Para

Automjetet mbi 10 tonë tek rezervat e shtetit do shiten nga Kryeministri


Shitja e mallrave rezervë e kategorisë A nuk do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, por vetëm me një urdhër të Kryeministrit. Qeveria ka depozituar në Parlament nismën për ndryshimin e ligjit “Për rezervat materiale të shtetit”. Sipas relacionit të qeverisë ndryshimi i propozuar në këtë projektligj ka për qëllim të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë shteti të grupit A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre me vendim të Këshillit të Ministrave me një akt individual, pra vetëm me “Urdhër të Kryeministrit”.
Sipas ligjit mallrat në rezervat e shtetit ndahen në disa kategori në A, B dhe C. Te grupi “A” shitja e tyre bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, dy kategoritë e tjera me anë të një vendimi të ministrave përkatës apo të vetë drejtorit të Përgjithshme e Rezervave dhe Materialeve të Shtetit.

Te grupi i kategorisë “A” futen të gjitha mjetet e tonazhit të lartë mbi 10 tonë, kështu përfshihen automjete të ndryshme apo fadroma, si dhe mjete që kalojnë këtë peshë të vendosur dhe janë në administrimin e kësaj drejtorie të posaçme. Shitja e tyre në ankand realizohej vetëm pas vendimit të Këshillit të Ministrave.

“Sikurse shihet, lëvrimi i mallrave të grupit B dhe C bëhet me anë të një akti individual, “urdhër i ministrit” dhe “urdhër i drejtorit të Përgjithshëm”. Kjo mënyrë e bën më të lehtë e më të shpejtë lëvrimin e mallrave të grupeve përkatëse, sipas kushteve dhe rrethanave të parashikuara ligjërisht. Për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, kjo sjell vonesa në daljen e aktit të miratimit dhe deri në lëvrimin e tyre. Gjithashtu, ndryshimi i propozuar ka për qëllim unifikimin e procedurës së lëvrimit të mallrave rezervë shteti të secilit grup, nëpërmjet një akti individual hierarkik, duke filluar nga drejtori i Përgjithshëm- ministri dhe Kryeministri”, thuhet në argumentimin e Qeverisë nëpërmjet kësaj nismeje.
Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake ( në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Rezervat materiale të shtetit përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Sipas ligjit aktual në fuqi Mallrat rezervë janë mjetet e punës, lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, vlerat e tjera materiale, që financohen nga Buxheti i Shtetit, për të përballuar situatat e përshkruara të ndryshme. Nomenklatura, sasia dhe gjendja e mallrave rezervë shtetërore kanë karakter sekret. Drejtoria e Përgjithshme e Rezverva dhe materialet të shtetit ka kaluar në varësi të ministrisë së Drejtësisë. Do të jetë pikërisht kjo ministri që do t’i propozojë kryeministrit shitjen e mallrave të caktuara, të cilat me këtë ligji të ri nuk do të kalohen për miratim në qeveri. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave ka 7 degë kryesore në të gjithë Shqipërinë, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Mat dhe Pukë. Në këtë drejtori zhvillohen gjithashtu edhe ankande të mallrave të sekuestrua nga Policia e Shtetit si pjesë e zbatimit të ligjit Antimafia, si automjete dhe motoçikleta, si dhe mallra kontrabandë të sekuestruara si ushqimore, pije apo dhe cigare.
Sipas neni 10 të ligjit lëvrimi i mallrave rezervë të grupit B bëhet me urdhër të ministrit, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave Materiale të Shtetit, në rastet kur: a) është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, gjendje lufte apo gjendje e emergjencës civile në një pjesë të territorit të vendit; b) si rezultat i kohëzgjatjes së gjendjes së emergjencës civile, mallrat rezervë të grupit B janë prekur deri në limitin minimal.

Faksimile e projektligjit të ri të Qeverisë


Mallrat rezervë të grupit C lëvrohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave Materiale të Shtetit: kur shpallet gjendje e emergjencës civile të shtetit ose me kërkesë të prefektit të qarkut; kur, për kohëzgjatje të gjendjes së emergjencës civile vendore, vlerësohet i pamundur përballimi i situatës së krijuar me mallrat ndihmë humanitare. Në këto raste veprohet me nismën e kryetarit të bashkisë apo të komunës respektive; kur, si rezultat i fatkeqësive apo aksidenteve të paparashikuara, rrezikohet ose kërcënohet jeta e pjesëtarëve të disa familjeve; kur mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë kontingjente refugjatësh dhe kur, si rezultat i fatkeqësisë, vihet re një rënie masive e niveli ekonomik të shtetasve, pasi dëmi i shkaktuar është i tillë, që ka ulur, në mënyrë të ndjeshme, mundësitë financiare të personave në nevojë.
Mallrat rezervë të grupit B shiten kur: nuk vendoset lëvrimi falas apo planifikohet freskimi i tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë