Ngjarje

Baldushk, roje për gjelat e detit nga frika e hajdutëve para festave

Përparimi ka gjithë ditën që i bie krye e tërthor fushës me jonxhë. I vjen pas oreksit tufës me gjelat e detit që mes gurgullimës që lëshojnë sapo afrohet një i huaj, nuk i ndajnë sqepat nga kullota. Banori i Baldushkut ka dhjetë vjet që e kryen këtë ritual, shtatë muaj para festave të fundvitit. Por, bashkë me gjelat që rriten, rriten edhe masat nga hajdutët e tyre. Kështu që nga një çoban gjelash, Përparimi shton edhe vigjilencën nga hajdutët, të cilët shfaqen shumë më herët festave të fundvitit.
“Kam vendosur enkas dy qen në shtëpi. I lëshoj natën, pasi hajdutët e gjelave kanë nisur nga puna edhe ata”, tregon Përparim Harizaj, që i kthyer në një çoban të shpendit të lakmuar, e ka kthyer po ashtu një kallam të gjatë në kërrabë. Por mbi të gjitha gjatë ditës, ku nuk i ndanë sytë nga tufa, Përparimi është kthyer edhe në një roje vigjilent. Burri shton se “çdo ditë qëndron në këmbë, t’i ruajë jo vetëm nga hajdutët, por edhe që gjelat të mos bëjnë dëme në tokat e të tjerëve”.

Përparim Harizaj, rritës gjelash në Baldushk

Por rritja e gjelit sipas tij ka shpenzime pasi blerja e misrit kushton, e gjithashtu shpendët duan vetëm të hanë gjithë ditën. Sivjet ka rritur 100 shpendë, shumicën e të cilëve i ka shitur ende pa u bërë gati.
“Punoj me prenotim, kam klientët e mi. Telefonatat kanë filluar, ja tani e mbylla se dy në Tiranë duan gjela edhe për festat e flamurit kështu që një ditë para, klientët vijnë në shtëpi dhe i marrin të therur. Kështu në këmbë kushton tetë mijë lekë, i therur i bërë gati 10 mijë lekë”, flet Përparim Harizaj, i cili sikurse edhe të afërmit e tij, e ka kthyer rritjen e gjelit në një punë sezonale.
Por sipas tij “puna sezonale ka nisur edhe për hajdutët, ndaj fushat e Baldushkut megjithëse janë mbushur me gjela, janë mbushur edhe me banorë që ju rrinë afër e nuk ju ndahen”.
Policia pohon se ndonëse ende larg festave të fundvitit, trendi i denoncimeve ka filluar tashmë.

“Banorët kanë rritur vetë masat e sigurisë, të gjithë ata ndryshe nga më herët që i mblidhnin nëpër kotecë gjelat e detit, kohët e fundit i mbyllin edhe gjatë natës në magazina enkas për gjelat”, tregon një burim i policisë. Dhe kanë të drejtë, pasi po të llogaritësh që një gjel kushton deri në 80 apo 90 mijë lekë të vjetra, dëmi që i shkaktohet rritësit të gjelave, nuk është i vogël.

Naime Bala e mori traditën e rritjes së gjelit nga vjehrra. “Kam nuse 12 vite në Baldushk, jam nga Puka dhe po aq kam edhe që rris gjela dhe i shes”, thotë ajo. Gruaja sivjet ka një tufë prej 75 gjelash deti. Edhe ajo punon me porosi dhe as që i shkon në mend të presë derisa të hapet tregu i shpendëve, i cili prej tre vitesh është promovuar nga bashkia. “Pasi klientët ose më kërkojnë t’ju rris gjel për natën e Vitit të Ri apo Krishtlindje, ose vijnë vetë dhe ju lidhin rripa në këmbë që t’i dallojnë. Është si një lloj prenotimi”, shton ajo. Natyrisht që janë shumë të kujdesshëm nga hajdutët, ndaj edhe ruajtja e tyre vazhdon edhe gjatë natës, ku shpesh familja pasi i ka mbyllur mirë, e bëjnë me radhë e shohin “se mos dikush trazon qetësinë e gjelave”.

Naime Bala, nuse në Baldushk që merret me rritjen e gjelave


Por, Demiri kujton se Baldushku dhe Peza edhe në komunizëm kishin traditë për rritjen e gjelave të detit. “Mbase për shkak të fushave dhe vendi e do gjelin e detit. Ndonjëri rrisja fshehtas dhe në sekret ndonjë gjel, por kërkonte shumë trimëri, pasi po ta merrnin vesh, nuk ishte gjë e lehtë”, tregon ai. Demiri kujton se nëse ishe familje e madhe përfitoje dy gjela për Vitin e Ri, nëse ishe familje e vogël merrje vetëm një gjel. “Të tjerët iknin për në Tiranë”, shton duke qeshur burri, i cili e bën me radhë me familjen për ruajtjen e tyre në arë “pasi fshati ka edhe punë të tjera”.
Megjithatë, të tjerë kanë marrë masa akoma më të mëdha. I kanë rrethuar tokat me tela dhe i kanë lëshuar gjelat e detit pa frikë. Por edhe ata u qëndrojnë vigjilentë pasi “frika nga hajduti “ iu është kthyer në një reagim normal. Ashtu si edhe vëmendja për t’i ushqyer sa më shumë e për t’i bërë sa më të rëndë.
Demiri kujton se edhe Baldushku rriste tufa të mëdha me gjela dhe se po ashtu çobanët e shpendit të Vitit të Ri paguheshin si edhe të tjerët që punonin në kooperativë. Por a i vidhnin atëherë gjelat? “Po, po i vidhnin, po duhej siç edhe ndonjëri që i rriste, duhej shumë trimëri”, shton banori.

Demiri, banor tjetër që merret me rritjen e gjelave të detit


Ngado nëpër fushat e Baldushkut, çdo tufëze me gjela deti i rri në këmbë një roje. Ai ose është roja dhe çobani. Ose ashtu siç e quan njëri nga banorët “jam rritës gjeli” dhe u bëra i tillë, pasi më lodhi puna në ndërtim dhe sepse gjelat e Baldushkut janë me nam. I ulur në rrugën kryesore, ndanë tokës që e ka marrë me ligjin 7501 rritësi i gjelit, çdo fjalë që thotë e thotë me sytë nga tufa.

Pasi prej tyre për pak muaj përkushtim ai në fund të sezonit e mbyll me një fitim prej 1 milion lekë të vjetra.
I bie telefoni. Një nga klientët e tij të përvitshëm porosit gjel deti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë