Politike

PD: Amnistia Fiskale, një lavatriçe e madhe e pastrimit të parave

Partia Demokratike këmbëngul në qëndrimin e saj se pas aministisë fiskale të propozuar nga qeveria e Ramës qëndron objektivi për të pastruar paratë e drogës dhe të krimit të organizuar.

“Gënjeshtarët duan të bëjnë Amnistinë Fiskale për të inkriminuarit pikërisht atëherë kur vendi është i përfshirë në listën gri të MONEYVAL. Kur BE ka përcaktuar që një nga parakushtet e Shqipërisë është edhe dalja nga kjo listë dhe lufta ndaj Pastrimit të Parave. Pak rëndësi ka për gënjeshtarët e ardhmja, apo xhepi i shqiptarëve. Rëndësi ka që i gjithë pushteti i fituar përmes blerjes së votave, përmes të inkriminuarve që kërkojnë pjesën e tyre të vazhdojë të jetojë me çdo kusht”, deklaron ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku.

https://www.facebook.com/jorida.tabaku/posts/3064485053639439

Tabaku thotë se vendimi për të miratuar amnistinë e përgjithshme fiskale dhe penale bie në kundërshtim edhe me zotimin që Qeveria shqiptare i ka dhënë Fondit Monetar Ndërkombëtar për lëvrimin e kredisë 190 mln dollarë për përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia.

“Gënjeshtarët nuk pyesin në jemi në mes të pandemisë, nëse bizneset janë të mbyllura, nëse shqiptarët janë të papunë dhe u mungon e ardhura bazë. Madje gënjeshtarët nuk e kanë problem edhe kur i premtojnë FMN-së se do ta rishohin strategjinë e Amnistisë Fiskale, siç edhe tanimë FMN ka publikuar në raportin e saj. Jo! Ata vazhdojnë të vjedhin taksat e shqiptarëve, vazhdojnë të ndjekin rrugën e shkatërrimit duke ligjëruar Lavatriçen e Madhe të pastrimit të parave”, vijon ish-deputetja demokrate.

Tabaku akuzon Ramën se për 7 vite me radhë së bashku me miqtë e tij oligarkë ka vjedhur pasuritë publike dhe private të shqiptarëve.

“Aq shumë është vjedhur saqë nuk kishin as parà në buxhet për qentë e shpëtimit (kur ra tërmeti) dhe as fonde për paketën ekonomike në kohën e pandemisë dhe tani, mes gjithë kësaj batërdie dhe hajdutërie, si një gënjeshtar tipik që pëlqen të luajë me liritë ndërsa vjedh paratë e shqiptarëve merr një nisëm tjetër”, thotë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë