Para

Bankat parandjejnë rreziqe për biznesin, rrisin garancinë për kreditë përmes kolateralit

Sipas ekspertëve kjo do të pasojë me një zgjerim më të ngadaltë të portofolit të kredive dhe pritshmëri për fitime më të ulta për sektorin.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i mbulimit të kredisë bankare me kolateral në fund të qershorit 2020 arriti në 80% duke e rritur atë me 2.6 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zënë peshën kryesore, rreth 66% të kredisë së kolateralizuar dhe 53% të tepricës së kredisë.

Elvin Meka ekspert i sektorit bankar shpjegon për gazetën “Si” se mbulilimi i kredive me kolateral, ose provizionimi në rritje i kredive nga ana e bankave, shërben si një masë parandaluese paraprake, për të mos e vendosur sektorin  bankar përballë shtrëngesës së plotësimit me kapital gjatë periudhave të mëpasshme.

Elvin Meka, Dekan në UET

“Tashmë mund të perceptohet lehtë që situata shëndetësore në Shqipëri dhe jo vetëm, lidhur me pandeminë COVID-19 do vijë duke u përkeqësuar, gjë që pashmangshmërisht do të ndikojë dhe në një vështirësi për të zhvilluar biznes, çka do të mund të përkthehet si vështirësi për shlyerjen në kohë të detyrimeve të huave në banka.”- argumenton Meka.

Për të, kjo duhet vlerësuar si një lëvizje e matur dhe pozitive nga ana e bankave, të cilat duhet, jo vetëm të jenë të vëmendshme ndaj detyrimeve ligjore për mjaftueshmërinë e kapitalit, por nga ana tjetër duhet të jenë dhe shumë të kujdesshsme për menaxhimin e nevojave për likuiditiet.

Efekti më i pritshëm sipas Mekës, do të jetë një zgjerim më i ngadaltë i portofolit të kredive dhe një pritshmëri për kthime (fitime) më të ulëta për sektorin.

Mbulimi me kolateral i kredisë përfaqëson një element kritik në instrumentet mbrojtëse të sektorit bankar nga rreziku i moskthimit të huasë. Kredia që mbulohet me kolateral ka aktualisht një raport të kredive me probleme më të ulët krahasuar me protofolin që nuk ka kolateral në mbulim. Ky raport për kredinë e kolateralizuar u përmirësua ndjeshëm në 7.2% në fund të vitit, nga rreth 10.7% që ishte një vit më parë. Rënia në stokun e kredive me probleme për kredinë e kolateralizuar ka nisur që prej vitit 2016.

Kredia e kolateralizuar me para në dorë vijon të mbajë nivelin më të ulët të raportit të kredive me probleme, me 0.5%. Megjithatë, vetëm një pjesë shumë e vogël e portofolit të kredisë është e siguruar me kolateral në formë cash. Cilësia e kredisë paraqitet në përmirësim të vazhdueshëm edhe për kreditë e tjera të kolateralizuara me pasuri të paluajtshme, duke regjistruar nivelet më të ulëta të raportit të kredive me probleme gjatë dekadës së fundit. Pas kolateralit cash, nivelet më të ulëta të kredisë me probleme janë për huatë me kolateral pasuri të paluajtshme rezidenciale.

Kolaterali që sipas të dhënave ngjan se e garanton më pak cilësinë e portofolit të kredisë ngelet toka. Kreditë e kolateralizuar me tokë kanë raportin më të lartë të kredive me probleme mes kredive që e kanë një kolateral. Por, në krahasim me një vit më parë, raporti i kredive me probleme për kreditë e kolateralizuara me tokë shënoi rënien më të shpejtë, me rreth 6.6 pikë përqindje në nivelin 11.7%. Ky është niveli më i ulët i raportuar gjatë dhjetë viteve të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë