Analize

Amnistia Fiskale, a u pre në besë FMN?

Më 10 prill, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një njoftim për shtyp ku konfirmonte miratimin e një kredie të butë e të pakushtëzuar për Shqipërinë për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.

Kredia u miratua përmes instrumentit të financimit emergjent, që u aktivizua me kërkesë të Qeverisë shqiptare. Sipas parashikimeve, ky instrument u siguron vendeve anëtare të FMN-së ndihmë financiare urgjente pa qenë nevoja për një program, apo parashikime të detajuara ekonomike dhe alokohet për vendin kërkues në raste emergjente i gjithi njëherësh.

Për miratimin e kredisë në fjalë për Shqipërinë, bordi ekzekutiv i FMN-së ka marrë parasysh dy fatkeqësi natyrore që kanë prekur vendin tonë në muajt e fundit.

“Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe shpërthimi i pandemisë globale Covid-19 kanë shkaktuar humbje të mëdha për ekonominë shqiptare. Për t’iu përgjigjur nevojës urgjente të Shqipërisë në balancimin e pagesave, FMN miratoi 174 mln euro ndihmë financiare sipas instrumentit të financimit të shpejtë. Sfida e mënjëhershme është efektshmëria në përgjigjen ndaj Covid-19 përmes forcimit të sistemit shëndetësor dhe zbutjes së efekteve të tij në sektorët e tjerë më të prekur nga kriza”, thotë FMN.

Në të njëjtin publikim, FMN rendit risqet ekonomike që i kanosen vendit dhe bëhet parashikimi i zymtë se ekonomia shqiptare mund të tkurret për 2020 mei në 5.5 për qind. Megjithatë, si garanci Fondi thotë se ka marrë dy premtime të Qeverisë për të shtyrë në një kohë tjetër dy projekte, që ekspertët e FMN-së i kanë qortuar si me risk të lartë për qëndrueshmërinë financiare të vendit. Bëhet fjalë për ngritjen dhe funksionimin e Korporatës së Investimeve dhe të propozimit për amnisti të përgjithshme fiskale.

FMN thotë se autoritetet shqiptare janë duke shqyrtuar mundësi të reja për të përmbushur nevojat financiare, si kreditë nga institucionet ndërkombëtare e vendore, tërheqja e fondeve të premtuara për rindërtimin nga tërmeti në Konferencën e Donatorëve të 17 shkurtit, financimi indirekt nga Banka e Shqipërisë dhe deri tek eurobondi.

“Paralelisht me këtë, ata (Qeveria shqiptare) po shkurton shpenzimet joemergjente. Stafi (FMN) mirëpriti përpjekjet proaktive të autoriteteve për ngritjen e një plani përballimi në rast se situata përkeqësohet. Stafi (FMN) vlerëson shtyrjen e nismave komplekse politike që mund të mbartin mangësi dhe risk fiskal të lartë, si plani për një amnisti fiskale të përgjithshme dhe aktivizimi i Korporatës së Investimeve”, thotë FMN.

Faksimile nga deklarata e FMN. Gazeta Si, prill 2020

Ligji për Korporatën e Investimeve është miratuar në Kuvend, por zbatimi i tij është pezulluar për momentin. Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë amnistisë fiskale, ku FMN me të drejtë mund të ndjehet “e prerë në besë” nga Shqipëria, pasi para se të miratonte kredinë emergjente për Shqipërinë, ka marrë zotimin për shtyrjen e amnistisë fiskale.

Dhjetë dita nga deklarata e Bordit Ekzekutiv të FMN-së, Kryeministri Edi Rama njoftoi se brenda muajit maj do të miratohet në Parlament amnistia e përgjithshme fiskale, duke përfshirë këtu edhe ndërhyrjet në Kodin Penal.

Nga amnistia të ardhurat e siguruara nga aktivitetet kriminale, që Rama thotë se janë objekt i ligjit special kundër pasurive të krimit të organizuar. Veç kësaj, nga amnistia përjashtohen politikanët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë. Të gjithë të tjerët mund të përfitojnë.

“Çdo qytetar mund të përfitojë nëse nuk është në kategoritë përjashtuese të mësipërme. Amnistia do të ketë një kohëzgjatje prej një viti dhe të ndahet në 3 fasha katërmujore, në fashën e para detyrimi për të depozituar paratë do të jetë 5 për qind, në fazën e dytë 7 dhe në fazën e tretë 10 për qind”, thotë Rama.

Ideja e amnistisë së përgjithshme fiskale nuk është e re në vendin tonë. Ajo rikthehet në qarkullim herë pas here, sidomos para një procesi zgjedhor. E përbashkëta e të gjitha nismave të ndërmarra nga qeveritë është se janë pritur me rezerva dhe kritika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, e po ashtu nuk janë miratuar nga opozita.

Në 2010-2011 ishte Qeveria “Berisha” që u përpoq, por propozimi nuk siguroi mbështetjen e opozitës së asaj kohe për ndryshimin e Kodit Penal, ndaj nisma mbeti në kuadrin e një faljeje fiskale, por jo amnisti. Kjo bëri që shumë biznese të mos formalizonin paratë dhe asetet e tyre nga frika e ndjekjes penale për evazion fiskal.

Thelbin e propozimit të rrëzuar në 2011, PS e hodhi si ide në 2015, por u kundërshtua nga FMN, që deklaronte se amnistia e përgjithshme rrezikonte balancat financiare të vendit dhe demoralizonte biznesin e rregullt. Në vend të amnistisë, FMN propozonte që të hartohej një plan më efektiv për të luftuar informalitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë