Nga Gazeta ‘Si’– Dikur, pabarazia në Europë ishte kryesisht horizontale.
Perëndimi i pasur ngiste makina luksoze dhe pushonte jashtë vendit, ndërsa Lindja më e varfër riparonte vetë pajisjet elektrike dhe priste në radhë për bukë.
Por tri dekada rritjeje ekonomike në ish-vendet komuniste i kanë lënë pas batutat për makinat rumune që “shkonin shpejt vetëm tatëpjetë”.
Sot, pabarazia në Europë ka marrë një dimension vertikal- atë mes brezave.
Të rinjtë që nuk arrijnë të largohen nga shtëpia e prindërve për shkak të çmimeve marramendëse të banesave pyesin veten nëse do të arrijnë ndonjëherë të kenë si të rritur stilin e jetesës që kanë njohur në fëmijëri.
Tridhjetëvjeçarët që punojnë paguajnë taksa të larta për të financuar pensionet e një brezi që doli në pension në kulmin e moshës aktive. Kostot e plakjes po përpijnë rreth një të katërtën e GDP-së së Bashkimit Europian, dhe kjo shifër nuk pritet të ulet teksa kontinenti plaket edhe më shumë.
Të jesh i ri në Europë sot do të thotë të ndihesh pjesë e pavullnetshme e një mashtrimi ndërbrezor.
Nëse shteti social europian ngjan me një skemë piramidale, faraonët e saj janë “baby boomers” — brezi i lindur në dy dekadat pas vitit 1945, sot mes moshës 60 dhe 80 vjeç. Ata do të donin të kujtoheshin si brezi i parë në shekuj që nuk ndezi një luftë mes vendeve evropiane.
Sociologët do të lavdërojnë vitet ’60, kur ky brez tentoi të zëvendësonte nacionalizmin me rock’n’roll. Por ekonomistët janë më pak të butë me ta. Boomers ndërtuan pensione bujare duke u mbështetur në tendenca demografike që sot nuk ekzistojnë më. Kostoja e këtij modeli e bëri Europën më të ngadaltë ekonomikisht.
Brezi i gjyshërve të sotëm trashëgoi një kontinent që po rindërtohej pas luftës; ndërsa brezave të rinj po u lë një Europë që ka nevojë për riparime pas dëmeve që vetë kontribuan të krijoheshin.
Përfitimi më i dukshëm i kësaj “grabitjeje ndërbrezore” janë shtëpitë.
Boomers i blenë ato lirë dhe sot vlejnë miliona. Po, ata morën kredi me interesa të larta, por më pas përfituan nga rritja e pandalshme e çmimeve të pronave edhe pasi kreditë u shlyen. Edhe të korrigjuara me inflacionin, çmimet e banesave në Europë janë rritur me një të katërtën vetëm gjatë dekadës së fundit, ndërsa qiratë janë rritur më shpejt se të ardhurat.
Rezultati është se të rinjtë po përjashtohen nga pronësia e banesave. Përqindja e europianëve që vazhdojnë të jetojnë me prindërit deri në moshë të mesme është rritur vazhdimisht.
Mes atyre që kanë lindur në vitet ’80, gati një e katërta jetonin ende në shtëpi në moshën 30-vjeçare shumë më tepër se brezat e lindur dy dekada më herët.
Dikur pronësia e shtëpisë ishte rruga drejt pavarësisë financiare; sot trashëgimia duket bast më i sigurt, nëse vjen ndonjëherë.
Europa nuk është i vetmi vend me të moshuar që jetojnë në prona të shtrenjta.
Por shteti social ka zhvendosur më shumë barrën e plakjes mbi të rinjtë. Në shumicën e vendeve të tjera të pasura, përfshirë SHBA-në, Japoninë dhe Korenë e Jugut, pensionistët mbështeten më shumë në kursimet private dhe vazhdojnë të punojnë pjesërisht edhe pas pensionit.
Europianët dalin herët në pension, jetojnë gjatë dhe presin që shteti, pra taksapaguesit aktualë, të financojë jetën e tyre pas punës.
Në SHBA, triliona dollarë të kursyera në fondet private të pensioneve janë bërë kapital për fondet e investimit dhe kompanitë gjigante të teknologjisë. Në Europë, pensionet e sotme paguhen nga punëtorët e sotëm, me shpresën se punëtorët e nesërm do të bëjnë të njëjtën gjë.
Kjo lë më pak kapital për bizneset europiane dhe është një nga arsyet pse kontinenti ka kaq pak gjigantë teknologjikë.
Ky model funksiononte kur ekonomia dhe popullsia rriteshin.
Por popullsia e Europës tashmë ka arritur kulmin pjesërisht sepse vetë boomers nisën trendin e të pasurit më pak fëmijë. Në vitin 1960, mbi pesë punëtorë mbështesnin çdo pensionist në Europën Perëndimore. Sot janë vetëm 2.5 punëtorë për pensionist.
Kjo do të thotë se të rinjtë e sotëm duhet jo vetëm të financojnë pensionet e prindërve të tyre, por edhe të krijojnë kursimet e veta private për të ardhmen.
Zgjidhja tjetër është importimi i më shumë emigrantëve për të rritur numrin e punëtorëve por kjo ka ushqyer rritjen e partive populiste të djathta në Europë.
Një shoqëri e plakur është gjithashtu një shoqëri që mendon më shumë për të tashmen sesa për të ardhmen.
Mosha mesatare e votuesve në zgjedhjet e fundit presidenciale në Francë ishte 52 vjeç, jo pak sepse të moshuarit votojnë më shumë se të rinjtë. Politikanët, natyrisht, ndjekin prioritetet e tyre.
Kur buxhetet janë të kufizuara, fondet për pensionet dhe azilet mbrohen gjithmonë; ndërsa arsimi dhe inovacioni janë më të lehta për t’u shkurtuar.
Ekonomisti francez Maxime Sbaihi e përmbledh kështu situatën: “E ardhmja e demokracisë po vendoset gjithnjë e më shumë nga votues që vetë nuk kanë më një të ardhme të gjatë përpara.”
Pandemia e Covid-19 dukej sikur mund të ndryshonte diçka, kur të rinjtë sakrifikuan vite të jetës sociale kryesisht për të mbrojtur të moshuarit. Por favori ende nuk është kthyer. Filozofi francez Raymond Aron paralajmëronte dikur se një shoqëri e plakur është një shoqëri “e ndjekur nga fryma e dorëzimit”.
Dhe kjo ndjenjë lodhjeje duket sot shumë reale në Europë, teksa njerëzit kalojnë pranë një tjetër kopshti fëmijësh që po shndërrohet në azil pleqsh.
Marrë nga The Economist/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje