Politike

Analiza e votave, si u pakësua PS ndër betejat zgjedhore

Më 30 qershor u mbajtën zgjedhjet lokale të radhës, të cilat për shumë arsye mbeten unike në sens negativ. Relativisht, “gjysma” e Shqipëri përfshirë pjesa më e madhe e institucioneve shtetërore i njohu ato dhe i mbështeti, “gjysma tjetër” përfshirë Presidentin nuk i njohu as si proces dhe as si produkt. Megjithatë statistikat nuk janë kurrë të tepërta edhe kur në zgjedhje merr pjesë vetëm njëra palë politike. Zgjedhjet e vitit 2019 u organizuan, drejtuan dhe administruan nga një trupë zgjedhore në KQZ, KZAZ, KQV, GN, etj, e emëruar nga subjekti i vetëm i madh elektoral, Partia Socialiste. Një numër partish të tjera shumë më të vogla, përfshirë edhe parti të reja politike apo ish parti aleate historike të së djathtës u regjistruan në zgjedhje.

Rezultatet e publikuara nga KQZ tregojnë se në nivel kombëtar PS e vetme në garë mori 564 mijë vota, rreth 200 mijë më pak sesa më 2017 kur ajo fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet parlamentare. Krahasuar me zgjedhjet lokale 2015 PS ka rritje prej rreth 160 mijë vota kur edhe konkurrenca ishte shumë e fortë, kurse krahasuar me zgjedhjet parlamentare 2013 dhe 2017 votat proporcionale të PS kanë shënuar rënie të ndjeshme nga 150 në 200 mijë vota.

Votat e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit e subjekteve konkurruese

Pas zgjedhjeve drejtues të PS numëruan votat mazhoritare për kryetarët (50% e tyre pa kandidatë përballë dhe 50% me kandidatë fiktivë përballë) duke i cilësuar ato si vota politike dhe duke i marrë si parametër krahasimi. Në fakt në asnjë zgjedhje vota mazhoritare për kandidatët nuk konsiderohet si votë politike krahasuese, pasi për kryetarin e bashkisë edhe në këto zgjedhje pati votues nga rreth 39 subjekte politike (21 prej tyre në koalicion zyrtar nën siglën e PS), ndërkohë që vota e vërtetë politike është vota proporcionale.

Interesante janë edhe partitë e tjera “konkurruese”. Tabela paraqet 10 partitë më të votuara, ku 74% të votave i përket PS dhe ku partia e dytë politike, PDS ka vetëm 3,66% vota ose 27,860 vota në nivel kombëtar. Në qarkun e Shkodrës vijon të ketë “sukses” Partia Socialdemokrate, e lidhur kjo me deputetin e zgjedhur në emër të kësaj partie në këtë qark, por pa ndonjë traditë dhe as histori socialdemokracie.

Votat e PS-së ndër vite

Për shembull, në Shkodër ajo ka “fituar” 16.17% të votave, më shumë se të gjitha partitë e tjera konkurruese pa PS në këtë bashki. Interesant është fakti se PDS dhe PSD kanë rreth 7 mijë vota më shumë sesa partia më e re politike, Bindja Demokratike, e cila kontestoi rezultatin, por që njëherësh ndikoi në “pluralizmin” e garës për kryetarët e bashkive në më shumë se 20 bashki. Një parti gati e panjohur, Partia e Gjelbër ka rreth 14 mijë vota, PUK ka 10 mijë vota dhe më pas disa parti të tjera përfshirë emra të panjohur në jetën politike si PSM kanë gjithashtu mbi 8 mijë vota.

Vota lokale për këshillat bashkiakë tradicionalisht është më shumë produkt i marrëveshjeve lokale midis grupeve me influencë (jo vetëm grupeve politike), sesa produkt i votës cilësore politike. Kjo vlen për partitë e vogla politike dhe zgjedhjet 2019 ishin një rast i mirë që kjo formë e pazareve për këshillat bashkiakë të rrisë ndikimin e partive të vogla, përfshirë parti të cilat ekzistojnë vetëm formalisht. Nga ana tjetër vota lokale proporcionale është një tregues tjetër i fiktivitetit të partive politike, por edhe i nevojës së madhe për reformimin e sistemit përfaqësues./ Analizë e Institutit të Studimeve Politike (ISP)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë