përqind të votave, ai nuk pati më vend për dyshime.

Qeveria e re me opozitën shqiptare dhe pakti me Arben Taravarin

Mickovski e dominoi fushatën në konfrontim me partinë më të madhe shqiptare, që bashkëqeveris, BDI. Që në krye të herës, ai prerazi deklaroi se nuk do të pranonte bashkëqeverisje me këtë parti të cilën e konsideroi jo pak herë si të korruptuar.

“Për VMRO DPMNE-në qëndrimet dhe përcaktimet janë shumë të qarta. Nuk dua të flas me emisarët që Ali Ahmeti i dërgon çdo ditë për koalicion. BDI-ja për mua është kapitull i përfunduar dhe do të shkojë në opozitë”, deklaroi ai ndërsa e akuzoi atë për hipokrizi pasi sipas tij në njërën anë aktronte patriotizëm, ndërsa në anën tjetër dërgonte ‘emisarë’ për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re.

Por sidoqoftë, duke vlerësuar peshën e votës së elektoratit shqiptar dhe në përpjekje për të qetësuar komunitetin shqiptar, Mickovski deklaroi se aleanca e dytë më e madhe e krijuar nga partitë shqiptare mund të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Dhe nuk u desh shumë.

Pasditen e 6 majit, pak orë përpara nisjes së heshtjes zgjedhore, ai u pa në shtabin e koalicionit VLEN, prej nga publikoi një foto duke shtrënguar duart me Arben Taravarin, liderin e këtij koalicioni opozitar.

Mickovski dhe Arben Taravari

Dy ishin aludimet kryesore që u ngritën menjëherë.

Duke qenë se asnjë nga liderët nuk kishte dalë publikisht t’u bëte thirrje votuesve që të merrnin pjesë në zgjedhje për të arritur pragun kushtetues, u diskutua nëse Taravari shkoi për të kërkuar mbështetje për raundin e dytë apo për të siguruar një marrëveshje paraprake për qeverinë e rë të Maqedonisë së Veriut.

Por, saora ata publikuan dy pikat kryesore të marrëveshjes politike: lufta kundër krimit dhe korrupsionit, përfshi ata që kanë qëndruar duarkryq me monsdëshkueshmërinë si dhe orientimin strategjik drejt BE-së.

"Rregulli fituesi me fituesin nuk vlen"

Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 ka pasur një rregull të pashkruar, që qeveritë formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.

Bashkimi Demokratik për Integrim, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët ka qenë pjesë e Qeverisë, si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO DPMNE-në që fitonin zgjedhjet tek elektorati maqedonas.

Ali Ahmeti dhe Hristjan Mickovski, dhjetor 2021

Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017 kur Qeveria u formua nga LSDM-ja edhe pse i kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas. Ajo arriti të përbëjë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe të formojë Qeverinë duke larguar nga pushteti VMRO DPMNE-që drejtohej nga Nikolla Gruevski.

Pas kësaj, VMRO DPMNE-ja disa herë ka bërë të ditur se rregulli “fituesi me fituesin” më nuk do të vlejë.

A rrezikon ardhja në pushtet e Mickovskit incidente ndëretnike?

Akuzat e pushtetit kanë qenë herëpashere të ashpra ndaj VMRO-së dhe kryesisht të fokusuara tek mbështetja e opozitës ndaj Rusisë dhe ndryshimi i marrëveshjes së Prespës i kërkuar jo rrallë nga VMRO-DPMNE.

Por Mickovksi u përgjigj se me këto deklarata BDI-ja kërkon që të fshehë dështimet e saj dhe deklaroi se opozita shqiptare nuk duhet të bjerë në kurthin e tyre.

“Unë nuk mendoj se opozita shqiptare duhet të hyjë në kurthin e BDI-së dhe të shkojë me retorikë të ashpër në bazë nacionaliste. Mendoj se kjo është gabim, sepse në atë mënyrë ata do të luajnë nën terrenin e BDI-së, e jo në terrenin ku do të kenë rezultat të mirë dhe fitore, ndërsa kjo është ajo për të cilën flas vazhdimisht, krimi, korrupsioni, analiza komparative për atë se çka është arritur në 22 vitet e fundit, pse mbushen autobusët në Maqedoninë perëndimore me njerëz të ri të cilët e lëshojnë Maqedoninë dhe e kërkojnë fatin diku jashtë. Pse klasat janë boshe, pse nuk ka investime”, tha Mickoski në vazhdën e problemeve që po evidentonte.

Sa për marrëveshjen e Prespës, ai ka deklaruar se ndonëse nuk e pëlqen, ajo duhet respektuar.

Megjithatë, se çfarë mund të sjellë ardhja në pushtet e Hristjan Mickovskit, mjekut që u kthye në politikan, mbetet të shikohet mandej.

Një gjë dihet, ndryshimet në Kushtetutë për caktimin e bullgarëve si minoritet nuk do të ndodhin dhe Sofja do të vijojë bllokimin e integrimit të Maqedonisë së Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë